'E vetmja herë kur Shqipëria u rrit, ishte gjatë qeverisjes së zotit Berisha'

'E vetmja herë kur Shqipëria u rrit, ishte gjatë qeverisjes së zotit Berisha'

11:51, 20/01/2024
A+ Aa A-

Fjalimi i zotit Akil Kraja, që tërhoqi vëmendjen e demokratëve të mbledhur përpara godinës ku mbahet nën arrest shtëpie, kryetari i PD, Sali Berisha. 

Në Europë numërohen 448,387,872 shtetas, numërohen 23.175.464 nxënës në sistemin fillor, numërohen 477.261 doktorë, por numërohen edhe 59.010.250 dele, numërohen dhe 7.933 arinj.

Europa mban statistika për çdo gjë dhe askush nuk ka dyshime për saktësinë e tyre, sepse Europa është ndërtuar mbi një sistem demokratik, mbi një shtet funksional, ku formaliteti, jo informaliteti bën ligjin. Ky shtet investon tek fëmijët, tek mjekët, por dhe tek bujqësia e natyra e saj.

Kështu që nëse Bashkimi Europian na thotë se janë 850,245 shqiptarë që janë pajisur me një leje qëndrimi për herë të parë prej vitit 2013, të numëruar një më një, askush nuk mund ta vendosë në dyshim saktësinë e tyre.

Është një shifër po kaq e saktë, në mënyrën më tragjike, në mënyrën më të dhimbshme, sa shifra e censusit që doli së fundmi. Në Shqipëri kanë mbetur 1.478.126 banorë, e ripërsërisim, 1.478.126 banorë!

Shqipëria është prerë, është zvogëluar, është vjedhur, është rrëmbyer nga shqiptarët e saj, nga mjekët e saj. Në 5-vjeçarin e fundit, janë 1.028 mjekë të larguar, ose 22% e numrit të mjekëve në vend.

Janë 105 shkolla të mbyllura vetëm ne 4 vitet e fundit. Përmenda bujqësinë më sipër, në Shqiperi numri i krerëve të imta ka rënë me 25% në këtë 10 vjeçar.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Jo aspak.

Unë jam kthyer në vitin 2012, kam qenë një ndër aplikantët e fundit të Brain Gain. program i qeverisë së Sali Berishës në bashkëpunim me UNDP, ku thërriste të rinj, të talentuar, sipërmarrës, biznese, TAP-in : Ejani investoni në Shqipëri të ardhmen tuaj, paratë tuaja, dijen tuaj, pasionin tuaj.

U kthyem!

Ndaj mos harroni. Në 30 vite, e vetmja herë kur Shqipëria u rrit, u zmadhua, u forcua, u fuqizua, u pasurua, me shqiptarë, kur popullata u rrit, ishin vitet 2010-12. Kryeministri Berisha bëri mrekullinë më të madhe që në 30 vite ka ndodhur veç një herë. U rrit Shqipëria.

Ndaj ne jemi sot këtu. Sepse në fakt kjo e sotmja është një betejë për Shqipërinë. A mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë ? Ata dinë sa arinj kanë, sa dele kanë. Ndërkohë ne nuk dimë sa policë kemi, sa buxhet kemi. Ne nuk dimë sa shqiptarë jemi.

Por dhe ne kemi fajin tonë. Opozita ka fajin e saj për këtë shpopullim.

Në 10 vitet e kaluara duhet ta pranojmë, ne kemi shitur kauza të ndryshme. Kemi shitur kauzën e Kukësit. Kemi shitur kauzën e Teatrit. Liqenin, e mbani mend? Sot po ndërtohet aty. Si mundet një shqiptar ta besojë alternativën qeverisëse që ne kërkonim të ishim nëse ne shisnim votën tonë?

Epo shqiptari është i zgjuar. Kur ti shet mandatin, kur ti shet zgjedhjet, kur ti shet reformën territoriale. E mbani mend, e bojkotuam edhe atë. Por sot, të njëjtit njerëz, jo më larg se para pak çastesh deklaronin “duhet t’i bashkohemi reformës zgjedhore” me Edi Ramën. Por më fal, Rama i 2014 ishte më i mirë se Rama i 2021 e 2023?

Qartazi këtu bie era tradhti.

Ndaj ta kuptojmë të gjithë së bashku. Sot nuk kemi dalë këtu vetëm për Sali Berishën. Beteja për Sali Berishën, nuk është për individin. Është për atë që ky njeri përfaqëson. Ish-kryeministrin e vetëm gjatë 30-vjeçarit të fundit gjate qeverisë së të cilit u rrit popullsia, u rrit Shqipëria, u rritëm ne. Ish-presidentin e vetëm që doli kundra zvogëlimit të Kosovës, kundra Open Balkans, kundra krimit trasnsballkanik, e atij në qeveri e në parlament.

Kemi dalë këtu për një Shqipëri të lirë sepse asnjëri prej jush nuk është i regjistruar në aplikacionin e Aktivistit. Asnjëri prej jush nuk merr një rrogë për të dalë këtu. Asnjëri prej jush nuk ndihet i kërcënuar me kafshatën e bukës: o punën, o partinë. Kemi ardhur si njerëz të lirë për Shqipërinë e atë që përfaqëson Sali Berisha.

E rritëm Shqipërinë në mandatin e shkuar dhe sërish do ta rrisim atë

Sot ne kemi dalë për të vijuar betejën e 8 dhjetorit që ju vetë e keni filluar.

Është beteja e vijimit të rithemelimit të një opozite të re që po rigjen busullën e saj, ylli polar i te cilës do mbetet përherë perëndimi, vlerat euro-atlantike, demokracia, Shqipëria. Ndaj sot kjo është rruga e shpresës, rruga e kthimit të fitores dhe dinjitetit të nëpërkëmbur të Shqiptarëve dhe çdo demokrati.

Ndaj sot, në këtë rrugë, kemi filluar një beteje për një Shqipëri që u ofron hapësirë të gjithëve të rriten këtu e jo në emigrim.

Është një betejë për një Shqipëri, komb sipërmarrësish e jo komb emigrantësh, kriminelësh, zdromsash siç thoshte kryeplehra e Bashkisë Tiranë.

Kemi dalë për ta fituar këtë betejë me çdo çmim, o sot o kurrë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco