VIDEO-SYRI TV/ Shkarkimi në 1996, PD: Gjyqtarja Irena Gjoka të sqarojë konfliktin e interesit në dosjen Berisha

18:07, 13/11/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike me anë të një deklarate për media, ka kërkuar nga gjykatësja Irena Gjoka që të flasë në lidhje me shkarkimin e saj në vitin 1996, nga Sali Berisha në atë kohë president dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

PD kërkon që gjyqtarja Gjoka të informojë opinionin publik mbi këtë fakt dhe mbi të gjitha, nëse kjo e vendos gjyqtaren në pamundësinë për të drejtuar procesin ndaj Kryetarit të opozitës shqiptare, për shkak të konfliktit të interesit.

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Prej disa javësh gjyqtarja Irena Gjoka mban pezull vëmendjen publike me disa qëndrime që nuk i bëjnë ndër gjyqësorit dhe as figurës së gjyqtarit.

E denoncuar nga avokati Genc Gjokutaj dhe të tjerë se është shkarkuar nga ish-Presidenti Sali Berisha në vitin 1996 kur mbante detyrën e Kryetarit të Këshillit të Lartë te Drejtësisë, ajo hesht si fija e barit.

Opinioni publik kërkon të informohet mbi këtë fakt dhe mbi të gjitha, nëse kjo e vendos gjyqtaren Gjoka në pamundësinë për të drejtuar procesin ndaj Kryetarit të opozitës shqiptare, për shkak të konfliktit të interesit.

Por këto pyetje nuk mbeten me kaq:

A është identifikuar dhe trajtuar shkarkimi gjatë procesit të vetingut të gjyqtares?

Nëse jo, pse ka ndodhur kjo përzgjedhje selektive?

A ka qenë korrupsioni arsyeja e shkarkimit?

Në cilën datë ka ndodhur shkarkimi?

A ka patur të tjerë të shkarkuar më të njëjtën akuzë dhe cilët janë?

A do të plotësoheshin kriteret e vlerësimit profesional në rast të një shkarkimi për arsye korrupsioni? Me pak fjalë, a do të ishte sot ajo duke ushtruar pozicionin e gjyqtares nëse ky shkarkim do të ishte bërë publik?

Pse nuk u tërhoq ajo që në fillim kur mbrojtja e z. Berisha ia dha këtë mundësi?

Firmosur nga ish-Kryetari i KLD-së, fshehja e vendimit të shkarkimit për arsye korrupsioni nga gjyqtarja Gjoka dhe marrja përsipër e gjykimit ndaj Kryetarit të opozitës, e vendosin atë qartazi në pozitat e konfliktit të interesit. Një konflikt interesi i cili dëshmon karakterin politik të këtij gjyqi dhe që nxjerr në pah arsyet e vërteta pas vendimmarrjeve antikushtetuese e antiligjore të gjyqtares Gjoka.

Ngulmimi i gjyqtares për të mos u tërhequr shpjegon garancitë që ka marrë nga porositësit e ‘gjahut të shtrigave’, procesit politik kundër Sali Berishës dhe Jamarber Malltezit.

Kur faktet të shpalosen publikisht, gjyqtarja e korruptuar që ka korruptuar edhe sistemin duke fshehur dënimin, do të përballet jo vetëm me të vërtetën, por edhe me ata që e kanë mbrojtur politikisht.

E vërteta mund të kamuflohet, por në fund ajo triumfon.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco