Avokati i Berishës: Shtyrja e vendimit, shkelje e rëndë nga Apeli, prokurorët sillen si në bar-kafe

Avokati i Berishës: Shtyrja e vendimit, shkelje e rëndë nga Apeli, prokurorët sillen si në bar-kafe

12:00, 24/01/2024
A+ Aa A-

"Prezenca e z. Berisha u konsumua dje. Ajo e rrëzon plotësisht alibinë e SPAK-ut që 'z. Berisha i shmanget hetimit, që z. Berisha nuk respekton vendimin e gjykatës' për paraqitjen, ndërkohë që paraqitja dje ishte realitet dhe u vërtetua katërcipërisht që procesi po ecën normalisht. Berisha, për aq pyetje sa i bënë, dha përgjigje të hollësishme dhe unë nuk kuptoj se çfarë sensi ka masa tashti.:

Avokatët që përfaqësojnë Kryetarin e PD, Sali Berisha, në çështjen e tij në SPAK deklaruan sot se vendimi i Gjykatës së Apelit për zbutjen e masës së sigurisë ndaj z. Berisha u shty për nesër, çka përbën një shkelje të rëndë.

Av. Genci Gjokutaj shpjegoi për mediat: "Mbi bazën e autorizimit të marrë nga Kuvendi, ne, brenda afatit ligjor e ankimuam këtë vendim. Së pari, ai vendim është marrë pa u shqyrtuar, kërkesa e përjashtimit për gjyqtaren Irena Gjoka. Është shqyrtuar pas një jave, ndërkohë që ajo gjykatë ishte në dijeni  të depozitimit në Postë të kërkesës sonë. Sigurisht që kjo e bën vendimin absolutisht të pavlefshëm. Ne sot parashtruam të gjitha shkaqet, por Gjykata e Apelit e rrëzoi kërkesën për administrimin e konstatimit të gjykatës së shkallës së parë për qenien tonë brenda afatit.

Është një shkelje e rëndë proceduriale që sjell pavlefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjykata e shtyu për nesër. Prokurorët sot mbajtën një qëndrim… Ne folëm dy orë e gjysmë, ata kishin tre minuta kontestim. I qëndruan kërkesës së tyre. Dje thoshin nuk paraqitet, sot thoshin është vepra e rëndë. Pra, një qëndrim variabël i tyre.

Ne presim vendimin. Vendimi për të mos e administruar sot dosjen e përjashtimit të gjyqtares Irena Gjoka është një shkelje shumë e rëndë e kësaj gjykate, e gjykatës së Apelit, çka përbën një përgjegjësi të madhe për gjyqtaren e çështjes, sepse çështja nuk mund të shqyrtohet në gjërësi, në objektivitet, në mënyrë të gjithanshme nëse nuk administrohen të gjitha provat, faktet dhe vendimet të cilat kanë lidhje me vlefshmërinë ose të jot ë vendimit të shkallës së parë. Gjithsesi ne do të presim nesër në orën 9 kur të bëhet shpallja e vendimit.

Pyetje: Ju përmendët një kontradiktë në qendrimin që ka mbajtur prokuroria.  Nëse më parë kërkoi masën detyrim paraqitje, sot thonë për vepër të rëndë. Cilin qëndrim kishin?

Gjokutaj: Duhet të dini një gjë. Mungesa e gjykatës i bën prokurorët që të vijnë në gjyq sikur shkojnë në një bar-kafe dhe nuk e kanë problem për çfarë thonë dhe çfarë argumentesh ngrenë njëherë dhe çfarë argumenti ngrenë herën tjetër. Sigurisht që nuk ka barazi palësh në këtë gjykim. Ne do të vazhdojmë dhe do të shikojmë vendimin nesër.

Pyetje: Avokat, ditën e djeshme në praninë e z. Berisha në SPAK, ju pretenduat se kanë rënë masat ndaj tij. a e përdorët këtë sot si një argument në gjykatë?

Gjokutaj: Faleminderit për pyetjet. Pikërisht kjo ishte një nga pikat më të forta të mbrojtjes sonë, e cila nuk ishte ngritur në ankimin e depozituar, pasi ankimi ishte depozituar ditë më përpara ndërsa prezenca e z. Berisha u konsumua dje. Ajo e rrëzon plotësisht alibinë e SPAK-ut që z. Berisha i shmanget hetimit, që z. Berisha nuk respekton vendimin e gjykatës për paraqitjen, ndërkohë që paraqitja dje ishte realitet dhe u vërtetua katërcipërisht që procesi po ecën normalisht. Berisha, për aq pyetje sa i bënë, dha përgjigje të hollësishme dhe unë nuk kuptoj se çfarë sensi ka masa tashti, kur jemi në një realitet të ri, kur z. Berisha, ashtu siç premtoi, në themelin e çështjes, do të jepte shpjegime dhe i dha.

Pyetje: Z. Gjokutaj, a ka caktuar Gjykata e Posaçme një trupë gjyqësore që do të shqyrtojë kërkesën tuaj që kundërshtoni vendimin e SPAK për të mos lejuar Sali Berishën për të qenë i pranishëm në seancën parlamentare?

Gjokutaj: Është gjyqtarja Irena Gjoka, është gjithmonë. Mos e shëtisni mendjen lart e poshtë. Është caktuar në datën 1 shkurt, ora 9.00.

Pyetje: Gjatë ditë së djeshme, a u vendos një takim i dytë apo që t’i dërgohet një ftesë e dytë, Sali Berishës për t’u pyetur?

Gjokutaj: Jo. Jo. Nuk e dimë. Dje thanë nuk kemi më pyetje. U shteruan pyetjet. U larguam pa na u komunikuar nëse do të thirremi prapë apo jo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco