Serbët e Malit të Zi, votë dërrmuese për Vuçiç! Ndërkombëtarët të shqetësuar

Serbët e Malit të Zi, votë dërrmuese për Vuçiç! Ndërkombëtarët të shqetësuar

13:39, 20/12/2023
A+ Aa A-

Serbët e Malit të Zi votuan masivisht në favor të partisë SNS të Aleksandër Vuçiçit, me përjashtim të Herceg Novi, ku zgjedhësit mbështetën aleancën opozitare “Serbia kundër dhunës”.

Në katër qendrat e votimit në Mal të Zi, ku qytetarët e Serbisë kishin të drejtën e votimit si pjesë e zgjedhjeve të së dielës në atë vend, Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiçit dominoi tre prej tyre. Njoftimi vjen në kohën kur brenda kufijve, triumfi i thellë i forcës politike te kreut të shtetit ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe akuza për parregullsi në zgjedhje, si nga opozita serbe, ashtu edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Mijëra vetë u mblodhën edhe mbrëmjen e djeshme përpara godinës së Komisionit qendror zgjedhor me thirrje kundër qeverisë. Tubimit iu bashkuan edhe shumë studentë.

“Jam këtu sonte për të shprehur zemërimin tim për mashtrimet me votën, jo vetëm në Beograd por në të gjithë Serbinë”, u shpreh Marko Radicevic.

Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri më herët edhe ai thirrje autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.

“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga OSBE-ja dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, është e papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë,” deklaroi zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller. Sipas tij, Departamenti ka nisur t`i shqyrtojë edhe vetë përfundimet paraprake të misionit vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet në Serbi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco