Presidenca belge: Zbatimi i marrëveshjeve, thelbësor për shqyrtimin e aplikacionit

Presidenca belge: Zbatimi i marrëveshjeve, thelbësor për shqyrtimin e aplikacionit

19:53, 06/02/2024
A+ Aa A-

Zyrtarë nga Presidenca belge, e cila nga 1 janari ka marrë kryesimin e Këshillit të BE-së kanë thënë se do të bëjnë përpjekje për arritjen e konsensusit brenda anëtarëve për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Por në mbërritjen e këtij synimi thonë se mbetet thelbësor zbatimi i marrëveshjeve të dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë

KOHA

Zbatimi i marrëveshjeve të dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet thelbësore për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian. Kështu kanë deklaruar nga Presidenca belge, e cila që nga 1 janari ka marrë kryesimin e Këshillit të BE-së, kur janë pyetur për mundësinë që brenda gjashtë muajsh të shqyrtohet aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës në BE. Për të bërë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në afat të shkurtër dhe afatgjatë, Kosovës i duhet – njësoj si Serbisë – të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushë angazhimet e marra nga marrëveshjet e kaluara”, ka thënë David Jordens, zëdhënës në ministrinë e Jashtme të Belgjikës.

Ai ka shtuar se asnjë veprim nuk është ndërmarrë që prej deponimit të aplikacionit nga ana e Kosovës. Megjithatë thotë se do të tentohet të arrihet konsensus për çështjen e Kosovës brenda Këshillit të BE-së.

“Që kur Kosova dorëzoi aplikacionin e saj për anëtarësim në BE gjatë Presidencës Çeke në dhjetor 2022, nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Deri më tani, nuk ka mundur të arrihet konsensus në Këshill për t'i kërkuar Komisionit Evropian një opinion lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Gjatë Presidencës së saj në Këshillin e Bashkimit Evropian, Belgjika në mënyrë të vazhdueshme do të përpiqet për konsensus midis shteteve anëtare, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të gjitha shteteve anëtare dhe duke respektuar plotësisht metodologjinë e zgjerimit të BE-së”, ka theksuar Jordens.

Ai ka potencuar se Belgjika mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përfshirë Kosovën.

“Presidenca belge është e përkushtuar të çojë përpara punën e vazhdueshme për zgjerimin me të gjitha vendet që kanë perspektivë për anëtarësimin në BE, në mënyrë të barabartë. Presidenca belge do të theksojë rëndësinë e respektimit të metodologjisë ekzistuese të zgjerimit, qasjes së bazuar në merita dhe progresit të secilit vend kandidat (potencial) në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Ai do të inkurajojë integrimin e tyre në BE duke promovuar reformat e nevojshme dhe transformuese në fushat kyçe, në veçanti sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e medias dhe të drejtat themelore”, është shprehur Jordens.

Prej të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë aplikuar për anëtarësim në BE, vetëm Kosova ka mbetur pa status kandidati.

Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë më 8 nëntor të vitit të kaluar, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.

Për herë të parë u miratuan edhe raportet e progresit për dhjetë shtete që janë në këtë proces, si: Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.

Më 15 dhjetor 2022, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE, gjatë kryesimit të Presidencës së Çekisë.

Më 20 dhjetor 2022, Këshilli i BE-së u informua nga ana e Presidencës çeke për aplikimin, ndërsa Presidenca e Suedisë ishte shprehur e gatshme që ta trajtojë atë gjatë kryesimit të Këshillit. Megjithatë, as gjatë Presidencës Suedeze, Këshilli i BE-së nuk mori ndonjë vendim lidhur me aplikimin.

Pavarësisht ngecjes së aplikacionit dhe masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbajë ndaj Kosovës, zyrtarë qeveritarë thonë se nuk është zbehur përkushtimi i tyre në përmbushjen e agjendës evropiane. Mbështetur në Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028, qeveria ka planifikuar edhe një plan ambicioz të reformave që dalin nga marrëdhënia kontraktuale me Bashkimin Evropian parasheh Qeveria e Kosovës,

“Programi është gjithëpërfshirës për kah fushëveprimi. Ai parasheh reforma afatshkurtra për vitin 2024 dhe objektiva prioritare afatmesme për përmbushjen e detyrimeve të dala nga MSA dhe nga mekanizma të tjerë për integrim në BE, përmes përfarimit të legjislacionit kombëtar me acquis-në e BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, ai është i ndarë në tri blloqe: Kriteret politike, Kriteret ekonomike, dhe Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së”, shkruan në dokumentin kryesor strategjik të Kosovës për zbatimin e reformave për integrim në BE.

Niveli i përmbushjes së kritereve që dalin nga MSA-ja trajtohet edhe në raportin e përvitshëm të Komisionit Evropian. Në Raportin e fundit për Kosovën, ky institucion konstatoi “përparim të kufizuar” në shumicën prej fushave që vlerësohen.

Aty përmenden situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës, si dhe procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kosovës i kërkohet që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mbi bazën e propozimit të BE-së i cili u ishte prezantuar palëve më 21 tetor të vitit të kaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco