‘Mund të rriteshin pensionet’/ Fatura nga arbitrazhet ndaj Shqipërisë, gati 200 milionë euro

‘Mund të rriteshin pensionet’/ Fatura nga arbitrazhet ndaj Shqipërisë, gati 200 milionë euro

19:04, 02/11/2023
A+ Aa A-

Fatura që Shqipëria duhet të paguajë pas vendimeve të gjykatave të arbitrazhit dhe asaj Europiane për të Drejtat e Njeriut është 195 milionë euro apo 20.5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e kësaj shume, që deri në shtator të këtij viti përllogaritet në 173.2 milionë euro duhet të shkojë për të dëmshpërblyer kompanitë, kontrata me të cilat është prishur në mënyrë të padrejtë nga Shteti Shqiptar.

Çështjet që përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj fature janë për gjyqet e humbura me biznesmenin italian, Becchetti ajo e kompanive “Copri dhe Actor”, “GBC Oil Company” dhe “Phoenix Petrolum”.

“Në rast se nuk do t’i kishim këto fatura, për një vit, qeveria do të mundej të rriste pensionet me 3 mijë apo 4 mijë lekë. Në vend ë të bëjë këtë, po paguan papërgjegjshmërinë e vet”, u shpreh Gjergj Erebara.

Pjesa tjetër e faturës 200 milionë euro përbëhet nga vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ministria e Financave dhe Ekonomisë raporton se detyrimet totale janë në vlerën e 21.8 milionë euro, prej të cilave 17.9 milionë janë nga vendimet tashmë të marra, ndërsa pjesa tjetër nga proceset ende në gjykim.

“Sharrxhi”, “Rista” dhe “Sharra” kundër Shqipërisë janë ato që përbëjnë pjesën më të madhe të dëmit ekonomik që do të paguhet nga qytetarët shqiptarë.

“Në vend që të blihet ilaçe për spitalet e vendit, merren këto para’ për të paguar këtë detyrim që do paguhet nga taksat tona”, shtoi gazetari Erebara.

Duke i konsideruar si “skandaloze” vendimet e gjykatës së arbitrazhit pranë Bankës Botërore, kryeministri Rama paralajmëroi para pak muajsh daljen e Shqipërisë nja juridiksioni i saj. Kjo për të mos paguar faturat që shtohen vit pas viti. Por mbeti vetëm një paralajmërim, teksa u ndoqën tjera rrugë.

“Kjo është e pamundur. Normalisht që je i detyruar t’i paguash dhe nuk ka asnjë gjë në botë që të mbron. Vetëm vende si Koreja e Veriut mund t’iu shmangen. Nuk është faji i gjykatave, është papërgjegjshmëria e qeverive”, theksoi Erebara.

Gjyqet e shumta të humbura në arbitrazh e detyruan qeverinë të miratonte në seancën plenare të së enjtes disa ndryshime ligjore në drejtim të “Avokaturës së Shtetit.” Ndryshimet ligjore parashikojnë kushtet dhe shkallën e penalizimit të juristëve të Avokaturës së Shtetit, nëse performanca në punën e tyre do të cilësohet si e dobët. Masat ndëshkuese nisin me uljen e detyrë apo mbajtjen e 30 për qind të pagës për një afat deri në 6 muaj, si dhe pezullimin nga detyra deri në një vendimmarrje nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit./ A2/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco