Incidenti në Kuvend/ Flutura Açka kthehet në yllin e mediave të Ramës

Incidenti në Kuvend/ Flutura Açka kthehet në yllin e mediave të Ramës

09:52, 20/01/2024
A+ Aa A-

Incidenti me kolegët e saj berishistë e ka shndërruar një deputete të Bashës në yllin e TV dhe portaleve pro-Rama.

Kryetarja e Komisionit të Mediave, Flutura Açka, ndonëse e dinte se kolegët e saj në opozitë kanë nisur prej tre muajsh një aksion destruktiv për prishjen e seancave parlamentare, njësoj siç bëjnë të gjithë rilindasit, tentoi të bëjë një mbledhje normale të komisionit të saj. Kjo tentativë e shtyu grupin me në krye Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën të shkëmbenin replika të forta dhe të arrinin deri aty sa t’i shkulnin mikrofonin dhe të bënin zhurmuesin, teksa ajo ishte duke drejtuar mbledhjen e komisionit. Kaq u desh që deputetja e Bashës, e cila e konsideroi këtë një formë terrori, të bëhet personazh i mediave të pushtetit.

Fillimisht flamurin e morën mediat e qerasë 1 euroshe, ato të drejtuara nga italo-shqiptari, Karlo Bolino. Menjëherë ato organizuan një emision të veçantë për ngjarjen me pjesëmarrjen e viktimës. Një nga titujt që nxorrën nga kjo bisedë ishte se bashkëshorti i kishtë thënë Açkës, se me këto sjellje ju nuk mund të hyni në Evropë. Gjatë emisionit e mori fjalën edhe Lorenc Vangjeli, i cili tha: “Politikanët shkojnë e vijnë, poetët mbeten”.

Fushata vijoi edhe tek Shqiptarja.com. Në një qëndrim redaksional aty shkruhej: “Ç’opozitë është një grup deputetësh që sulmon fizikisht një deputete po të opozitës si Flutura Açka, vetëm se ka vendosur të pranojë dialogun me shumicën duke shpresuar të arrihet një kompromis per reformën zgjedhore”?

Me një qëndrim të saj me emër doli edhe bashkëpronarja e këtyre mediave bashkëjetuese e Karlo Bolinos: “Një llogari që Flamur Noka duket se nuk di ta bëjë, është forca e një gruaje dhe e një nëne shqiptare, përtej politikës, përtej përkatësive, Flutura Açka është 1000 herë më e fortë se një Nokë. Forca e saj, për fat të keq të Nokës, është tek mjeshtëria e fjalës” shkroi ajo.

Ndonëse këto artikuj u shpërndanë si me një dorë të magjishme në të gjithë peisazhin mediatik rilindas, edhe mediat e veçanta pranë Ramës dhanë kontributin e tyre personal. Përpos nxjerrjes me tituj të mëdhenj të deklaratës së Lindita Nikollës për “kalimin e caqeve të dhunës verbale” dhe pompimit të zemërimit të grave deputete socialiste, martirizimi i Flutura Açkës vijoi për tre ditë me radhë.

Kështu në gazetën Tema u botua një opinion që nuk e shihte veprimin e deputetëve opozitarë në vazhdën e protestës tre mujore, por si një qëllim për heshtjen e zërave intelektualë: “Synimi është i qartë: për ta kompleksuar Açkën, por edhe të tjerët si ajo me teorinë e “bashkëpunimit”, si dhe për të sulmuar asetet që PD-ja kundër Berishës ka më shumë se foltorja".

Dritare.net ishte lodhur ca më shumë, kishte kaluar edhe oqeanin, për të intervistuar një pensionist në SHBA që e komentoi kështu këtë ngjarje: “Rasti i djeshëm është i turpshëm. Një dhunë skandaloze. Ky dhunim në vendin e punës, në ambientet e Parlamentit është një dhunë politike, dhunë mafioze të njerëzve që janë të zhveshur nga çdo ndjenjë humanitare, sjellje dhe respekti kundër zonjave”.

Po ashtu në të gjitha mediat e pushtetit u botua një status i Lapardhasë: “Sot s’kishte përplasje verbale, Açkën ishin gati ta merrnin me gjithë karrige e ta hidhnin tej. Sot nuk kishte përplasje fizike, me Açkën dhe Bakiun vetëm një fije i ndau nga një gjë e tillë. Ja, kjo është “opozita” e vërtetë. Me njëri-tjetrin të hanë kokat, ndërsa me Damianin dhe të tjerët “opozitarë, por vëllezër”.

Po ta lexoje ngjarjen nga martirizimi dhe hyjnizimi që i bënin mediat pro Ramës viktimës dhe mënyra si përshkruheshin deputetët Berishistë, të dukej sikur Flutura Açka ishte plagosur dhe kishte përfunduar në spital.

Këtë situatë e përshkroi në mënyrë satirike miku dhe kolegu i Açkës, Agron Gjekmarkaj: “E dashur Butterfly, faleminderit që shpëtove! Sepse ata ishin në rrezik të madh. E pashë lajmin nga larg dhe më erdhi një merak i fortë! Pyetja e parë që më erdhi në mendje… në cilin spital u shtrua, do të vija me vrap për solidaritet dhe thuajse kisha në gojë deklaratën e distancimit nga akti. Më thanë, jo, nuk është aq keq, u gëzova. Pastaj duke gjykuar nga zhurma e dhimbshme doja të dija se sa plagë mori ai duke mallkuar veten në çfarë vendi jetojmë!

Përsëri doja të shprehja mbështetjen time. Fatmirësisht më thanë që nuk ka marrë asnjë. Eh, faleminderit o Zot, thashë se do të lëndohesha shpirtërisht. Por përsëri diçka nuk më bindi. Statusi i zonjës presidente dje më shtoi xanxen, shkrimet e pafundme për dhunën e Gaz Bardhit dhe Mul Nokës….sot lotët e zonjës Etilde dhe Merite në emër të “aleancës së grave deputete”, protesta e dy femrave të Lulit, më dhanë të dridhura. Unë besoja se bota kishte ndryshuar.

Nuk e mbajta dot veten, hyra në YouTube… me zemër të thyer. Dyshimi se nuk u njohëm me dy përbindëshat që përdhunojnë gratë, Gazi dhe Muli, po më gërryente! Kërkova sa munda: pashë tension politik, fjalë të nxehta në ajër. Dëgjova Gazin duke thënë aty-këtu, pashë Mulin që kapi vetëm një mikrofon….dhe ende fjalë e vetëm fjalë. Fatkeqësisht jemi në këtë realitet të krijuar nga ata që po ju mbrojnë me një patos të tillë”, shkroi ai.

Por ajo që ka çuditur Gjekmarkajn, për ta shpënë deri në një përshkrim sarkastik, nuk i ka bërë të lëkunden propagandistët e pushtetit. Dhe këmbëngulja e tyre e ka një shpjegim. Flutura Açka është zotuar ta mbledhë sërish komisionin e saj parlamentar, duke shitur fabulën e stabilitetit dhe normalitetit, kundër mbi 50 deputetëve opozitarë, që po protestojnë për ta grisur këtë fasadë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco