Kalaja, thirrje presidentit Begaj: Bëj transparente marrëveshjen e refugjatëve!

Kalaja, thirrje presidentit Begaj: Bëj transparente marrëveshjen e refugjatëve!

09:38, 09/11/2023
A+ Aa A-

Ashtu siç veproi duke protestuar kundër futjes së armëve kimike në Shqipëri, aktivisti Aulon Kalaja bashkë me personalitete të tjera të njohura është vënë në krye të një aksioni të ri politik, për të mos lejuar kthimin e Lezhës dhe të Shëngjinit në një burg si Guantanamo për 36 mijë refugjatë në vit nga vendet e botës së tretë, për të mos thënë 50 mijë të tillë duke iu referuar mediave italiane.

Aulon Kalaja i bëri thirrje sot, kreut të shtetit, Presidentit të Republikës Bajram Begaj të mos fshihet, po të bëjë transparente një marrëveshje pa negociatorë të firmosur ndërmjet Edi Ramës dhe Giorgia Melonit duke theksuar se kjo nuk është një marrëveshje midis shtetesh, Shqipëri-Itali.

Kalaja, nga studio e emisionit Kafe Shqeto në SYRI TV,  ndër të tjera tha:

“Ne bëmë një deklaratë për shtyp ditën e djeshme dhe zgjodhëm Portin e Shëngjinit, që të mos dalim nëpër studio televizive siç ka bërë shumica tjetër, por shkuam dhe takuam bizneset, njerëzit e thjeshtë, që edhe na u bashkuan. Pjesa më e madhe ishin lezhjanë, që dolën me ne, pavarësisht se nuk pranuan të flisnin për mediat, sepse janë për aksion tani, nuk janë për fjalë. Kështu që besoj se “tenxherja” do ta nxjerrë të gjithë mllefin e qytetarëve dhe mezi pritet protesta e parë.

Shqetësimi i tyre, për shembull, po e marr edhe nga ana njerëzore, është se si ka mundësi që do të vijnë vetëm meshkuj në Lezhë?! Ishte shqetësim real që e kishin të gjithë: pse meshkuj mbi 18 vjeç, pse do të prishet zona e Shëngjinit, pse kjo urrejtje me Veriun?! Po ju jap thelbin e atyre mendimeve që mora nga terreni, se gjithë ky investim që kanë bërë shqiptarët e Kosovës atje, pikërisht tani merr një konotacion tjetër, sepse bie dhe çmimi i pronave, i bizneseve etj. etj. Pra ka një rrjedhojë tjetër e gjithë kjo histori.

Sigurisht që nuk dua të futem fare në atë ku po na thërret qeveria, jo po ia kemi borxh Italisë, jo po jemi racistë etj. Janë idiotësira dhe nuk dua të futem fare në atë histori. Njerëzit dhe qytetarët janë shumë të qartë për atë që po ndodh, është një vendim i pakonsultuar, qoftë po ta marrim procedurialisht, qoftë në mënyrë përmbajtëse. Një vendim i padrejtë!

Po lexoja shtypin italian, se ata po lexoj tani, se ne këtu s’marrim vesh asgjë dhe m’u kujtua reminishenca e armëve kimike. Kam qenë një nga organizatorët e protestës së armëve kimike, bashkë me grupin, se kemi qenë shumë dhe atëherë ne kemi marrë vesh nga një media ruse, nga një portal në Rusi që do të vinin armët kimike në Shqipëri!!!

Ishte një tulatje e opinionit publik dhe e njëjta gjë është edhe sot. Dhe dje, tek konferenca jonë në Shëngjin kishte më shumë media italiane sesa media shqiptare! Ishte Telegiornale, RT4, RAI2, gazetarët e La Republica që më kanë kontaktuar, më kanë marrë në telefon; u futën edhe tek porti duke bërë filmime.

Dhe tek lexoja, një zyrtar i lartë italian thoshte se Edi Rama na ka dhënë “ekstra-territorialitetin”! Ekstra-territorialiteti përcaktohet nga Konventa e Vjenës dhe ka të bëjë me ambasadat, me enklavat, me të drejtën ndërkombëtare... Tani, se si mund të jepet Shëngjini dhe Lezha me ekstra-territorialitet, këtë shpikje mund ta bëjnë vetëm këta zyrtarë të qeverisë italiane dhe të Edi Ramës. Unë nuk e kuptoj, nuk ka një rast të tillë precedent në të gjithë botën! Pra, po kërkoja me këtë “lupën” tuaj që keni tek Kafe Shqeto dhe nuk ka asnjë rast tjetër! Fare!

Unë gjykoj se kjo marrëveshje fut ujë nga të gjitha anët dhe marrëveshja do të bjerë, nuk do të qëndrojë! Dhe nuk bëhet fjalë këtu për 36 mijë njerëz, është gënjeshtër! Nuk janë 36 mijë. Tani kanë dalë tek shifra 39, por sipas mediave alternative në Itali mund të jenë deri në 50 mijë njerëz në vit!

Kjo është një marrëveshje Edi Rama – Giorgia Meloni! Nuk është një marrëveshje Shqipëri-Itali, që të jemi të saktë, nuk ka një grup negociator.  Presidenti i Republikës duhet të dalë dhe të bëjë transparencë. Këtu më duket në televizionin tuaj e telefonuan dhe nuk e hapi telefonin. Nuk duhet të fshihet si struci, Presidenti i Republikës, duhet të na tregojë së pari a ka grup negociator, kjo marrëveshje?!”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqeni intervistën e plotë me z. Kalaja në videon e SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco