Sqarimi i Berishës: Investigimi i Zërit të Amerikës për kompleksin ‘Partizani’ kishte dy pasaktësi

Sqarimi i Berishës: Investigimi i Zërit të Amerikës për kompleksin ‘Partizani’ kishte dy pasaktësi

12:52, 01/12/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka saktësuar dy momente lidhur me një hulumtim të bërë nga "Zëri i Amerikës" lidhur me çështjen e Klubit Sportiv Partizani, për të cilën SPAK mori masa sigurie ndaj Berishës si ish-kryeministër i asaj kohe dhe ndaj Jamarbër Malltezit, dhëndrit të tij, si pronar i një pjese të truallit.

Berisha, gjatë konferencës së shtypit sot, tha "E lexova me interes shkrimin e Zërit të Amerikës dhe e përgëzoj autorin që është përpjekur të bëjë një analizë të ekuilibruar. Por, ka dy pasaktësi, nuk besoj të qëllimshme.

Pasaktësia e parë: Është e vërtetë ajo që thotë gazetari se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që shprehet në mënyrë taksative se nuk mund të ndryshohet asnjë vendim nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit është marrë një muaj mbrapa.

Por, Sali Berisha është njeri i ligjit. Kur unë ndërhyra te Zogu i Zi, dekretova aktin normativ. Shfrytëzova kompetencën kushtetuese të qeverisë për akte normative se unë nuk kisha të drejtë të ndërhyjë. Dhe unë autorizova qeverinë të ndërhynë. Prefekti që është në territorin përkatës, kishte të drejtë të mbledhë Këshillin e Rregullimit dhe të anulojë vendime. Kjo është e vërteta!

Ky dekret u shpall i pavlefshëm. Nuk u anulua. Por për mua ishte njëlloj. Unë nuk kisha asnjë bazë ligjore që unë personalisht të ndërhyja në bashki. Që të bëja dekret për së dyti, ajo ishte një karshillëk, një përplasje institucionale që nuk duhet ta ndërmerrja. Aq më tepër kur këtu erdhi kryetari i Kongresit të Autoriteve Rajonale dhe Lokale të Europës dhe ai qëndroi në krahun e Edi Ramës. Pra, në momentin kur unë deklaroj se nuk kisha, unë nuk e kisha më ligjin që më lejonte mua të veproja, sepse gjykata e kishte anuluar atë dhjetë ditë përpara.

E dyta, ka një moment të dytë te ndryshimi i Ligjit për Sportin. Ligjet kanë hierarkinë e tyre dhe në çështje të pronësisë, prevalon ligji bazë i kthimit dhe kompensimit të pronës.

Tani keni këtu Ligjin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 2004. Në nenin 7, janë pronat që nuk kthehen dhe rreshtohen këtu të gjitha llojet e pronave publike dhe shtetërore që nuk kthehen.  Por neni 2 thotë se në rast se pronat e paluajtshme që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohet të tjetërsohet, pra të ndryshojë pronar, ato i kalojnë subjekteve të shpronësuara.

Është ky nen që i jep çdo pronari, çdo pronë e cila vendoset në proces tjetërsimi, qoftë koncesion, qoftë privatizim të çfarëdo lloji tjetër. Asnjë ligj nuk mund të prevalojë mbi këtë ligj.

E vërteta është se është ky ligj i vitit 2004, që ka shërbyer si bazë për qeverinë time. 

Le ta marrim Ligjin e Sportit, të supozojmë se Ligji i Sportit nuk e përmendte fare pronarin. Mjafton që përmendte koncesionin dhe koncesion ishte tjetërsim dhe ky i kalonte automatikisht të shpronësuarit.

Ligji për Sportin, atë klauzolë që vura në vitin 2008, ishte që me kusht që të ruhet destinacioni.

Gazetari i Zërit të Amerikës citon Erion Braçen, ndonëse e them se ai ligj ishte miratuar me unanimitet nga të gjithë komisionet, sepse një vit më parë ishte hequr farë privatizimi për arsye të panjohura, dhe në komisionin e parlamentit ai ligj u miratua me unanimitet.

Por, Erion Braçe që bën objeksionin, nëse e lexoni me vëmendje, fjalinë e parë të ligjit e mbyll me pikë. Fjalia e parë e ligjit nuk mbyllet me pikë, ndahet me presje dhe ky është dallimi esencial.

Nëse donte të veçonte pronarin, ligjvënësi do të thoshte: për këtë rastin e fundit, pra për koncesionin, me kusht që të mos ndryshojë destinacioni. Por kjo është thënë për të dyja. 

Në tërësi ai artikull kishte bërë një investigim të plotë, përveçse i ka shpëtuar ky moment."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco