‘SPAK i merr leje Ramës’/ Bushati: Në të gjithë piramidën shtetërore vidhet dhe kreu i kësaj piramide del i pastër

21:11, 20/11/2023
A+ Aa A-

I ftuar në Çim Peka Live, analisti Andi Bushati ka folur për vendimin e fundit të GJKKO-së për të vendosur masa shtrënguese ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me kërkesë të SPAK, për tu hetuar i lirë në lidhje me koncesionin korruptiv të sterilizimit me rreth 100 milionë euro.

Bushati radhiti një sërë faktesh publike se si SPAK i ka marrë leje Edi Ramës në rastet e hetimit apo burgosjes së ish-ministrave të kryeministrit, por në rastin e Ilir Beqaj duket se ka një diferencim.

Sipas Bushatit, ne nuk kemi një drejtësi të drejtë dhe pavarur, pasi fakti është që në të gjithë piramidën shtetërore vidhet dhe kreu i kësaj piramide del i pastër.

Bushati: A ka pasur Ilir Beqaj më shumë mbrojtje politike se Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Lefter Koka, Vangjush Dako e të tjerë? Padyshim që ka pasur. Është i vetmi që kur u dha masa e prokurorisë ishte në detyrë. Në të gjitha rastet jemi mësuar se prokuroria i ka marrë leje Ramës, Rama i ka hequr nga detyrat dhe funksionet shtetërore, ndërsa Beqaj jo që e mbajti në agjensi por pak kohë më parë e bëri një nga negociatorët kryesorë me BE. Pra duket se ka pasur një mbështetje nga Rama.

E dyta që vëmë re është se ata dy prokurorët e SPAK që çuan padinë e parë në gjykatë, e përjashtuan Beqajn nga padia dhe një nga ata prokurorët ishte ai prokurori që Rama kundër Juri Kim e mbështeste për tu bërë kryetar i SPAK.

E treta, a po hetohet për Ilir Beqajn, siç u hetua për Saimir Tahirin dhe Arben Ahmetajn, pra drejt pasurisë së personit? Deri tani nuk e kemi këtë.

Të treja këto raste që përmenda duket se ka një diferencim që Beqaj është më i mbrojtur dhe këta të tjerët janë lënë ti hidhen si mishi i vjetruar urisë së prokurorëve.

Dukemi qesharak në sytë e publikut nëse fillojmë garën nëse Edi Rama e do më shumë Beqajn apo pak më pak, ose urren pak më shumë Ahmetajn. Nqs do flasim për drejtësi, ne jemi një vend ku ministri dënohet për kanalizimin dhe drogëzimin e vendit, një vend ky dy ministra janë të burgosur për inceneratorët, ku koncesionet në shëndetësi kanë dalë një hajdutësi e madhe dhe Edi Rama nuk hetohet.

Pra nuk kemi çështjen u privilegjua Beqaj dhe u godit Ahmetaj, këto janë lojëra oborri. Ne që s’kemi një drejtësi të drejtë dhe të pavarur është fakti që në të gjithë piramidën shtetërore vidhet dhe kreu i kësaj piramide del i pastër. Kjo e hedh poshtë këtë fabulën e drejtësisë së re.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco