INTERVISTA/ Av. Gjokutaj: Rama ka ndërmarrë aktin final të goditjes të z. Berisha, procesi i stisur dhe i palidhur me të

INTERVISTA/ Av. Gjokutaj: Rama ka ndërmarrë aktin final të goditjes të z. Berisha, procesi i stisur dhe i palidhur me të

11:20, 23/10/2023
A+ Aa A-

"Këto materiale që janë mbajtur në sirtar prej tre vjetësh pa i dhënë drejtim këtij hetimi, ishin pikërisht “guri i betejës” së Ramës për të goditur penalisht Sali Berishën. Sali Berisha në këtë çështje është përfshirë në momentet e fundit për arsye se kësaj çështjeje i duhej dhënë një ngjyrë politike, sepse edhe qëllimi ky është."

"Ajo që duhet thënë dhe që rezulton, por që SPAK-u dhe vendimi i gjykatës nuk e thonë dhe kjo është shumë e rëndë, është fakti që kryetari i mazhorancës së sotme, Kryeministri Rama, në atë kohë në cilësinë e kryetarit të KRT, ka firmosur kthimin në truall ndërtimi të sheshit të Klubit “Partizani”; sigurisht ka dhënë edhe lejen e ndërtimit. "

"Kjo çështje është regjistruar më 1 dhjetor të vitit 2020 dhe Prokuroria, posaçërisht SPAK-u e ka mbajtur në dorë këtë çështje duke mos qenë edhe kompetente për ta hetuar, pasi Jamarbër Malltezi siç dihet nuk është subjekt i SPAK-ut... nuk ka qenë asnjëherë as zyrtar i lartë dhe as i zgjedhur vendor."

Intervistë me analistin dhe avokatin e mirënjohur. z. Genci Gjokutaj në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Kafe Shqeto: Një pyetje të thjeshtë si fillim, me karakter politik. Sali Berisha këtë të hënë, është më i fortë apo më i dobët se të shtunën?

Av. Gjokutaj: Një gjë është e sigurt, që vendimi i SPAK-ut në këtë moment, pikërisht në këtë moment, na bën me dije për dy gjëra. E para që SPAK-u përfundimisht shfaqet si një strukturë, si një institucion që vepron me kalendar politik dhe e dyta... Pse e them këtë?! Po të shikojmë akuzën, së paku vendimin e Gjykatës që ka caktuar masën e sigurimit “Detyrim paraqitjeje”, “Ndalim daljeje jashtë shtetit” për z. Berisha dhe atë të “Arrestit më burg” për Jamarbër Malltezin,  dy – tri elementë do t’ju them që edhe një njeri, që nuk ka njohuri juridike e kupton.

Së pari: për Berishën, si deputet i Kuvendit duhet të konsumohej me detyrim, në mënyrë obliguese, procedura e dhënies së lejes së parlamentit, pasi si ndalimi i daljes jashtë shtetit, ashtu edhe masa tjetër e sigurimit – detyrim paraqitjeje - janë masa shtrënguese, të cilat kufizojnë lirinë dhe si  të tilla ato duhet të kalojnë nëpërmjet Kuvendit, posaçërisht nëpërmjet Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve dhe më pas të kalojnë në seancë parlamentare nëse do të jepet leja apo jo.

Ky është një gabim shumë i rëndë, por jo një shkarje, harresë apo një padijeni e gjykatës edhe e SPAK-ut, por kjo është bërë me një urgjencë të tillë pa përfillur fare ligjin. Kjo është shumë shqetësuese sepse kjo krijon një standard shumë negativ se shmangia e parlamentit cenon sigurinë juridike të deputetit, edhe të personit që e përfaqëson, por krijon edhe precedentët negativë në raste të tjera ku elementë të tjerë, persona të tjerë, subjekte të tjerë mund të goditen. 

Ka një element tjetër aty në dosje, po të shikosh vendimin e Gjykatës, që Jamarbër Malltezi akuzohet në cilësinë e “zyrtarit të lartë” apo të të zgjedhurit vendor. Ky është një absurditet tjetër i këtij vendimi, por që edhe kjo nuk është një mungesë vëmendjeje; ajo është bërë me koshiencë të plotë.

Pra, sipas vendimit të Gjykatës dhe versionit të SPAK-ut, as më shumë dhe as më pak, Fatmir Bektashi një ndërtues, paska korruptuar Jamarbër Malltezin në cilësinë e zyrtarit të lartë!!!

Pastaj, tjetër akuzë që është ngritur për Jamarbër Malltezin është “pastrimi i produkteve të veprës penale”, një akuzë e cila nuk mund të qëndrojë pa provuar paraprakisht se cila është vepra penale që ai ka konsumuar. Sigurisht që kjo vepër penale duhet të jetë e provuar në një gjykatë shqiptare apo të huaj, siç ndodh rëndom në rastet e aplikimit të kësaj akuze dhe sekuestrimit të pasurive që bëhen për persona të tillë.

Për shembull, keni parë  praktikat në Itali, në Francë, shqiptarë të dënuar andej, të cilët pastaj akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale. Pra, duhet të kesh konsumuar paraprakisht një vepër penale e cila sillte përfitime të paligjshme dhe këto pastaj të futeshin në kanalet e investimit. 

Kjo çështje është regjistruar më 1 dhjetor të vitit 2020 dhe Prokuroria, posaçërisht SPAK-u e ka mbajtur në dorë këtë çështje duke mos qenë edhe kompetente për ta hetuar, pasi Jamarbër Malltezi siç dihet nuk është subjekt i SPAK-ut, nuk është subjekt i SPAK-ut, pasi ai nuk mund të jetë edhe po ta supozojmë këtë vepër penale, nuk është ai subjekt i kësaj dispozite për të cilën këta e akuzojnë, pasi siç dihet Jamarbër Malltezi nuk ka qenë asnjëherë as zyrtar i lartë dhe as i zgjedhur vendor.

Kafe Shqeto: Z. Gjokutaj, Berisha në këtë histori nuk e ka firmën e vet gjëkundi në një mënyrë pro aktive për të favorizuar, dhëndrin e vet e megjithatë, SPAK-u duket sikur sheh gjurmë të Berishës kudo, por nuk sheh gjurmë të kryeministrave socialistë, nuk sheh gjurmë të Edi Ramës si drejtuesi i KRT-së.. Nëse e marrim të mirëqenë që Jamarbër Malltezi ka përfituar bashkë me katër familje të tjera që ishin pronare legjitime, kë do të duhej SPAK-u të kishte proceduar?

Av. Gjokutaj: Është tragjike dhe komike njëkohësisht kjo histori. Kjo procedurë ka filluar në vitin e largët 1995.  Nëse këta do të thonë që ka ndikuar “për përshpejtimin”, unë nuk e di... Jemi në vitin e 28-të, kanë kaluar disa qeveri, shumica socialiste, të cilat kanë firmosur gjithë këtë praktikë. Ka një korrespodencë me dhjetëra faqe, qindra faqe, të ministrive dhe institucioneve në lidhje me privatizimin; po ka vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave për kthimin, është një i vitit 1999 dhe i vitit 2002 të qeverisë së Fatos Nanos.

Pra, kjo praktikë nuk ka pasur kurrfarë elementi korruptiv përveçse një zvarritjeje për arsye jashtë politikës.

Ajo që duhet thënë dhe që rezulton, por që SPAK-u dhe vendimi i gjykatës nuk e thonë dhe kjo është shumë e rëndë, është fakti që kryetari i mazhorancës së sotme, Kryeministri Rama, në atë kohë në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit ka firmosur kthimin në truall ndërtimi të sheshit të Klubit “Partizani”; sigurisht ka dhënë edhe lejen e ndërtimit. Këto janë akte të firmosura nga ai dhe për ironi të fatit, e gjithë kjo pronë, e cila ka qenë në bashkëpronësi dhe me pronarë të tjerë është zgjatur në “kalendrat greke”, nëpërmjet procesit gjyqësor, sepse po personi, i cili ka firmosur miratimin e këtij trualli që thamë, z. Rama, po ky pastaj nuk ka zbardhur lejen dhe ka bërë konflikt gjyqësor e ky konflikt gjyqësor pastaj e ka “zvarritur” -  jo përshpejtuar, por zvarritur - këtë procedurë, shkak për të cilin më pas bashkëpronarët kanë marrë edhe dëmshpërblimin nga gjykata  për shkak të dëmit që u ka ardhur, për shkak të vonesës së lejes së ndërtimit. 

Këtu SPAK-u ngre disa pretendime absurde. Thotë që “i ka përshtatur në cilësinë e Kryeministrit, i ka përshtatur ligjet që të lehtësohet puna e Jamarbër Malltezit”. Ky është një pretendim absurd sepse me atë vendim, me atë vendimmarrje kanë përfituar dhjetëra e dhjetëra shqiptarë e qindra po themi, se nuk është vetëm kjo pronë në Tiranë; e para.

E dyta; po të shikosh ndryshimet që janë bërë në kohën kur Kryeministri Berisha ka qenë në detyrë, ndryshimet nuk janë lehtësuese apo liberalizuese, por përkundrazi, ato vendime janë me kritere shtrënguese, strikte.

Po ju them vetëm një rast, që ai vendim abrogoi apo anuloi vendimet e gjykatave, ku njerëzit vërtetonin pronësinë me tre dëshmitarë në gjykatë dhe ka vënë filtra dhe kritere rreptësisht të përcaktuara që  pronarët e vërtetë të marrin dhe të gëzojnë pronën.

I vetmi faj është që Sali Berisha ose Jamarbër Malltezi ka qenë dhëndri i Sali Berishës, i cili, sipas logjikës së akuzës dhe të Gjykatës, nuk duhet ta zhvillojë pronën sepse, nëse dhëndri i një kryeministri zhvillon pronën në pronë të tij, ky quhet akt korruptiv!!!

Imagjinoni se çfarë ndodh sot me investitorët strategjikë, çfarë ndodh sot me Portin e Durrësit, çfarë ndodh sot me shpronësimin e pronarëve në mes të Tiranës dhe duke ia marrë pronën e dhënë një investitori tjetër, duke penguar pronarin e vërtetë për zhvillimin e asaj prone, që janë raste të pastra shpërdorimi dhe kjo praktikë, që në fund të fundit kjo çështje nuk është çështje as konflikt civil dhe jo që më të hetohet nga SPAK-u dhe të jetë element penal.

Kafe Shqeto: Fundi i kësaj historie në aspektin ligjor. Pra, do të ketë një vendim gjykate? Dyshimi është sikur do të jetë në favor të Berishës, por qëllimi nuk është se vendimi i gjykatës është te zvarritja e procesit para vendimit?!

Av. Gjokutaj: Për procesin penal po thoni?! Ky proces, po ta shikosh nga pikëpamja formale, kallëzimi i bërë nga shtetasi Taulant Balla në atë kohë, nuk ka lidhje fare me hetimin, me hetimin e çështjes. Këta kanë devijuar hetimin.

Pra, këta kanë tri vjet që e kanë këtë çështje në dorë  dhe justifikimi i arrestit dhe i detyrim paraqitjes pas tri vjetësh (le që s’janë pyetur asnjëherë), por mbas tri vjetësh këta nuk kanë tentuar të largohen, nuk kanë intimiduar njeri, nuk kanë prishur provat ( kritere dhe kushte të cilat  i kërkon ligji që për të caktuar një masë sigurimi) kjo është flagrante!

Kjo është flagrante!  Nuk e di se si do ta vazhdojnë këtë hetim, sepse të akuzosh një bashkëpronar në pronë të tij që ka zhvilluar pronën e tij dhe ta kthesh në element korruptiv dhe për më tepër, një shtetasi t’i vësh cilësinë e zyrtarit të lartë vetëm e vetëm sepse duhet që ai të goditet penalisht dhe të inkriminohet me çdo kusht, kjo është shumë e rëndë. Jo është shumë e rëndë, kjo ka cenuar standardet e një procesi të rregullt ligjor, sepse në fund të fundit pronarët duhet të ishin thirrur të gjithë në prokurori; ata duhet të ishin pyetur në të gjithë aspektin, në të gjithë gamën e problematikës që një pronë, zhvillimi i një prone ka, por nuk është vepruar kështu.

Për me tepër që në media kanë dalë disa dëshmitarë të cilët tregojnë as më shumë, as më pak, biseda, muhabete që kanë bërë lart e poshtë, por asnjë akt të shkruar, i cili të shkojë në favorin e akuzës.

Kafe Shqeto: Po babai i Igli Tares, që nuk mbante mend kë kishte takuar dhe i kishin ofruar apartamente?

Gjokutaj: Këto janë legjenda urbane, këta janë dëshmitarë të shërbyer. Në kohën e Enverit kishte dëshmitarë të tillë, që i merrnin e u jepnin tekstin dhe ai e recitonte në gjykatë. Ky proces, përveçse i parregullt, është edhe i turpshëm nga pjesa e korrupsionit moral të organeve të drejtësisë të cilët duke qenë koshientë që një krim korruptiv nuk provohet me biseda e me muhabete po provohet me akte shkresore.... Ka zhvilluar pronën e tij dhe ky quhet akt korruptiv!!!

Kjo është një marrëdhënie private midis ndërtuesit dhe pronarëve dhe këtu mbyllet gjithë kjo histori. Kjo nuk ka as probleme civile midis bashkëpronarëve le të themi ose ndërtuesit dhe bashkëpronarëve. Nuk ka! As dëm ekonomik! Për më tepër, nëse doni ta dini, Klubi “Partizani” ka qenë i zënë forcërisht siç janë pas zënë atëherë kur kishte familje pa strehë dhe me zhvillimin e kësaj prone nga ana e bashkëpronarëve, sigurisht me një kosto ekonomike shumë të madhe për ta, u janë dhënë apartamente po aty.

Kafe Shqeto: Zaptuesve, të cilëve iu referohet z, Tare në dëshminë e tij, ku thotë që dhomat e zhveshjeje ishin zënë nga familje abuzive?

Av. Gjokutaj: Po pikërisht se iu ishin zënë pastaj, se u ndryshua destinacioni, u kthye në shesh ndërtimi. Ka një korrespodencë të madhe të ministrive, të Turizmit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të Ministrisë së Mbrojtjes, pra ka një praktikë dokumentare të dendur dhe për ironi të fatit të qeverive socialiste, kanë një korrespodencë midis tyre pikërisht për statusin e Klubit Partizani dhe për kryerjen e procedurave në lidhje me të.

Pra. për shkak të gjatësisë në kohë kjo çështje është kaluar në duar nga të gjitha qeveritë e mundshme në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë lloj problematike. Absolutisht qoftë edhe një ministër apo një audit ... Në bashki janë bërë shtatë gent-plane kur ka qenë z. Rama kryetar i bashkisë, janë bërë shtatë gent-plane të asaj prone dhe nuk ka pasur asnjë problematikë.

Po kështu,  edhe këto VKM-të që janë marrë, vendimmarrja e qeverisë Berisha dhe projektligjet që janë bërë në lidhje me Agjencinë e Kthimit të Pronave, që ka qenë për gjithë shqiptarët që kanë pasur prona dhe kërkonin t’i zhvillonin, edhe nga spektri politik i majtë, nuk ka pasur asnjë lloj objeksioni, nuk ka pasur asnjë lloj vërejtjeje në atë kohë, por janë kaluar me unanimitet dhe mbi bazën e atij ligji, sot e kësaj dite shqiptarët, pavarësisht se dhëndrat e kujt janë apo vëllezërit apo motrat, ndërtojnë dhe zhvillojnë pronën e tyre.

Kafe Shqeto: Z. Gjokutaj, cili është qëllimi i këtij procesi? A krijon pengesa për proceset politike deri në 2025-ës?

Av. Gjokataj: Ky është qëllimi! Ju e dini që në fillim Rama tentoi (sepse programi i tij për goditjen e opozitës dhe shkatërrimin e saj ka filluar qysh përpara) dhe tentativa e parë ishte largimi i Lulzim Bashës nga parlamenti, kur Ramës iu dha e gjithë mundësia që të kryente ato pseudo-reforma, por në mënyrë të njëanshme. Pastaj kjo kulmoi me përjashtimin e Sali Berishës me një vendim nominal të Lulzim Bashës siç e dini. Pastaj vijoi Rithemelimi dhe Foltorja, e cila u pengua në gjykatë për t’u regjistruar  dhe sot e kësaj dite çështja ndodhet në Gjykatën e Lartë e së fundmi, me radikalizmin e opozitës dhe bashkimin e opozitës rreth Partisë Demokratike me Kryetar Sali Berishën!

Ju e patë reagimin e kësaj mazhorance dhe sigurisht që këto materiale që janë mbajtur në sirtar prej tre vjetësh pa i dhënë drejtim këtij hetimi, ishin pikërisht “guri i betejës” së Ramës për të goditur penalisht Sali Berishëm.

Sali Berisha në këtë çështje është përfshirë në momentet e fundit për arsye se kësaj çështjeje i duhej dhënë një ngjyrë politike, sepse edhe qëllimi ky është. Ata nuk janë kujdesur që ta lënë në limitetet e një çështjeje penale të hetohej e tashmë duhej të ishte gjykuar. Bile për mendimin tim dhe sipas ligjit, kjo çështje, edhe po të kishin një problem me ndërtuesin dhe me pronarin aty, Jamarbër Malltezin, duhej t’i kalonte Prokurorisë së Tiranës për shkak se ata nuk përbëjnë subjekt nga ato që... Nuk kanë cilësinë e zyrtarit të lartë dhe nuk mundet të qëndronte në SPAK, hetimi i kësaj çështjeje.

Ky hetim i kësaj çështjeje është një goditje që i bëhet Kryetarit të PD në vazhdën e goditjeve që ky pushtet, i cili qëndron në pushtet jo mbi bazën e votës por mbi bazën e blerjes së saj dhe blerjes së një pjese të opozitës (kam parasysh grupin e Bashës) dhe kësaj radhe ka marrë aktin final duke dashur që ta inkriminojë z. Berisha, kryetarin e opozitës shqiptare me një proces të stisur, me një proces të paqenë dhe të palidhur me të. Mbi të gjitha, jo vetëm z. Berisha që është jashtë këtij procesi, por edhe dy të tjerët që fliten në lidhje me zhvillimin e asaj prone , secili në pozicionin e ndërtuesit dhe të pronarit, nuk i kanë shkaktuar asnjë lloj dëmi ekonomik apo social as shtetit, as shtetasve e jo më që të flitet këtu për një akt korruptim apo element penal të kësaj natyre.

Unë e kam thënë, e them dhe do ta them që SPAK-u së fundmi u shfaq. Edhe kush kishte dyshimin më të vogël që SPAK-u lufton korrupsionin, që SPAK-u është krejtësisht i pavarur nga politika, kësaj radhe, tej çdo dyshimi, SPAK-u u shfaq me zë dhe me figurë dhe me kalendarin politik në dorë.

SPAK-u, të paktën dy vjetët e fundit, ka vepruar me një kalendar të pastër politik dhe janë të gjitha provat dhe faktet që e vërtetojnë një gjë të tillë./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco