Departamenti i Çështjeve Sociale/ Kastriot Sulka: Ky buxhet nuk rrit mirëqenien e popullsisë

Departamenti i Çështjeve Sociale/ Kastriot Sulka: Ky buxhet nuk rrit mirëqenien e popullsisë

18:31, 22/11/2023
A+ Aa A-

Drejtuesi i Departamentit të Çështjeve Sociale, Kastriot Sulka ka folur në takimin e ekspertëve dhe drejtuesve demokratë, me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për të diskutuar buxhetin 2024 të miratuar nga mazhoranca socialiste në vetëm 4 minuta.

Në fjalën e tij, Sulka ka theksuar se ky buxhet nuk rrit mirëqënien e shqiptarëve.

Sulka: Buxheti më i madh nuk do të thotë asgjë sepse çdo buxhet është më i madh se i vitit të mëparshëm. Që kur janë krijuar Vlerësimet e Impaktit të Programeve të Shpenzimeve Publike kjo fabula ‘kemi alokuar më shumë fonde për këtë apo atë program’ nuk vlen, pasi duhet të vlerësohet impakti i investimit, ndikimi që ka pasur në shoqëri. Edhe në kohën e Haxhi Qamilit, barinjtë e shtonin kopenë e deleve, megjithëse nuk kishte qeveri.

Së dyti, kujt i hyn në punë një buxhet i cili nuk rrit mirëqenien e popullsisë së tij dhe për më tepër, nuk rrit nivelin e jetesës së shtresave më të marxhinalizuara të shoqërisë, por kujdeset për të rritur pagat e nëpunësve dhe të aktivistëve politikë në administratën publike.

Nga ky buxhet nuk rritet pensioni i pensionistëve. Nëse indeksimi është parashikuar të jetë i njëjtë, kjo do të thotë që një pensionist që ishte në mjerim dhe në mungesë serioze të medikamenteve dhe ushqimeve të nevojës bazike gjatë vitit 2023, do të vazhdojë të jetë në të njëjtën gjendje, pra do të marrë aq produkte, ushqime dhe shërbime sa merrte edhe më parë. ‘Buxheti më i madh’ nuk ndikon në xhepin dhe tavolinën e pensionistit. 

Pensionet mesatare urbane janë 17350 lekë në muaj dhe ato rurale janë 10349 lekë në muaj, dhe po të marim në konsideratë se minimumi jetik i shpallur nga Avokati i Popullit është rreth 18000 lekë, kjo kategori (pensionistët) bie nën nivelin e varfërisë ekstreme. Të moshuarit nuk janë e ardhmja jonë por padyshim janë brenga jonë. 

Në këtë pikë vlen të përmendet që nuk duhet të rishikohet vetëm projekt buxheti për 2024, por edhe gjithë politika për skemën e pensioneve, dhe kjo është pranuar tashmë edhe Guvernatori dhe nga Ministri i Financave, megjithëse jemi me shumë vonesë.

Nga ky buxhet ulet bonusi për pensionistët, nga 5 mijë lekë në afërsisht 4.5 mijë lekë, në kuptim të aftësisë blerëse. Nëse bonusi i fundvitit, apo gjeli i vitit i të ri, nuk indeksohet në të njëjtën masë që është edhe indeksi i çmimeve për produktet e shportës që konsumojnë pensionistët pra me të paktën 8.6%, do të thotë që ata do të konsumojnë më pak për vit të ri, dhe po të merret parasysh që çmimet e produkteve në fundviti, rriten shumë më tepër se sa mesatarja e vitit, ndikimi negativ tek ky grup i popullsisë është shumë më i madh. Me pak fjalë vlera e produkteve që do të marrin me bonusin në fund të vitit do të jetë e afërsisht e barabartë me 4 mijë lekë. 

Nga ky buxhet ulet mbështetja për familjet në Ndihmë Ekonomike pasi kjo kategori e personave duke mos u indeksuar pra duke mos shtuar të ardhurat për këto familje dhe persona në nevojë do të konsumojnë më pak. Indeksimi për pagesën e ndihmës ekonomike duhet të jetë i njëjtë me atë të pensionisteve pasi edhe shporta e konsumit të tyre është pothuajse e njëjtë, pra me produktet më bazike duke shtuar shpenzime shkollore për fëmijët. Në relacionin përkatës janë parashikuar ulja e numrit të përfituesve së ndihmës ekonomike bazuar në argumentimin që do të punësohen nga ndërmarrjet sociale dhe të tjera aktivitete ekonomike, gjë që nuk mbështetet nga fondet për aktivitetin e ndërmarrjeve sociale. 

Përfitimi i pagesës së papunësisë së papunësisë, në pamje të parë duket sikur do të ketë një rritje, pasi është i lidhur me pagën minimale (sa 50% e pagës minimale) por edhe kjo pagesë sikurse edhe pagesat e tjera të skemave të mbështetjes (ndonëse kjo është pagesë e mbështetur nga skema e sigurimeve shoqërore) është shumë e ulët. Edhe kjo pagesë (16330 lekë/muaj) bie nën minimumin jetik dhe po të kihet parasysh që personat përfitues zakonisht janë edhe kryefamiljarë, domosdoshmëria për rritjen e kësaj pagese dhe fondit përkatës në projekti buxhetin për vitin 2024 është imediate. 

Nga ky buxhet ulet pagesa për paaftësinë e kufizuar, për të njëjtat arsye dhe argumente që sqaruam kur folëm për pagesat e pensioneve apo të ndihmës ekonomike, por ndaj këtyre duhet të shtohet edhe fakti që kjo kategori ka nevoja edhe për shërbime dhe paketa ndihme shtesë. 

Përsa i përket programeve të nxitjes së punësimit dhe të arsimit profesional vihet re që buxheti parashikon mbështetjen në nga ndihma e huaj ku Fondi për Garancinë Rinore (financim nga BE) do te jetë edhe shtylla kryesore, por sikurse edhe e thamë në krye te herës, ky program është tipik ku zëri për rritjen e pagave është pothuajse më shumë se gjysma e fondit dhe më konkretisht për arsimin profesional kemi një total prej 3.53 miliard lekë të parashikuara dhe fondi për pagat është 1.8 miliard lekë. 

Duke parë disa prej programeve të buxhetit, nuk duhet të largohemi nga panorama më e gjerë e cila është ajo që lidhet me tregun e punës. Çdo neglizhencë në pagesa (pagesa e papunësisë apo pagat e punonjësve) do të vazhdojnë të ushqejnë hemorragjinë e fuqisë punëtore e cila ka efekte ekonomike shumë negative duke u kthyer në shqetësimin kryesor të biznesit, por edhe për buxhetin pasi do të kërkohet gjithmonë e më shumë subvencionim direkt për skemën e pensioneve. Po ashtu, megjithëse nuk është trajtuar me vëmendjen e duhur, një arsye kryesore për largimin e fuqisë punëtore është edhe pamundësia e të rinjve për të mbështetur prindërit apo njerëzit e afërm që përballin varfërinë (familjet në ndihmë ekonomike apo ato që janë të paaftë). Pra rritja e mbështetjes për kategoritë e mësipërme do të duhet të shikohet edhe e lidhur me ndikimin që ka në largimin e njerëzve nga Shqipëria. 

Si përfundim do të sugjeroja që të rritet fondi për pensionet dhe bonusin e fundvitit për pensionistët me dyfishin e nivelit të inflacionit për shportën e produkteve/shërbimeve për pensionistët, pra në masën 19%, në mënyrë që të ketë një rritje reale.

Po ashtu duke pasur parasysh nivelin e minimumit jetik në vend i cili është rreth 200Euro/person sugjerojmë që të kemi një rritje të fondit për ndihmën ekonomike, të paaftësisë së kufizuar dhe të pagesës së papunësisë me 60%, çka do të shërbejë si një bazë për tu shtrirë në buxhetet e viteve të tjerë dhe për tu barazuar me minimumin jetik në një periudhë 4 deri në 5 vite.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco