E nesërmja e 20 Shkurtit

E nesërmja e 20 Shkurtit

13:30, 22/02/2024
A+ Aa A-

Nga Grigels Muçollari

Pjesëmarrja e lartë në protestën e 20 shkurtit i dha një konfirmim popullor aksionit opozitar të këtyre muajve, por njëkohësisht e ngarkoi opozitën e bashkuar me përgjegjësinë e administrimit të pakënaqësisë që ka në popull dhe jo vetëm.

Pamë se shqiptarët janë ende larg modelit të revoltave qytetare që ndodhin në vendet e BE-së.

Shkak për këtë bëhet së pari dhuna shpërpjestimore që disa struktura të paidentifikuara ushtrojnë ndaj protestuesëve sa herë këta të fundit kërkojnë të shfaqin revoltën ndaj shtetit. Kapuçonët që një Zot e di se cilët janë, u lëshuan pas protestës për të rrahur e gjakosur në grup. Punonjës pa uniformë, me maskë e pa numër identifikimi nuk ka. Shteti ishte organizuar me formacione të tipit parapolicesk për të ndalur kapërcimin e protestës në revoltë. Po pse shqiptarët duhet të jenë ndryshe nga fqinjët grekë, nga bashkëkontinentalët francezë e spanjollë?!

Masivisht, protestuesit ishin tejet paqësorë, aq sa sot nuk mund të flitet për revoltë të dhunshme. Portalet e inceneratorëve doemos që do të flasin për antiamerikanizëm, për opozitë të dhunshme, për axhendë greke e fantazira të tjera që i shërbejnë xhepit të tyre. Janë ato media që nuk investigojnë kurrë korrupsionin, abuzimin dhe pastrimin e parave, pavarësisht se raportet ndërkombëtare flasin për to. Politika e dekurajimit të shqiptarëve, e demotivimit të tyre për të ngritur krye, është një lojë në ekip. Në këtë ekip qëndron edhe minifraksioni Basha. Për interesin e tij politik por jo vetëm, Lulzim Basha i mbledh ca qindra në Pallatin e Kongreseve. Ama për të protestuar nuk i thërret.

Po doemos, për të thirrur protesta duhet të kesh një pozicionim të qartë publik. Duhet të jesh opozitë dhe mbështetësit t'i kesh opozitarë. Prandaj ne si real opozitë duhet t'i qartësojmë qytetarët se personi në fjalë vepron me çdo mjet kundër interesit publik, ndonëse ha para publike.

Ne si opozitë kemi detyrim politik ta lexojmë me shumë kujdes protestën e 20 shkurtit dhe të vlerësojmë besimin që na u dha nga pjesëmarrja, duke ridimensionuar aksionin opozitar në terren, në parlament e në ato shtresa të shoqërisë që janë ende të lëkundura në besimin ndaj nesh.

Përgjegjësia jonë është të përmirësohemi në aspektin e organizimit në bazë, të sjellim ide të reja programore dhe t'i ofrojmë shqiptarëve të vetmin institucion ku ata besojnë: Opozitën. Ne duhet ta fitojmë përfaqësimin e qytetarëve. PD duhet ta orientojë politikëbërjen e saj drejt reformimit të vazhdueshëm që të arrijë të ngrihet në nivelin e pritshmërive që shqiptarët kanë ndaj nesh. Duhet të jemi mendjehapur për të fituar privilegjin e përfaqësimit të shqiptarëve.

20 shkurti ishte një shkëndijë që na ndriçoi rrugën ku duhet të ecim, që rikonfirmoi bindjen tonë 2 vjet më parë për të thirrur kuvendin e 11 dhjetorit në stadiumin "Air Albania". Protestuesit shënjuan rrugën tonë politike. Na dhanë një sinjal, të cilit ne duhet t'i përgjigjemi me hapa të mëdhenj.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco