Këshilli del me kërkesë urgjente: Nuk ka përparim drejt BE-së nëse Kosova dhe Serbia nuk zbatojnë 'Ohrin'

Këshilli del me kërkesë urgjente: Nuk ka përparim drejt BE-së nëse Kosova dhe Serbia nuk zbatojnë 'Ohrin'

16:57, 13/12/2023
A+ Aa A-

Pavarësisht arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Serbia dhe Kosova kanë ngecur në çështjen e implementimit. Në planin e sekuencimit, Beogradi zyrtar po kërkon që Kosova të nis me implementimin e Asociacionit, ndërkohë që Kosova ka insistuar në implementim të përshkallëzuar të Asociacionit, në ndërkohë që Serbia zbaton obligimet nga Marrëveshja e Ohrit paralelisht me secilën fazë të themelimit të Asociacionit dhe obligimeve të tjera që dalin nga Ohri.

Gazeta Express

Megjithatë asnjëra palë s’është pajtuar me propozimin e palës tjetër, ndërkohë që Brukseli ka bërë thirrje për implementim paralel, ku njëra palë bën diçka e pala tjetër diçka tjetër.

Emisari i BE’së Miroslav Lajcak  dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, kanë thënë se ka përparim dhe se janë ngushtuar dallimet, megjithatë s’ka ende ndonjë lëvizje përpara.

Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, Aneksit të Implementimit dhe marrëveshjeve nga dialogu i kaluar janë bërë kushte për Kosovën dhe Serbinë edhe sa i përket “Planit të Rritjes” së Komisionit Evropian, plan që do të bëjë ndarjen e 6 miliardë eurove për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për t’i afruar me BE-në.

Përveç planit të rritjes, implementimi dhe zbatimi i Marrëveshje Bazike dhe Aneksit të Implementimit do të përfshihen si kushtëzime edhe në rrugën e anëtarësimit për të dy shtetet, Kosovën dhe Serbinë.

Në mbledhjen e mbajtur të martën të Këshillit të Bashkimit Evropian është kërkuar që Josep Borell të përditësojë  agjendën e Grupit të Ardhshëm Special të BE-së për normalizim, për të pasqyruar detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit.

“Këshilli i kërkon Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor që të përditësojë agjendën e Grupit të ardhshëm Special të Kosovës për Normalizimin, për të pasqyruar detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i saj Zbatues”, thuhet në dokument.

Në konkluza gjithashtu tregojnë pritjet që kanë nga Kosova sa i përket zbatimi të marrëveshjeve dhe paralajmërojnë së në rast të mungesës së progresit, Kosova dhe Serbia rrezikojnë të humbasin shumë.

“Kosova të angazhohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe acquis të BE-së pa vonesa të mëtejshme. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kryesore të pazgjidhura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i angazhimeve të tyre në dialog janë kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në dokument.

Në mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Evropian është kërkuar gjithashtu që në mënyrë urgjente që Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, të paraqesin në Këshill, para janarit 2024, amandamentet për Kapitullin e 35-të për të reflektuar obligimet e Serbisë që dalin nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Implementimit.

“Këshilli i kërkon Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë që urgjentisht t’i propozojnë Këshillit, përpara fundit të janarit 2024, ndryshimet në standardet e kapitullit 35 të negociatave të pranimit të Serbisë për të pasqyruar detyrimet e Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i saj Zbatues.”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Këshilli Evropian ku janë miratuar konkluzat për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Këshilli e ka bërë të qartë se progresi i Serbisë në sundimin e ligjit dhe në raportet me Kosovën do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësim në BE.

Pas takimit të ministrave, liderët e BE’së sot do të mbajnë samit me kolegët e tyre  nga Ballkani Perëndimor, ndërkohë që ata do të miratojnë edhe këto konkluza. Nga Kosova, në Bruksel, po merr pjesë Presidentja Osmani./GazetaExpress/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco