Pse po manipulojnë mediat e pushtetit me historinë e 'asociacionit' të Ramës

Pse po manipulojnë mediat e pushtetit me historinë e 'asociacionit' të Ramës

19:00, 01/11/2023
A+ Aa A-

Mediat e varura nga pushteti po hyjnë në një fazë të re. Nga shërbëtore të propagandës së Edi Ramës ato po shndërrohen në përkëdhelëse të vanitetit të tij.

Pjesa më e madhe e mediave janë përmbytur me një masturbim pro udhëheqësit, duke prodhuar një lajm, sipas të cilit Albin Kurti ka pranuar në Bruksel draftin sekret të asociacionit të propozuar në fillim të qershorit nga Edi Rama.

Lapsi.al i ka ndjekur dy televizonet kombëtare të vendit, Top Channel dhe TV Klan që patën si temë kryesore të kësaj të mërkure lajmin se drafti i asociacionit që u pranua në Bruksel nga Albin Kurti është i njëjtë me dokumentin të cilit Edi Rama nuk i tregoi as hartuesit dhe as origjinën. Mesazhi i kësaj vale propagandistike është i thjeshtë. Shefi i qeverisë së Kosovës u detyrua të pranojë përmes presionit ndërkombëtar, atë që e refuzoi kur donte t’ia linte në dorë kryeministri ynë.

“Kur u propozua nga Kryeministri Rama, në Shqipëri e Kosovë shpërthyen akuzat kundër tij, ndoshta edhe për faktin se drafti nuk ishte publik. Por ai u përshëndet nga emisarët e BE dhe SHBA, Lajçak e Escobar, ndërsa Brukseli e vlerësoi si serioz. Pranimi i propozimit të Kryeministrit Rama bëhet kështu për herë të parë një bazë e ndërtimit të një dokumenti të Bashkimit Europian për një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë”, thuhej në kronikën e TV Klan, që ishte lajm i parë i këtij televizioni. Pas nuk mbetej as Top Channel: “Draft- statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, e ka një “pikë referimi” dhe kjo është pikërisht drafti i propozuar në qershor të këtij viti nga kryeministri shqiptar”, thuhet aty.

Pastaj mediat online që i shërbejnë të njëjtit qëllim u bombarduan me tituj që pyesnin me ironi: “Po tani ç’do thonë kundër madhështisë së liderit tonë”? Në bazë të kësaj fushate qëndronte një shkrim koment i gazetarit të Albanian Post, Vitjon Nina, me titullin: E tani, çfarë do t’i thonë Ramës?! Aty thuhej: “Një draft i një kryeministri shqiptar, për të parën herë bëhet bazë e ndërtimit të një dokumenti të Bashkimit Evropian për një marrëveshje të tillë, të këtij kalibri, për normalizimin e raportit mes dy shteteve, me shpresë për një rajon të gjithin. Utopia u shterua nga koha dhe shqiptarët e Kosovës mund dhe duhet ta kuptojnë, se kush bëri çfarë”.

Së pari, se me një qëndrim zyrtar qeveria e Kosovës e mohoi vërtetësinë e draftit të bërë publik. Ky fakt quhej i parëndësishëm dhe nuk përmendej fare në asnjë nga kronikat glorifikuese.

E dyta, dokumenti që i është paraqitur nga Makron, Scholz dhe Meloni dyshes Kurti dhe Vuçiç është një dokument kornizë, mbi të cilin palët prezumohet të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre. Pra, si i tillë, ai është i ndryshueshëm. Natyrisht në të ka ngjashmëri me të gjitha propozimet e mëparshme, pasi temat për mënyrën se si do krijohet asociacioni i komunave serbe janë pak a shumë të njëjta. Si i tillë ai mund të ketë edhe disa pika të përbashkëta me ato që Rama pretendon se janë propozimet e tij.

Por nga këtu, të shkosh tek glorifikimi i liderit të madh të një vendi të vogël, ngjan pak e tepruar.

Së treti, u harrua se presidenti Vuçiç nuk pranoi ta nënshkruante këtë draft dhe e hodhi poshtë propozimin e bashkëngjitur me të për të njohur “de facto” pavarësinë e Kosovës. Pra, ne jemi ende shumë larg themelimit të një asocacioni sipas modelit të paraqitur nga Rama. Finalizimi i tij duket shumë i vagullt, për sa kohë që Serbia nga ana e saj nuk mërr përsipër të zbatojë detyrimet e saj.

Por të gjitha këto argumenta nuk kanë asnjë vlerë për sahanlëpirësit e udhëheqësit. Qëllimi i tyre është të tregojnë se Rama është aq i fortë, sa ia uli kokën Kurtit me anë të presionit ndërkombëtar, dhe se ai ka arritur në përmasa aq të pakapshme sa t’u ofrojë zgjidhje edhe Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Romës./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco