Vëllai i Belerit sulmon Ramën në mediat greke: Deputetë e ministra të tij kanë përfituar prona në Himarë

Vëllai i Belerit sulmon Ramën në mediat greke: Deputetë e ministra të tij kanë përfituar prona në Himarë

20:45, 13/12/2023
A+ Aa A-

Akujt nuk kanë shkrirë ende në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Greqisë, me çështjen Beleri që mban të tensionuar raportin dhe shtyn Athinën zyrtare të këmbëngul për veto në procesin e integrimit europian të Tiranës.

Teksa kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës iu refuzua ditën e djeshme kërkesa për t’u betuar, për mediat helene ka folur vëllai i Belerit, i cili nuk ka kursyer sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama.

GJKKO arsyetoi në vendimin e saj se nuk ka një dispozitë ligjore që mund ta lejojë Belerin që të betohet, edhe pse më 14 maj ai e fitoi bashkinë Himarë, por për Leonardo Belerin ky është një gjyq politik që i bëhet vëllait të tij.

“Tashmë është e qartë se po flasim për një gjyq politik, për një lojë të montuar që në fillim. Është e qartë se Shqipëria nuk dëshiron të humbasë bashkinë e Himarës”, tha ai për ERT News.

I pyetur nëse do të apelojnë sërish pas rrëzimit të kërkesës për betimin si kryetar bashkie, ai ka deklaruar: “Do ta diskutojmë me avokatët tanë. Në fakt, ka qenë vendimi i parë i gjykatës që kemi në dorë, i cili ka qenë negativ për betimin”.

“Brenda 10 ditëve do të duhet të bëjmë ankim dhe do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar çështjen për dhënien e të drejtës për betim”, ka shtuar Leonardo Beleri.

Më tej ai ka hedhur akuza në drejtim të mazhorancës së majtë, duke thënë se ministra dhe deputetë të Ramës kanë përfituar prona në Himarë, duke falsifikuar dokumente.

“Problemi është se bashkia e Himarës nuk ndërron dorë. Gjatë gjithë qeverisjes së bashkisë në 12 vitet e fundit, ka pasur keqbërje të mëdha dhe cenime të mëdha në parcelat dhe tokat e Himarës. Ka shumë ministra dhe deputetë të partisë së zotit Rama, të cilët papritmas janë bërë me prona aty. Këto prona nuk janë as të trashëguara nga dikush, por janë përfituar me falsifikime.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco