Berisha: Protestuesit më 20 shkurt do kenë në njërin krah të vërtetën, kurse në krahun tjetër bashkimin

Berisha: Protestuesit më 20 shkurt do kenë në njërin krah të vërtetën, kurse në krahun tjetër bashkimin

19:13, 19/02/2024
A+ Aa A-

Që në nisjen e fjalës së tij në tubimin e sotëm qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestë.

Berisha tha se, protestuesit në 20 shkurt do të kenë në krah të vërtetën dhe bashkimin.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, të nderuar misionare dhe misionarë, qëndrestarë të shpresës, shpëtimtarë të vërtetë të Shqipërisë.

20 shkurti do të jetë në historinë e demokracisë, një ditë e shenjtë sepse protesta e 20 shkurtit do të jetë ndryshe nga çdo protestë që Shqipëria ka pasur nga 20 shkurti i vitit 1991 gjer sot.

Kjo sepse secili prej jush, çdo protestues, do të ketë nesër me vete dy armë që nuk i ka patur më parë. Çdo demokrat, çdo opozitar, çdo shqiptar që do shkelë në Tiranë më 20 shkurt, do marshojë bashkë me këto dy forca madhore krah tij.

Protestuesit më 20 shkurt do kenë në njërin krah të vërtetën, kurse në krahun tjetër bashkimin.

Më lejoni të përshëndes në emrin tuaj mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, që kanë ardhur dje dhe sot në Tiranë nga të katër anët e dheut për t’u bashkuar me ju nesër, ditën e fitores.

Unë gjithashtu dua të përshëndes mijëra e mijëra shqiptarë, që sot gjatë gjithë ditës nga të katër anët e Shqipërisë, kanë ardhur në Tiranë, të gatshëm për 20 shkurtin, ditën e ngadhënjimit të demokracisë, ditën e fitores të opozitës shqiptare.

Miqtë e mi, e vërteta dhe bashkimi janë dy forca që shumëfishojnë shqiptarët që do mbushin nesër sheshet dhe rrugët e Tiranës në këtë datë historike.

E vërteta dhe bashkimi janë dy forca që do e bëjnë më të rëndë hapin e çdo demokrati më 20 shkurt.

E vërteta dhe bashkimi janë dy forca që do bëjnë që zëri i protestuesve të depërtojë jo vetëm në veshët e topitur të shqiptarëve, por të depërtojë në zemrat e tyre, kudo që janë.

E vërteta dhe bashkimi do shndërrojnë rrugën e rikthimit të opozitës, rikthimit të PD në pushtet, rrugën e shpëtimit të Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco