Protesta e opozitës tregoi se Rama e përdor Kuvendin vetëm për noterizim

Protesta e opozitës tregoi se Rama e përdor Kuvendin vetëm për noterizim

09:53, 05/12/2023
A+ Aa A-

Një orë mësimi e Lindita Nikollës, kur ishte mësuese gjimnazi, zgjaste më shumë se një seancë parlamentare në këtë fundviti.

Vendimi i opozitës për të mos pranuar më refuzimin e komisioneve hetimore, ka nxjerrë zbuluar faktin se mazhoranca e përdor Kuvendin thjesht për noterizimin e ligjeve që ka përgatitur vetë. Gjatë muajit nëntor, janë zhvilluar 4 seanca, më e gjata prej tyre ishte 22 minuta.

Në seancën e datës 2 nëntor, socialistët u përpoqën të zhvillojnë një seancë sa më normale. Mes tymit dhe rrëmujës, ministri i Financave lexoi një fjalim të shkurtër për buxhetin dhe Lindita Nikolla kaloi menjëherë në votim.

Opozita kishte bllokuar foltoren me grumbullin e karrigeve, ndërsa Ervin Salianji ndezi një flakadan për të krijuar kaos. Socialistët votuan në këmbë, sepse nuk gjenin karriget e tyre. Ndërsa deputetët e opozitës grindeshin me gardën në përpjekje për të penguar zhvillimin e seancës normale.

Edhe në seancën e datës 9 nëntor situata ishte e njëjtë. Lindita Nikolla e nisi me përjashtimin e Saimir Korreshit nga parlamenti, ndërsa vazhdonte me kokëfortësi të lexonte projektligjet për t'u miratuar. Në sallë, deputetët e opozitës shtyheshin me gardistët ndërsa grumbulli i karrigeve qëndronte para foltores së parlamentit. Salla u mbush shpejt me tym, ndërsa socialistët vazhdonin me fjalimet. Në atë seancë u rrëzuan 6 projekligje të propozuara nga opozita, ndërsa ministri i Brendshëm, Balla kërcënoi me ndjekje penale deputetët që pengonin seancat.

Në seancën e datës 20 nëntor, si rrallëherë ishte në parlament edhe kryeministri Edi Rama. Prania e tij në sallë ndryshon gjithçka. Nikolla është e telekomanduar nga sinjalet që lëshon Rama, ndërsa opozita bëhet më agresive. Prandaj seanca zgjati fare pak minuta, edhe pse po miratohej në parim ligji më i rëndësishëm i vitit, që është buxheti i vitit 2024 dhe ndryshimi i paketës fiskale. “Ç’keni, pse nuk doni të flasim për rritjen e pagave”, iu drejtua Nikolla deputetëve të opozitës. “Z.Noka je i përjashtuar”, vazhdoi ajo kur pa Flamur Nokën që ndizte flakadanët në mes të sallës. Ndërsa tymi nisi të mbuloje sallën, Nikolla kaloi në votim buxhetin dhe kaq ishte. Socialistët ngritën kartonat, ndërsa demokratët mbanin ngritur flakadanët. Në seancën e shkuar, karrigia e Lulzim Bashës në parlament mori flakë, një pamje që qarkulloi në disa nga mediat më të mëdha të botës. 

Grumbulli i karrigeve ishte vendosur si zakonisht para foltores së Kuvendit, ndërsa Flamur Noka nisi t’i vërë flakën rregullores së Kuvendit me çakmak. Këtë të hënë ishte planifikuar të diskutohej për problemet e elektoratit, por deputetët e opozitës ndezën flakadanët dhe salla e Kuvendit u mbush shpejt nga tymi. Herë pas here gardistët zgjasin duart për ti rrëmbyer flakadanët deputetëve të opozitës, ndërsa shërbejnë edhe si barrikadë e socialistëve.

“E nisim me këtë situatë kaotike, në këtë situatë të turpshme ku tentohet të futet puna e Kuvendit. Por ju nuk mund ta minoni punën e Kuvendit”, u tha kryetarja e Kuvendit deputetëve të opozitës.

Vërejtjet e Nikollës, që i drejtohet deputetëve të opozitës me të njëtin ton irritues që u flitet nxënësve të padisiplinuar nuk pinë më ujë. Seanca nuk zgjati më shumë se 15 minuta. Disa fjalime mes zhurmës, një përjashtim i shpejtë i Flamur Nokës dhe deputetët u shpërndanë. Kryetari i grupit parlamentar, Bledi Çuçi u tërhoq nga fjala për ta mbyllur sa më shpejt seancën dhe për të mos ofruar më skena të kaosit për publikun.

Po të llogaritet edhe që ligjet diskutohen online, ndonjëherë edhe nga makina, mund të thuhet se parlamentarizmi ka marrë fund. Në mandatin e tretë, socialistët nuk i shqetëson fakti se ligjet po kalojnë në një situatë kaotike ku askush nuk merr vesh asgjë. E rëndësishme është që pamjet e kaosit të mos shfaqen në ndonjë media të huaj, që të prishë imazhin e Shqipërisë së 10 milion turistëve./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco