VIDEO-SYRI TV/ Veliaj ‘hap thesin’ për inceneratorin, bashkia 850 mijë euro Zoto-Mërtirit

14:32, 19/10/2023
A+ Aa A-

Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj, vijon pagesat e majme për inceneratorin inekzistent të Sharrës. Në datën 17 tetor, kryebashkiaku i Tiranës ka firmosur pagesën e dy faturave për kompaninë ‘Integrated Energy BV’, vlera e totale të cilave është 850 mijë euro. Që nga fillimi i muajit tetor, pasi miratoi rreth 5.7 milionë euro shtesë për inceneratorin, Erion Veliaj ka ezauruar pothuajse 40% të këtij fondi, duke kryer në dy javë më shumë se 2.5 milionë euro pagesa për kompaninë e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Nga SYRI TV

Pasi i hoqi 5.7 milionë euro fëmijëve të Tiranës, Erion Veliaj duket se e ka pasur me ngut që këto para t`i kalojë në llogaritë e kompanisë ‘Integrated Energy BV’ në pronësi të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Në vetëm pak ditë brenda muajit tetor, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka kryer pagesën e shtatë për inceneratorin inekzistent të Sharrës. Në datën 17 tetor, bashkia e Tiranës i ka paguar ‘Integrated Energy BV’ edhe dy  fatura të tjera, njëra me vlerë 82 milionë lekë dhe tjetra me vlerë 4.6 milionë lekë.

Në total, vlera e këtyre faturave shkon në rreth 87 milionë lekë, ose konvertuar në valutë të huaj në rreth 850 mijë euro. Ndryshe nga herët e tjera kur fatura paguaje për ndërtimin e landfillit dhe depozitimin e mbetjeve në Sharrë, te specifikimet e faturës që Bashkia e Tiranës i ka paguar ‘Integrated Energy BV’ në datën 17 tetor, shkruhet: Shpenzime për të tjera materiale dhe shërbime operative.

Ende mbetet e paqartë nëse ky devijim i objektit të faturës ka të bëjë me hetimet e SPAK për inceneratorin e Sharrës, ku kompania koncensionare e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit është nën sekuestro, ndërsa opozita ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj si përgjegjës direkt për koncensionin abuziv.

Në total, pasi rialokoi fondin prej 5.7 milionë euro për inceneratorin, në vetëm 19 ditë të muajit tetor, Erion Veliaj ka ezaruaru pothuajse 40% të këtij fondi për pagesat e inceneratorit.

Thënë ndryshe, nga data 1 tetor e deri më tani, kryebashkiaku i Tiranës ka paguar më shumë se 2.5 milionë euro në llogaritë e kompanisë Integrated Energy Bv, e cila ka fituar koncensionin 30-vjeçar për inceneratorin e Sharrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco