Propozimet e PL për tarifat vendore, Caka: Kanë qëllim lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset në Tiranë

Propozimet e PL për tarifat vendore, Caka: Kanë qëllim lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset në Tiranë

14:43, 20/12/2023
A+ Aa A-

Në një deklaratë për mediat Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka ka paraqitur propozimet për taksat dhe tarifat vendore të bëra nga këshilltarët lokalë të PL.

Sipas saj këto propozime kanë vetëm një qëllim, atë të lehtësimit të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset në Tiranë.

Deklarata e plotë e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka

Të nderuar qytetarë,

Dje në Konferencën Kombëtare të të Zgjedhurve Vendorë të Partisë së Lirisë në të gjithë vendin, këshilltarët në Bashkinë e Tiranës prezantuan një paketë propozimesh për buxhetin e kësaj bashkie për vitin 2024.

Nga kjo Konferencë e Këshilltarëve, do doja të risillja në vëmendjen tuaj paketën e jashtëzakonshme të propozimeve për taksat dhe tarifat vendore, të cilat kanë vetëm një qëllim, atë të lehtësimit të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset në Tiranë.

Që prej vitit 2015, që Erion Veliaj drejton Bashkinë e Tiranës, taksat dhe tarifat vendore kanë njohur vetëm shtim në lloje të ndryshme dhe rritje kolosale të masës së pagesës së tyre, duke u kthyer në një tmerr për qytetarët dhe bizneset, të cilët çdo vit paguajnë nga një taksë të re të vendosur nga Erion Veliaj.

Mirëpo pavarësisht shtimit të llojeve të taksave e tarifave dhe rritjes së vlerës së tyre, kjo nuk është përkthyer as në shërbime më të mira për qytetarët e bizneset dhe ç’është më e rëndësishme, Bashkia ka ceduar rëndë në mbledhjen e këtyre taksave, duke patur një performancë jashtëzakonisht të ulët, që tregon evazion fiskal të jashtëzakonshëm dhe klientelizëm, ku taksat dhe tarifat vendore nuk paguhen nga miqtë e Erion Veliajt.

Për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve të ndershme, Partia e Lirisë ka 11 propozime për taksat dhe tarifat vendore, të cilat janë:

1.    Anulimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për zonat malore;

2.    Anulimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet që legalizohen;

3.    Anulimi i taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore;

4.    Anulimi i kontributit të subjekteve private me fondin social në lekë, duke kaluar në kontribut me m2 në objekt;

5.    Ulja me 50% të nivelit të taksës së tabelës për efekt reklamimi në formën elektronike;

6.    Ulja e nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 8% që është aktualisht, në 2 deri 4% të vlerës së investimit;

7.    Përgjysmimi i tarifës së pastrimit për bizneset;

8.    Reduktim i tarifës për marrjen e një leje punimi, nga 1% të investimit për leje ndërtimi që është aktualisht, në 0.5% të investimit, si dhe nga 10 lekë/m2 për leje zhvillimi që është aktualisht, në 5 lekë/m2;

9.    Reduktim i tarifës për zënien e hapësirave publike, nga 200 – 1500 lekë/m2 që është aktualisht, në 100 – 750 lekë/m2;

10.  Ulje me 50% të tarifës së parkimit publik;

11. Reduktim të çmimit aktual të ujit për abonentët familjarë, nga 65 lekë/m3, në 45 lekë/m3.

Këshilltarët e Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës janë të bindur se të gjitha këto propozime do të kenë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe bizneset në kryeqytet dhe beteja jonë nuk do të ndalet në asnjë moment për lehtësimin e jetesës së tyre dhe marrjen e shërbimeve më të mira.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco