'Shkeli hapur ligjin'/ KPP kërkon hetimin e Ministrisë së Shëndetësisë për tenderin 7.4 mln euro

'Shkeli hapur ligjin'/ KPP kërkon hetimin e Ministrisë së Shëndetësisë për tenderin 7.4 mln euro

13:13, 22/11/2023
A+ Aa A-

Nga Klodian Tomorri 

Saga 8-mujore e tenderit 7.4 milionë euro për evadimin e mbetjeve nga spitalet publike të vendit ka kulmuar në një skenar të denjë për filmat me mafiozë. Komisioni i Prokurimit Publik i ka propozuar Agjencisë së Prokurimeve Publike që të vërë menjëherë nën hetim Ministrinë e Shëndetësisë për mashtrim dhe veprime në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Në kushtet kur autoriteti kontraktues ka ndërmarrë hapa procedurialë haptazi jo në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, Komisioni i Prokurimit Publik vendos t’i propozojë Agjencisë së Prokurimeve nisjen e hetimit administrativ për procedurën,” thuhet në vendimin e KPP.

Tenderi 7.4 milionë euro për evadimin e mbetjeve spitalore u shpall për herë të parë në mars të këtij viti me firmën e ish-Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e cila më pas u arrestua për ryshfet ne tendera.

Por menjëherë sapo tenderi u shpall në Agjencinë e Prokurimeve, u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike nga një kompani e quajtur Eco Empire, e cila kërkoi modifikimin e kritereve të tenderit për shkak se ishin abuzive. Nga ai moment ka nisur një kalvar akuzash për korrupsion si dhe përplasjesh mes Komisionit të Prokurimeve dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Manastirliu gënjeu 3 herë KPP-në

Komisioni i Prokurimit Publik e gjeti të bazuar ankesën e kompanisë Eco Empire. Përmes një vendimi të datës 30 maj, KPP urdhëroi ministrinë e Shëndetësisë, që brenda 5 ditëve të modifikonte kriteret abuzive të tenderit.

Ministria e Shëndetësisë e pezulloi përkohësisht tenderin. Në datën 6 korrik, përmes një shkrese zyrtare, ministria njoftoi KPP se kishte përgatitur modifikimet përkatëse në dokumentat e tenderit në përputhje me vendimin e tij.

Por pasi Komisioni i Prokurimit kontrolloi dokumentat e reja të tenderit, konstatoi se ministria kishte gënjyer. “Autoriteti kontraktor nëpërmjetë shkresës së mësipërcituar ka dërguar pranë Komisionit Prokurimit Publik shtojcën e modifikuar nga verifikimi i së cilës u konstatua se ky i fundit nuk kishte kryer modifikimet në përputhje të plotë me përcaktimet dhe interpretimet e vendimit të KPP-së,” konstatonte KPP në korrik.

Pasi konstatoi se Ministria e Shëndetësisë kishte gënjyer, Komisioni i Prokurimit Publik urdhëroi pezullimin e tenderit deri sa ministria të zbatonte vendimin e tij për modifikimin e dokumentave.

Një muaj më vonë, në 15 gusht, ministria e Shëndetësisë informon sërish KPP-në se kishte zbatuar vendimin e tij të majit për modifikimin e dokumentave duke i vënë në dispozicion edhe shtojcën përkatëse të ndryshimit të kritereve.

Komisioni i Prokurimit konstatoi se shtojca ishte në përputhje me vendimin e tij, por këtë herë Ministria e Shëndetësisë kishte bërë një tjetër marifet. Shtojcën e modifikuar nuk e kishte ngarkuar në sistemin e prokurimeve publike.

Pasi konstatoi marifetin e radhës, KPP vendosi të pezullojë sërish tenderin, duke urdhëruar Ministrinë e Shëndetësisë që të publikonte në sistem ndryshimin e kritereve.

Në 29 gusht, Ministria e Shëndetësisë njoftoi sërish KPP-në se e kishte publikuar shtojcën e ndryshimit të kritereve në sistemin e prokurimeve. Pas këtij njoftimi, KPP e zhbllokoi tenderin. Por sërish ministria kishte bërë një tjetër marifet. Shtojca me kriteret e reja ishte ngarkuar në sistem, por nuk ishte publikuar që ta shikonin kompanitë e interesuara për të marrë pjesë. Tre herë mashtrim.

Akuza të rënda për korrupsion

Ministria e Shëndetësisë e shpalli sërish tenderin në datën 25 shtator. Në këtë kohë Ogerta Manastirliu ishte larguar nga ministria e Shëndetësisë duke u zëvendësuar nga Albana Koçiu. Por muzika e tenderit të majmë nuk ndryshoi.

Menjëherë pas rishpalljes së tenderit, në datën 4 tetor një kompani e quajtur e quajtur V.A.L.E Recycling depozitoi në Komisionin e Prokurimit Publik një ankesë zyrtare me akuza të forta për Ministrinë e Shëndetësisë, që sipas saj ka paracaktuar fituesin e tenderit.

“Studimi i tregut dhe i gjithë dokumentacioni vijues është kryer nga Autoriteti Kontraktor, vetëm me një qëllim, pengimin e konkurencës dhe paracaktimin e subjektit fitues. Siç do të provojmë më poshtë, tashmë fituesi i kësaj procedure prokurimi është paracaktuar dhe zhvillimi i tenderit si i hapur është thjesht fiktiv,” thuhet në ankesën që kompania ka depozituar në KPP.

Kriteri për të cilin, V.A.L.E Recycling akuzonte ministrinë e Shëndetësisë se kishte paracaktuar fituesin ishte ai për kapacitetin e autoklavës, që përmbushej nga vetëm një kompani riciklimi në Shqipëri.

Komisioni i Prokurimit Publik e gjeti të drejtë ankesën e V.A.L.E Recycling dhe i rekomandoi sërish Ministrisë së Shëndetësisë të modifikonte kriterin e kapacitetit. Për këtë qëllim brenda ministrisë u ngrit një Komision për Shqyrtimin e Ankesës, i cili mori vendim duke pranuar pjesërisht ankesën. Por vendimi ishte aq evaziv sa që as Komisioni i Prokurimit Publik nuk e kuptonte dot se cilat pjesë të ankesës ishin pranuar dhe cilat jo nga ministria.

Seancë dëgjimore me palët

Për shkak se vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në ministri për ankesën e paraqitur nga V.A.L.E Recycling ishte evaziv, KPP vendosi të zhvillojë një seancë dëgjimore trepalëshe, ku të ballafaqonte Ministrinë e Shëndetësisë me kompaninë ankuese.

Pas zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 1 nëntor, Komisioni i Prokurimit konstatoi se ministria ishte evazive dhe e paqartë mbi kriteret që kishte ndryshuar. Për këtë arsye KPP vendosi të anullojë sërish tenderin 7.4 milionë euro, për herë të katërt tashmë.

Por këtë radhë, KPP vendosi që t’i propozojë Agjencisë së Prokurimeve Publike që të nisë hetim administrativ ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të kalvarit të gjatë të mashtrimeve dhe veprime antiligjore të kryera nga kjo ministri./ Kapitali.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco