Fjalët që vrasin regjimet

Fjalët që vrasin regjimet

13:35, 26/12/2023
A+ Aa A-

Nga Grigels Muçollari/

Shqipëria mbetet vendi i sloganëve dhe i kongreseve pompoze. Partia pushtetplotë zgjodhi sloganin e regjimit komunist të Gjermanisë Lindore, vendit ku "shkelësit" e kufirit merrnin plumb dhe ku ende sot kjo pjesë e Gjermanisë nuk kap dot ritmet e zhvillimit të Perëndimit. "Gjithmonë përpara, kurrë prapa", thonte Erich Honecker, ish kryetar i Këshillit Shtetëror të Gjermanisë Lindore, i cili e drejtoi atë vend nga viti 1971 deri në rënien e Murit të Berlinit.

Po shoqëria jonë çfarë aspiron, Lindjen apo Perëndimin? Kujt i ngjet sot Shqipëria, Gjermanisë apo Turqisë? Austrisë apo Rusisë?

Një vit e gjysmë larg zgjedhjeve të përgjithshme, lideri i opozitës, i cili ka qenë vokal për çdo aferë e skandal të qeverisë 10-vjeçare Rama, po sulmohet familjarisht nga të gjitha pushtetet, ekzekutivi, legjislativi, gjyqësori dhe mediat. Shërbimit të tij prej opozitari pa kompromis i besojnë qindra mijëra zgjedhës.

Syresh kemi të bëjmë me një betejë të pabarabartë midis pushteteve dhe fjalës së lirë. Them fjala e lirë sepse është e vetmja fuqi që ka opozita. Po kur duan t'ia heqin dhe atë, atëherë çdokush me dy fije mend në kokë do të mendonte se këtu nuk flitet për të mbyllur vetëm një gojë.

Për herë të parë në historinë e politikëbërjes, një deputet de jure i "opozitës" (Lulzim Basha) kërkon burg për deputetët që nuk sigurojnë dot prova kundër qeverisë. Po ku mund t'i gjesh provat për kompanitë off shore, që strehohen ishujve të globit pikërisht për të fshehur provat? Ku mund t'i gjejë provat një disident nën një regjim që burgos liderin e opozitës, që blen mediat, kontrollon gjykatat dhe infrastrukturën zgjedhore?

Ky është një shërbim i radhës i Lulit të vocërr të politikës, që me vocërrakun e Migjenit s'ka të ngjarë. Po nuk mjaftohet vetëm me kaq.

Pas burgut duhet edhe internim. Deputeti nuk mund të ushtrojë funksione publike për ca kohë, sa të ripranohet në gjirin e shoqërisë moniste. E pra, kjo lojë me shumë pushtete nuk bëhet për të mbyllur një gojë, po për të zaptuar të vetmen hapësirë lirie që ende kemi, foltoren e Kuvendit, sinonimin e fjalës së lirë. Mund ta rrethojnë me tela me gjemba, mund ta bëjnë gropë për pallat, mund ta heqin fare sepse nuk u duhet. Qeverisë i mjaftojnë kartonat e deputetëve të saj dhe të bishtit opozitar prej Luli. I ngrenë, i ulin dhe ikin të shplodhen.

Çfarë është më keq për një shoqëri se kriminalizimi i fjalës së lirë? Unë besoj se ka edhe më keq. Të zgjedhësh të mos flasësh, të heshtësh, të jetosh me frikën se e vërteta nuk bën punë.

Pusho, qepe, mbylle! Këto do u themi më të rinjve kur duan të rebelohen ndaj padrejtësive në jetë? Fjala e lirë duhet të mbrohet e të inkurajohet. Ajo e vret regjimin me kumbimin e saj.

Asnjë vend i botës nuk e fitoi lirinë e tij duke heshtur. Asnjë diktaturë nuk ka rënë nga heshtja dhe pranimi. Prandaj reagoni! Fëmijët shqiptarë nuk meritojnë të rriten pa fjalën e lirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco