Lajmi i fundit

Aksident me vdekje në rrugën e Rinasit

Xama: Mazhoranca e ka kthyer në teatër tallës, diskutimin për buxhetin

Xama: Mazhoranca e ka kthyer në teatër tallës, diskutimin për buxhetin

21:52, 01/11/2023
A+ Aa A-

Nga Ola Xama

Nëse ka patur një periudhë kur kishte diskutime, debate, lajme por dhe mësoje diçka, ishte koha kur në komisionet parlamentare diskutohej buxheti dhe paketa fiskale. Por prej disa vitesh, shumica po tenton që këto diskutime të vlefshme dikur, t’i shndërrojë në një teatër tallës duke dëmtuar rëndë shtyllën kryesore të funksionimit të shtetit: Kuvendin e Shqipërisë.

Fillimet për të ‘vrarë’ fuqinë e kuvendit nisën me përqendrimin e pushtetit të partive në duart e kryetarit si pasojë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, për të shkuar në votime ligjesh sipas asaj që shkon me ‘sms’ duke anashkaluar dhe mbledhjet formale të grupit dhe për të degjeneruar në parlamentin me deputetë që zëvendësuan ata që braktisën mandatin në vitet 2019-2021.

Në atë kohë, jo për ndonjë prapaskenë politike apo pazar, por thjesht sepse përtonin, propozimi miratohej pa i lexuar ndryshimet ligjore fare.

‘Besoj se e keni lexuar dhe tani le ta hedhim në votim’, thoshte kryetari i Komisionit. Dhe votonin të gjithë pro. Mbledhja ndiqej online nga gazetarët për shkak të pandemisë dhe në shumë raste kishim mëdyshje kur raportonim se çfarë ligji kaloi.

Sot u përsërit një skenë e ngjashme. Seanca e prezantimit të buxhetit zakonisht është më e gjata në mbledhjet dhe diskutimet e këtij ‘sezoni’. Sot ishte vetëm 28 minuta.

26 minuta u prezantua buxheti nga Ministri i Financave, 1 minutë u shfrytëzua nga një deputet të ankohej për cilësinë e audios dhe minuta tjetër u konsumua nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë. ‘Keni ndonjë merak?’ pyeti, dhe siç pritej nuk kishte njeri asnjë merak.

Kjo është të paktën hera e tretë që buxheti i vitit pasardhës nis shqyrtimin pa u miratuar më parë buxheti faktik i vitit që lamë pas.

Vazhdon mungesa e konsultimit me grupet e interesit për paketën fiskale apo me përfaqësues të shtresave që mbështeten nga buxheti dhe mungon dhe tabela e monitorimit dhe performancës së kontratave koncesionare 2022 sipas raportit investim privat/financim nga buxheti. Për këto, ose për shumë çështje që mund të dalin, me sa duket askush nuk do të interesohet dhe qeveria do të shkojë të shpalosë në publik vizionin e saj, a thua se janë diskutime për masat teknikalitet fiskale dhe buxhetore.

Situata është trishtuese sepse më shumë se tallje apo refuzim për opozitën, tregon se si çdo vit bëjmë hapa pas që dëmtojnë llogaridhënien institucionale, transparencën dhe të drejtat e njeriut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco