AUDIO/ Seanca e fundit ndaj Belerit: Prokuroria pranon se i infiltruari ka dhënë dëshmi të ndryshme

AUDIO/ Seanca e fundit ndaj Belerit: Prokuroria pranon se i infiltruari ka dhënë dëshmi të ndryshme

15:10, 18/11/2023
A+ Aa A-

Thellohet më tej skandali i çështjes së ngritur kundër kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Më herët është denoncuar se arrestimi i Belerit është politik, pasi ai është provokuar nga një i infiltruar, i cili ka marrë si shpërblim 7 milionë lekë nga një fond i policisë, që nuk duhej prekur për këtë qëllim.

Ndërkohë, SYRI zbardh pjesë nga seanca e fundit ndaj Belerit, ku edhe prokuroria e pranon se i infiltruari ka dhënë dëshmi të ndryshme.

“Ju po thoni që në hetime, ai ka deklaruar se ka shkuar vetëm, ndërsa këtu deklaron se ka shkuar me vëllain e tij,” pyet trupi gjykues.

Ndërkohë prokurorja Dorina Bejko, thotë: “Ne kemi kërkesën e fundit. Edhe ne duam të kundërshtojmë pjesën e fundit që dha dëshmitari, sepse i pyetur nga ana jonë, ai nuk ka dhënë dëshmi për këtë fakt që doli dhe për më tepër nuk e saktësoi se çfarë shpërblimi ka marrë dhe për çfarë arsye është marrë shpërblimi”.

Ndërkohë, trupi gjykes kërkon të marrë në dorëzim të gjithë procesverbalet e deklarimeve.

BISEDA E ZBARDHUR

Prokurorja Dorina Bejko: Në fakt, në lidhje me pyetjen e fundit që u pyet dëshmitari, sepse i pyetur nga ana juaj...

Avokati mbrojtës i zotit Beleri, Arition Kasaj: Keni edhe ju kundërshtim?

Prokurorja Dorina Bejko: Po, të pjesshëm. Vetëm për momentin e fundit. Në lidhje me shpërblimin që ka deklaruar dëshmitari.

Avokati mbrojtës i zotit Beleri, Edmond Dëma: Po nuk është pyetur ai, s’ka bërë deklarim!

Prokurorja Dorina Bejko: Ju e keni pyetur nëse ka diçka për të shtuar dhe ai ka thënë se nuk ka hollësi në lidhje me raportin dhe nuk i ka vënë në dijeni...

Avokati mbrojtës i zotit Beleri, Arition Kasaj: E kam fotokopjen e retushuar.

Avokati mbrojtës i zotit Beleri, Edmond Dëma: Çfarë rëndësie ka. A e ka të deklaruar që ta kundërshtoni? Jo, s’ka rëndësi!

Trupi gjykues: Ju po thoni që në hetime, ai ka deklaruar se ka shkuar vetëm, ndërsa këtu deklaron se ka shkuar me vëllain e tij.

Avokati mbrojtës i zotit Beleri, Arition Kasaj: Po, edhe që e ka takuar vetëm.

Prokurorja Dorina Bejko: Ne kemi kërkesën e fundit. Edhe ne duam të kundërshtojmë pjesën e fundit që dha dëshmitari, sepse i pyetur nga ana jonë, ai nuk ka dhënë dëshmi për këtë fakt që doli dhe për më tepër nuk e saktësoi se çfarë shpërblimi ka marrë dhe për çfarë arsye është marrë shpërblimi.

Avokati mbrojtës i zotit Beleri, Edmond Dëma: Thërriteni e nderuar, tërhiqni aktet dhe pyeteni!

Trupi gjykues: I keni ju procesverbalet ku ai ka dhënë këto deklarime të rëndësishme?

Prokurorja Dorina Bejko: Po, i kemi. Kemi tre procesverbale.

Trupi gjykues: A mund të na i depozitoni?

Prokurorja Dorina Bejko: Po, patjeër. Janë procesverbale të datës...

Trupi gjykues: Në të treja ka dhënë deklarime për këtë fakt?

Prokurorja Dorina Bejko: Ne e kemi pyetur, a keni gjë tjetër për të shtuar dhe ai nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me këtë fakt të deklarojë momentin e fundit. Janë procesverbalet e datës 08.05.2023 dhe 22.06.2023, që janë dhënë me deklarim.

Trupi gjykues: Ju lutem të na paraqisni edhe një kopje të procesverbalit 12.05.2023.

Prokurorja Dorina Bejko: Po!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco