‘E trajtoi opozitën si byrekun’, Gjekmarkaj i ashpër me Bashën: Në shërbim dhe i atashuar me qeverinë`

‘E trajtoi opozitën si byrekun’, Gjekmarkaj i ashpër me Bashën: Në shërbim dhe i atashuar me qeverinë`

21:09, 03/11/2023
A+ Aa A-

Nënkryetari demokrat i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj është një nga zërat racionalë në skenën politike dhe me qetësi ai shpjegon pse opozita duhet të ecë përpara pa pritur më për Lulzim Bashën. Duke folur në emisionin ‘Pa Censurë’ me gazetaren Elona Meço, ai mori shkas edhe nga mungesa në parlament e grupit të Bashës, në kohën kur opozita është në protestë dhe nga ato që i quan sulme të vazhdueshme mediatike ndaj deputetëve të grupit parlamentar të PD.

 ‘Ky është një shërbim dhe atashim i tyre pranë qeverisë. Raporti që Basha ka me Shqipërinë, me opozitën dhe me elektoratin e saj është raporti që kishte me byrekun, të cilin e bleu duke menduar që e shijonte shumë, si djalë sportiv dhe spontan dhe, sa mendoi që nuk po filmohej, e hodhi me neveri. Ky është raporti i tij me të vërtetën. Kam arritur në këtë konkluzion nga njohja me të dhe nga veprimet që po kryen bashkë me shoqatën që përfaqëson, për fat të keq.’- tha Agron Gjekmarkaj.

Ish-nënkryetari i PD nuk është dakord me tezën e ish-nënkryetares tjetër të PD, Jorida Tabaku për një bashkim të të gjithëve, përfshirë zotin Basha, si e vetmja mundësi për të qenë alternativë fituese. ‘Pozicionimi i zotit Basha është dukshëm në krah të qeverisë. Atë që nuk e bën qeveria, punët e pista ndaj opozitës, po i bën zoti Basha në njëfarë mënyre. Nuk dyshoj në vullnetin pozitiv të zonjës Tabaku. Kam respekt për personalitetin e saj, mënyrën sesi komunikon me publikun, është një vlerë e opozitës, por nuk kam iluzione. Nuk mund të jetohet pafundësisht me thirrje dhe iluzione, sepse koha ikën.’- u shpreh Agron Gjekmarkaj në emisionin ‘Pa Censurë’.

PJESË NGA INTERVISTA NË EMISIONIN ‘PA CENSURË’.

Elona Meço: Që t’i shkoj deri në fund çështjes së Parlamentit. Deputetët që mbështesin zotin Basha ju quajnë pupacë të Berishës dhe janë distancuar nga aktet tuaja, siç i kanë quajtur, të dhunshme. Zoti Basha ka munguar në parlament këto kohë. Ju shqetëson kjo ndarje sërish brenda Parlamentit?

Agron Gjekmarkaj: Më vjen keq, se me disa prej kolegëve aty kam raport njerëzor, por ky është vetasgjësim që ata po i bëjnë vetes në raport me popullin opozitar dhe shpresën për të bërë opozitë në Shqipëri. Ata janë në shtëpi dhe jo në parlament, ku bëhet beteja. Po të vësh re, qeveria nuk ka nevojë të na sulmojë me njerëzit e saj, sepse këtë e bëjnë njerëzit e Lulzim Bashës kudo në media. Ky është një shërbim dhe atashim i tyre pranë qeverisë. Raporti që Basha ka me Shqipërinë, me opozitën dhe me elektoratin e saj është raporti që kishte me byrekun, të cilin e bleu duke menduar që e shijonte shumë, si djalë sportiv dhe spontan dhe, sa mendoi që nuk po filmohej, e hodhi me neveri. Ky është raporti i tij me të vërtetën. Kam arritur në këtë konkluzion nga njohja me të dhe nga veprimet që po kryen bashkë me shoqatën që përfaqëson, për fat të keq.

Elona Meço: Ka një zë tjetër të arsyeshëm brenda PD, që qendron e tërhequr nga të dyja grupet në Parlament, Jorida Tabaku. Pak kohë më parë më pohoi në intervistë se pa bashkimin e të gjithëve, përfshi Bashën, nuk shikonte perspektivë të mirë për PD si alternativë qeverisëse.

Agron Gjekmarkaj: Ne kemi harxhuar 2 vite kohë, duke hedhur teza dhe mendime dhe pamë që gjërat po shkonin në ekstreme. Lëvizja e zotit Basha për të marrë atë gjënë e vogël, për ta instaluar veten me thirrje pompoze ‘të vijë kush të dojë, të ikë kush të dojë, se nuk e dëmtojnë më PD’, më duken qesharake. Pozicionimi i zotit Basha është dukshëm në krah të qeverisë. Atë që nuk e bën qeveria, punët e pista ndaj opozitës, po i bën zoti Basha në njëfarë mënyre. Nuk dyshoj në vullnetin pozitiv të zonjës Tabaku. Kam respekt për personalitetin e saj, mënyrën sesi komunikon me publikun, është një vlerë e opozitës, por nuk kam iluzione. Nuk mund të jetohet pafundësisht me thirrje dhe iluzione, sepse koha ikën. Është një kohë ku duhet të kuptosh se ku është përqendruar shumica e demokratëve dhe qytetarëve, çfarë perceptohet si opozitë në këtë vend dhe mbi këtë bazë të përpiqesh të modernizosh gjënë aktuale, ta bësh konkuruese, t’i japësh fytyrë të re, të kërkosh rregulla të reja. Opozita sot nuk ka logo, nuk ka vulë, nuk ka firmë, por është frymë. Dhe fryma nuk jeton pafundësisht. Një ditë fryma vdes. Prandaj duhet të dish ta ushqesh, ta mbash gjallë duke i dhënë konture dhe formë të re. Kjo është përpjekja dhe sfida jonë. Nuk bëhet duke iu lutur zotit Basha ‘aman kthehu’, kur ai është i qartë në pozicionin e tij krah qeverisë. Dhe nuk ka më kuptim ta ftosh. Nëse ai do, patjetër, nuk është vonë, por kjo nuk mund të ndodhë edhe pas 2-3 vitesh që i ke shërbyer qeverisë. Kjo mund të ndodhë tani, por nuk shoh shenja dhe nuk kemi arsye të humbasim kohë për këtë. Do të ishte ideale të ishte dhe Basha, por shoh të gjitha sjelljet dhe gjuhën agresive ndaj nesh, me diversionin qe bëhet, kur dihet shumë mirë se ne aty nuk jemi për Sali Berishën, as unë, as Gaz Bardhi dhe shumë kolegë të tjerë. Jemi për idetë tona, për t’iu rikthyer misionit opozitar, të cilin nuk e kemi humbur, por jemi tulatur nga debati i brendshëm. Kemi harxhuar mjaft energji duke u marrë me njëri-tjetrin në këto 2 vite. Çështja është të merremi tani me qeverinë e Ramës dhe për të përfaqësuar denjësisht votuesit tanë, t’u japim shpresë njerëzve me një alternativë për ndryshim pas kaq shumë vitesh të vështira keqqeverisje.

Elona Meço: Mund t’i fitoni zgjedhjet pa këtë përqindjen, sado të vogël, sipas jush, që mund të ketë zoti Basha?

Agron Gjekmarkaj: Edhe një individ i vetëm është për t’u vlerësuar. Edhe një shoqatë, si e zotit Basha, është për t’u vlerësuar, nëse do të donte të bashkëpunonte. Nuk është mirë kur rrjedhin vota. Para dy vitesh e provuam, kur u krijuan 4 parti të djathta nga 4 personazhe të PD-së dhe na hoqën 4 mandate, 37 mijë vota, aq sa ishte diferenca me qeverinë. Çdo votë që rrjedh është një dëm për opozitën, por nuk e bën dot bashkimin e opozitës, nëse tjetri nuk do që të bashkohet me ty. Atëherë do të eksplorosh forma alternative. Do të tentosh të zgjosh ndjesitë e një shoqërie që kërkon ndryshim. Na duhet ta shndërrojmë opozitën në një kantier të hapur për të elaboruar teza dhe për të patur nesër një figurë qendrore që do të përballet me Edi Ramën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco