Blushi: Të hetohen fondet e Rindërtimit, mijëra të mbetur pa strehim po shantazhohen për vota

Blushi: Të hetohen fondet e Rindërtimit, mijëra të mbetur pa strehim po shantazhohen për vota

10:36, 15/02/2024
A+ Aa A-

Partia e Lirisë i bën thirrje SPAK-ut të hetojë të gjithë ata menaxhues të fondeve të Rindërtimit nga tërmeti që kanë lënë mijëra familje pa strehë edhe pse kanë kaluar pesë vite nga fatkeqësia, në mënyrë që në zgjedhjet e  ardhshme parlamentare t’i jepet fund krimit zgjedhor, ku Edi Rama, kryetarët bashkive, ministrat dhe patronazhistët, iu tundin çelësat e shtëpive para syve këtyre fatkeqëve që tërmeti i la pa shtëpi, duke u bërë shantazh për vota, siç gjykojnë drejtues të saj.

I ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, krahas një zonje kryefamiljare të mbetur rrugëve pa shtëpi falë mashtrimeve të Kryeministrit, ishte Sekretari i Përgjithshëm i PL, z. Tedi Blushi, i cili ndër të tjera tha:

 “Ende nuk mund të thuhet një shifër e saktë *për numrin e familjeve pa strehim) dhe kjo është një nga arsyet pse ne dje publikisht iu drejtuam Qeverisë për të bërë transparencë lidhur me numrin e qytetarëve dhe të familjeve, që gati pesë vite pas tërmetit rezultojnë pa banesë. I vetmi sqarim zyrtar që është bërë deri tani është ai nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që ka bërë me dije se janë në proces pritjeje për t’u ndërtuar edhe 125 pallate të reja, që do të thotë se janë disa mijëra familje që pritet të strehohen në to.

Ndërkohë, çfarë ka ndodhur?! Në fund të dhjetorit 2019, Kryeministri Edi Rama bëri një premtim që unë dje ia rikujtova opinionit publik dhe sidomos atyre familjeve që u prekën nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019: “Brenda vitit 2020 - premtonte ky palaço -  të gjitha familjet do të hyjnë në banesat e tyre!!!”

Kanë kaluar rreth pesë vite apo pak a shumë, një mandat qeverisës e sot ka mijëra familje, të cilat jo vetëm kanë ngelur pa banesë, jo vetëm nuk dinë kur do të hyjnë në banesat e reja, por më e rënda akoma është që mes këtyre familjeve ka ende familje, që bashkia e Tiranës kryesisht, por edhe ajo e Durrësit në dijeninë tonë, i kanë përjashtuar nga bonot e qirasë. Pra, detyrohet vetë familja në kushte shumë të vështira ekonomike, pa një banesë, pa një çati mbi kokë, të gjejë të ardhura për të mbuluar edhe koston e qirasë.

Kjo çështje është përdorur për shantazh nga Edi Rama apo nga kryetarët e bashkive në zgjedhjet e fundit lokale për çështjen e votave.

Shqetësimi ynë që ngremë me të drejtë dhe i kemi bërë thirrje edhe SPAK-ut, për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore, për të hetuar të gjithë menaxhuesit e fondeve, kush ka futur dorën, qoftë edhe në një qindarkë nga 1 miliard euro fond e të dalë kjo përgjegjësi, në mënyrë që në zgjedhjet e  ardhshme parlamentare t’i jepet fund krimit të shëmtuar zgjedhor, ku Edi Rama, kryetarët e bashkive, ministrat përfshirë këtu edhe patronazhistët, iu tundin çelësat e shtëpive para syve gjithë këtyre fatkeqëve që tërmeti i la pa shtëpi duke u bërë shantazh për votë.

Ky nuk është hamendësim, nuk është propagandë, është fakt sepse vetëm në zgjedhjet e fundit lokale në bashkinë e Tiranës kemi denoncuar jo një, por me dhjetëra raste sikundër kolegët e mi në pushtetin vendor në bashkinë e Durrësit kanë bërë me dhjetëra denoncime pikërisht për këto shantazhe që Rilindja u bën këtyre fatkeqëve, që një fatkeqësi natyre i la pa shtëpi, por që Edi Rama po ua bën edhe më zi seç ua ka bërë tërmeti.”

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco