Të huajt në Shqipëri pa gjyqtarë italianë: 'Azili dhe verifikimet do bëhen vetëm në mënyrë elektronike'

Të huajt në Shqipëri pa gjyqtarë italianë: 'Azili dhe verifikimet do bëhen vetëm në mënyrë elektronike'

10:46, 22/11/2023
A+ Aa A-

Nga Alessandro Mantovani, IL FATTO QUOTIDIANO

Nuk do të ketë gjyqtarë italianë në Shqipëri, të paktën fizikisht, për të vërtetuar ndalimin e emigrantëve. Komisionet që vendosin për azilin nuk do të kalojnë Adriatikun. Nuk do të ketë as avokatë, përveçse me shpenzimet e tyre. Është ende për t’u përcaktuar  aplikimi konkret (i parashikuar në pranverë) i marrëveshjes italo-shqiptare e 6 nëntorit për ndërtimin e dy qendrave ku Italia do të kyçë deri në 3000 azilkërkues dhe të huaj në proces dëbimi, por në ‘Viminale’ (godina e kryeministrisë italiane), ku trajtohet problemi i mbajtjes së kostove të operacionit të paralajmëruar nga Giorgia Meloni, për momentin po mendohen ‘të gjitha procedurat elektronike – burime të kualifikuara të konfirmuara – siç bëhet edhe në Itali’.

Kush e di nëse do të kenë përkthyes? Ky ishte orientimi deri dje, në ditën kur ministri i Jashtëm njëkohësisht zëvendës kryeministri italian, Antonio Tajani prezantoi dje pasdite (21 nëntor) marrëveshjen Rama-Meloni para Dhomës së Deputetëve në Parlamentin Italian. Ai bëri gjysmë hapi prapa, i rrethuar nga opozita. Në fakt, ai premtoi ‘një projekt-ligj ratifikimi që përmban gjithashtu rregulloret dhe ndarjet e nevojshme’. Megjithatë, deri më tani, qeveria kishte përjashtuar nevojën e autorizimit parlamentar për ratifikimin, gjë që do të zgjasë procesin.

Tajani ‘nuk zgjidhi shumë nyje të tjera’ dje gjatë seancës plenare. Ndoshta qeveria nuk do ta bëjë këtë përpara fundit të janarit, kur Gjykata e Kasacionit do të vendosë mbi urdhrat e gjyqtarëve të Katanias, të cilat përjashtonin ndalimin automatik të të gjithë azilkërkuesve që vijnë nga vende të sigurta si Tunizia. Ata janë njerëzit e destinuar për në Shqipëri: duhet të qëndrojnë vetëm për 28 ditët e parashikuara nga direktiva e BE-së për procedurat e përshpejtuara të azilit, e cila megjithatë në realitet zgjat disa muaj. Pas këtij afati ku do të shkojnë?

Pastaj është çështja e përputhshmërisë me konventat ndërkombëtare që ndalojnë refuzimet kolektive dhe rekomandojnë sjelljen e azilantëve në portet më të afërta, të sjella në vëmendje dje (21 nëntor) nga shoqatat e ‘Tryezës së Rrumbullakët për Azilin dhe Imigracionin’.

Këto nënvizojnë dënimin e fundit të Italisë nga Gjykata e Strasburgut për trajtim çnjerëzor dhe degradues në Lampeduza dhe i kërkojnë Parlamentit të mos ratifikojë marrëveshjen me Tiranën. Mbetet gjithashtu çështja e kostove: po flasim për 30 milionë euro vetëm për shtesa, udhëtime, ushqime dhe akomodim për 300 policët e nevojshëm. Dhe pastaj: ku, si dhe nga kush do të ndahen të miturat dhe gratë shtatzëna nga ata që shkojnë në Shqipëri? A do të ndahen familjet? Pyetjet mund vazhdojnë pafund.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco