Masa e SPAK ndaj Berishës, shuhen zërat për ‘përçarje’ në grupin parlamentar të PD

Masa e SPAK ndaj Berishës, shuhen zërat për ‘përçarje’ në grupin parlamentar të PD

12:13, 23/10/2023
A+ Aa A-

Heshtja e deputetëve të ‘grupit Bardhi’ pas masës së sigurisë të GJKKO dhënë ndaj kreut të PD-së Sali Berisha është interpretuar në disa dritare mediatike si një shenjë e një përçarjeje të re mes deputetëve demokratë pas ribashkimit.

Megjithatë, Gazment Bardhi shoi këto zëra këtë të hënë teksa u shpreh se masa ndaj Berishës ishte jo në përputhje me Kushtetutën-një qëndrim i njëjtë me atë që ka shprehur më herët kreu i PD.

Kreu i grupit parlamentar të PD Bardhi tha se SPAK fillimisht duhet ti drejtohej parlamentit për të miratuar një masë që kufizon lirinë e një deputeti.

Ai parashtroi se nëse një kërkesë e tillë do të vinte në Kuvend, do të votonte pro, por shtoi se mënyra se si ka vepruar prokuroria me rastin e Berishës është shkelje e rëndë kushtetuese që sipas tij, ngre pikëpyetje të forma mbi arsyen e nxitimit të SPAK.

‘Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK. Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor’, tha Bardhi në një deklaratë për mediat.

Bardhi listoi të gjitha aferat e dyshuara të kreut të qeverisë Edi Rama dhe ngriti dyshime se pse Prokuroria e Posaçme nuk ka ngritur akuzë ndaj tij.

‘S’kemi betejë me drejtësinë dhe kur s’jemi dakord me aktet e saj’, theksoi Bardhi, ndërsa shtoi se ‘beteja me keqqeverisjen e di Ramës do jetë pa kompromis’.

Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv nga SPAK në procedimin penal për privatizimin e kompleksit sportiv Partizani. Ndaj tij, GJKKO me kërkesë të prokurorisë, ka dhënë në mungesë masat e detyrim paraqitjes dhe ndalimit të lëvizjes jashtë vendit. Për të njëjtën çështje, është dhënë dhe ekzekutuar masa e sigurisë së arrestit me burg për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Berishës dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi. Të dy akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas prokurorisë, Malltezi, duke u favorizuar nga pozita e Sali Berishës si kryeministër, ka përfituar 5.4 milionë euro aksione në një kompani nga biznesmeni Fatmir Bektashi, në shkëmbim të veprimeve  favorizuese qeveritare.

Berisha hodhi poshtë akuzat në një deklaratë për mediat ndërsa e cilësoi hetimin e SPAK politik dhe të dirigjuar nga kryeministri Edi Rama për të goditur opozitën. Berisha u shpreh se vendimi për të transformuar truallin nga zonë sportive në truall për ndërtim është marrë nga Edi Rama kur mbante postin e kryebashkiakut të Tiranës. /Boldnews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco