Lajmi i fundit

VIDEO/ Veliajn e presin me protesta në SPAK: O hajdut, o hajdut!

Pallati i shkrumbuar në Tiranë/ Blushi-Veliajt: 23 familje ende pa përgjigje, doni t’i kompesoni me lëmoshë

Pallati i shkrumbuar në Tiranë/ Blushi-Veliajt: 23 familje ende pa përgjigje, doni t’i kompesoni me lëmoshë

17:37, 24/11/2023
A+ Aa A-

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me djegien e pallatit në Tiranë dy muaj më parë.

Në postimin e tij në Facebook, Blushi thekson se 23 familje protestojnë para Bashkisë së Tiranës dhe s’kanë marrë asnjë përgjigje. Mes të tjerash ai thekson se përpjekjet për t’i kompensuar me lëmoshë nuk janë zgjidhje.

Ndërkohë, Partia e Lirisë ka dorëzuar dhe një kërkesë për informacion pranë Bashkisë së Tiranës.

Postimi i plotë:

Dy muaj nga shkrumbimi i pallatit 10 katësh në rrugën “Muhedin Llagami”, Njësia Administrative Nr.7 në Tiranë, 23 familjet që kanë mbetur në qiell të hapur ende nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete.

Prej javësh ata protestojnë para Bashkisë Tiranë në pritje për t’u informuar nëse ekziston një projekt rikonstruktimi, deri në ç’fazë janë punimet dhe kur do të mund të futen në banesat e tyre. Por asnjë përgjigje!

Nisur nga fakti i papranueshëm se Bashkia e Tiranës u ka kthyer krahët dhe kërkesat plotësisht legjitime të banorëve kanë rënë në vesh të shurdhët, ju drejtova sot zyrtarisht Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj për të dhënë urgjentisht llogari.

Në veçanti edhe për masat që janë marrë për të parandaluar të tilla tragjedi në të ardhmen, duke patur parasysh se mijëra nga pallatet e ndërtuara pa kriter në kryeqytet nuk monitorohen nga strukturat përgjegjëse të emergjencave civile dhe shërbimi zjarrfikës në varësi të Bashkisë.

Përpjekjet për t’i kompensuar me lëmoshë nuk janë zgjidhje!

Qytetarët e Tiranës, që paguajnë rregullisht taksat dhe që po vuajnë nga fatkeqësitë, që më së shumti shkaktohen për shkak të keqadministrimit, korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së Bashkisë, meritojnë sa më parë trajtim dhe shërbime dinjitoze.

I falenderoj përfaqësuesit e 23 familjeve për besimin e treguar duke ndarë me mua shqetësimin e tyre dhe në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me shumë përulësi, do të bëj gjithçka për të zgjidhur hallin e tyre.

LËNDA: KËRKESË PËR INFORMACION

DREJTUAR: Erion VELIAJ

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

PËR DIJENI: Znj. Romina KUKO

Kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës

Të nderuar,

Në mbështetje të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nisur nga shqetësimi i drejtë i shprehur publikisht nga përfaqësuesit e 23 familjeve, banorë të pallatin Nr.4 në rrugën “Muhedin Llagami”, Njësia Administrative Nr.7 të dëmtuar totalisht nga rënia e zjarrit në datën 14.09.2023, kërkoj nga ana juaj të më vendoset në dispozicion informacioni, si më poshtë vijon:

1. A ka një projekt për rikonstruksionin e këtij pallati dhe nëse po kur del ky projekt dhe çfarë zërash mbulon?

2. Cili autoritet është përgjegjës për rikonstruksionin e pallatit të djegur totalisht dhe rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme?

3. Cili autoritet do të ndjekë punimet dhe në çfarë gjendje do ta dorëzojë pallatin? Ju lutem të më vendosni në dispozicion afatin e saktë kohor të planifikuar.

4. Kur do të jetë plotësisht funksional dhe i banueshëm pallati i djegur totalisht?

5. Çfarë hapash u ndoqën nga administratori i Njësisë Administrative Nr.7 në përputhje me kërkesat e qytetarëve për dëmet e shkaktuara?

6. Kërkoj vënien të dispozicion të procesverbalit të konstatimit nga ana e administratorit të Njësisë Administrative Nr.7.

7. Kërkoj vënien në dispozion të dokumentacionit të plotë tekniko-ligjor të hartuar nga strukturat në varësi të Bashkisë së Tiranës lidhur me shkaqet e rënies së zjarrit dhe dëmet e shkaktuara për qytetarët e dëmtuar.

8. Çfarë masash ka marrë Bashkia e Tiranës për strehimin e këtyre banorëve?

9. Kërkoj vënien në dispozicion të lejes së miratuar për ndërtimin e pallatit dhe a është monitoruar zbatimi i saj nga strukturat në varësi të Bashkisë së Tiranës.

10. Çfarë masash ka marrë Bashkia e Tiranës për parandalimin e rasteve       të ngjashme në të ardhmen me pasoja shumë të rënda?

11. A keni bërë një vlerësim të pallateve që nuk kanë masat e duhura për të parandaluar përhapjen e zjarrit në këto përmasa?

Mbetem në pritje të përgjigjes nga ana Juaj, brenda afatit ligjor të parashikuar nga ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Me respekt,

Tedi BLUSHI        

ANËTAR I KËSHILLIT BASHKIAK TË TIRANËS, PARTIA E LIRISË

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco