Beqaj ishte në dijeni për vendimin e SPAK, ndryshoi strukturën e agjencisë për të favorizuar të besuarit e tij

Beqaj ishte në dijeni për vendimin e SPAK, ndryshoi strukturën e agjencisë për të favorizuar të besuarit e tij

21:47, 18/11/2023
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Njësoj si në shumë raste të tjera edhe për aferën e koncensionit miliona euro të sterilizimit, duket se SPAK nuk është një strukturë totalisht sterile, e pandikuar nga qeveria dhe Edi Rama.

Mjafton të përmendim këtu trajtimin me standard tjetër të Ilir Beqajt, të cilit iu komunikua sot një masë sigurie shumë më e lehtë sesa zyrtarë të tjerë të Rilindjes që akuzohen po për të njëjtat vepra penale e që sot janë pas hekurave.

Jo vetëm kaq, por zhvillimet e kohëve të fundit në agjencinë që ai drejtonte, në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të bëjnë të besosh se në fakt Ilir Beqaj kishte dijeni për çfarë do t’i ndodhte.

Një burim pranë qeverisë i tha Lapsi.al se Beqaj nisi në mënyrë të beftë një ristrukturim të agjencisë, me qëllimin e vetëm që në pozicionet kyçe të vendoste njerëzit e tij të besuar.

Plani është ky.

Edhe pas largimit të tij nga drejtimi për shkak të vendimit të pritshëm të SPAK, ai të vijonte të kishte dorën e zgjatur në agjencinë që menaxhon miliona euro nga programet ndërkombëtare.

Ndryshimet më radikale ishin në drejtoritë ku janë paratë që Bashkimi Europian sjell në vendin tonë përmes programeve të ndryshme.

Në një nga drejtoritë më të rëndësishme në SASPAC që menaxhon fondet e BE për bashkitë, Ilir Beqaj emëroi një ish vartës të besuar të tij gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë dhe me dijeni mbi procedurën e koncensionit të sterilizimit.

Një tjetër i besuar i tij i promovuar së fundi brenda SASPAC mori drejtimin e Programeve të Fondeve që BE alokon për institucionet shqiptare.

Edhe pozicionet e tjera në strukturën e agjencisë u ndryshuan dhe u kopsitën në mënyrë të atillë që njerëzit e tij, kryesisht bashkëpunëtorë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe personazhe që punuan me të në fushatë, të merrnin pozitat kryesore në këtë institucion.

Ndryshimet u bënë me një shpejtësi të madhe dhe u zyrtarizuan nga Departamenti i Administratës Publike në ditët e fundit, duke shtuar më shumë dyshimet se Beqaj ka qenë në pritje të lëvizjes së SPAK, mëson Lapsi.al

Struktura e re e SASPAC është miratuar ndërkohë edhe nga Edi Rama pasi agjencia që drejtonte Ilir Beqaj është në varësi të Kryeministrit. Pasi SPAK i komunikoi masën e sigurisë për ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë vendit’, Ilir Beqaj njoftoi largimin nga drejtimi i SASPAC.

‘Për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces, kam vlerësuar gjithashtu që të ndërpres angazhimin tim aktual si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës’, shkruajti Beqaj duke mbrojtur ndër të tjera edhe koncensionin e firmosur prej tij.

Nuk është hera e parë që shumë lëvizje të SPAK dihen paraprakisht nga qeveria përpara se të shpallen duke vënë në pikëpyetje integritetin e kësaj strukture. Kujtojmë arrestimet e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, por edhe raste të tjera. Të hënën në orën 12:00 Beqaj do të paraqitet në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco