Edi Rama e ngjizi vetë drejtësinë e re, 'djali i madh'  i tij quhet SPAK

Edi Rama e ngjizi vetë drejtësinë e re, 'djali i madh' i tij quhet SPAK

19:24, 01/11/2023
A+ Aa A-

Nga Boldnews.al

Kryeministri Edi Rama ishte mëse i qartë në qëllimet e tij për të marrë pushtetin dhe më pas ta mbante atë gjatë e më gjatë, deri në atë pikë sa të mendojë se është i përjetshëm në majën e qeverisjes. “Kam si qëllim të bëj shtet, jo të mbaj pushtet” – deklaronte Rama pak ditë pasi u krye rrotacioni politik ku pas tetë vitesh në opozitë PS dhe aleatja e atëhershme LSI fituan përballë PD-së në vitin 2013.

Në fakt koha shumë e shpejtë tregoi se ky slogan ishte vetëm një mashtrim i dukshëm, pasi qëllimi i vetëm për ta mbajtur me çdo mjet ishte pushteti. Rama në vitin 2013 futi krimin në politikë, mu bash në partinë e tij. Janë ta paktën katër raste kur deputetët e tij u zbuluan se ishin me të kaluar kriminale të theksuar si të dyshuar e madje dënuar për vrasje, trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe trafik droge.

Asokohe u justifikua se “nuk dinte gjë për të shkuarën e tyre”, por politikisht në ditët më të errëta Rama nisi një betejë tjetër me parimin “i dua të gjitha dhe më provoni kush jam që të qeveris i vetëm”. Në këtë pikë nëpërmjet propagandës krijoi një perceptim se problem ishte LSI që nuk e la të qeveriste “ndershëm”. Por pak e dinin se në fakt Rama po gatuante përjetësinë e tij në pushtet jo me makinacione politike, as me përdorimin pa kufi të krimit të organizuar apo me ndihmën e oligarkisë, por me përdorimin e një “reforme të madhe” sikurse e cilësonte “Reformën në drejtësi”.

Ia arriti qëllimit kur kapi që në ngjizje strukturat e reja të institucioneve të drejtësisë së re si: KPK, KPA, KLGJ, ILD, KPK, KLD. Gjithçka që ndodhi më pas ishin derivate të këtyre strukturave të cilët “pollën djalin e madh” të quajtur SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit).

Pas katër vitesh jetë, (aq sa mandati politik i një qeverie), struktura e SPAK nga një institucion apatik që nuk prekte kënd, po kthehet në një bastun të fortë në duart e kryeministrit për të goditur kundërshtarët politik dhe shpuar ca “dëmin koleteral” brenda qeverisë, ata që nuk i duhen më Ramës.

Në vitin e dhjetë të pushtetit, që është fiks një dekadë, Rama vijon të jetë i qetë edhe pse mban mbi shpinë akuza të rënda për korrupsionin në të gjithë nivelet qeverisëse, kjo e faktuar edhe nga raportet prestigjioze ndërkombëtare, përfshi edhe DASH. Provat e rënda si afera e inceneratorëve, e sterilizimit, batërdia me pronat shtetërore që ia kalon oligarkëve, dyshimet e mëdha për pastrim parash, apo aferat e përditshme me tenderat, do ishin material i bollshëm që SPAK të mos lodhej hiç për hetime pasi shkeljet janë ashiqare. Po si është e mundur që SPAK edhe ata pak dosje të hapura sa numërohen me gishtat e njërës dorë godet vetëm ish-at?

Aleatët më të mëdhenj të Ramës fatkeqësisht janë institucionet që duhet të ishin tmerri i tij apo i çdo kryeministri që mban peshë damkën e madhe të korrupsionit dhe aferave të rënda në çdo sektor. Sot SPAK-u i është sulur opozitës dhe veçanërisht PD-së e cila është në vitin e dhjetë në minorancë. Opozita sot as fjalën nuk e ka sepse i mbyllet në Parlament, nuk ka as të drejtën të “ankohet ndërkombëtarisht” sepse edhe ndërkombëtarët e llojit McGonigal e fundosën PD-në për interesin e Ramës. Djallëzia politike 10-vjeçare u shpërblye me një “bir të denjë” që i dëgjon fjalën “babait”.

Jo pa qëllim kryeministri Rama një vit më parë i bëri “thirrje publike” dhe kërcënim të hapur SPAK-ut që të hetonte dhe burgoste nga pjesa e opozitës. Një vit më pas kjo po ndodh dhe gjasat janë se lista e ndëshkimeve politike do jetë shumë më e gjatë, duke mos u mjaftuar vetëm me Berishën dhe dhëndrin e tij, por edhe shëtitur në copat e tjera të partive opozitare. Ndërsa vetë Rama idetë i ka kristal. Në vitin 2017 dhe 2021 si kalë beteje të ushqyer me “tagji partie” kishte drejtësinë e re, ndërsa sot e ka kthyer në një gomar të bindur që ngarkohet dëngas me dosje të opozitës, pa prekur asnjë në pushtet, ministra, deputetë dhe kryebashkiakë të rëndësishëm.

Gjithsesi për statistikë, me izmin e hedhur në ajër nga Rama drejtësia e re do presë edhe ca koka ish-ash të qeverisjes. Koka që vetëofrohen në të ashtuquajturën “gijotinin e ligjit” duke bërë pazare më parë për kohën e burgosjes dhe garantimin se nuk do u preket pasuria e vendosur me afera të rënda mbi shpinën e çdo qytetari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco