Berisha: Asgjë nuk na përjashton ne nga parlamenti! Ne jemi sot parlamentarët e vërtetë të kombit!

Berisha: Asgjë nuk na përjashton ne nga parlamenti! Ne jemi sot parlamentarët e vërtetë të kombit!

12:33, 19/10/2023
A+ Aa A-

Deklarata e z. Sali Berisha, jashtë Kuvendit, ku deputetët e opozitës nisën sot lëvizjen e tyre për të drejtat e mohuara dhe qendrimin armiqësor të mazhorancës ndaj çdo aksioni e nisme politike të tyre.  

Berisha tha: "Kurrë ndonjëherë nuk do mund të caktojnë përfaqësuesin e opozitës. Për Oerd Bylykbashin kanë firmosur 30 deputetë të opozitës si përfaqësuesi ynë.
Unë e kuptoj se ju jeni të interesuar se si do vazhdojë.

Ky është vetëm fillimi. Përfundimi do jetë fitorja! Nuk ka folur njeri për djegien e parlamentit, por akt i turpshëm ishte fikja e dritave. Çfarë ordinerësh janë këta.

Asgjë nuk na përjashton ne nga parlamenti. Ata mendojnë se na përjashtojnë, por në fakt ne jemi sot parlamentarët e vërtetë të kombit. Edhe 46 po të përjashtohen, të jenë të sigurt se ne nuk dorëzohemi, nuk tërhiqemi!

Prisni, durim të keni! Hapi konkret filloi, ju seancë pas seance do i ndiqni të gjitha. Por një gjë ta keni të sigurt, tërheqje nuk ka! Nuk e njohim vendimin e përjashtimit. Unë them që demokracia nuk e njeh. E vetmja gjë që kërkoj është që hapat që do bëjmë, do i bëjmë të sigurta, dhe kërkohet durim se kjo nuk është një lëvizje sot për nesër. Kjo është një lëvizje për fitore!"

"Kjo ditë shënon një fillim të ri për opozitën, shënon fillimin e qëndresës me të gjitha format deri edhe te mosbindja civile"

Image

Berisha: Në mënyrën më të përsëritur ne kemi paralajmëruar se kjo situatë nuk do mund të pranohet nga opozita. Dhe se loja me kallp-opozitën është akti më i shëmtuar që mund të bësh në një vend të lirë.

E vërteta është se Edi Rama, jo vetëm ka ecur duke shkelmuar gjithnjë e më shumë Kushtetutën, ligjet, parimet, por është i gatshëm të ecë gjer në fund në rrugën e tij.

Kjo ditë shënon një fillim të ri për opozitën, shënon fillimin e qëndresës së saj me të gjitha format e një beteje gjer deri edhe te mosbindja civile, forma të ndryshme të grevave, protestave, të cilat duhet të rikthejnë parlamentarizmin, duhet të rikthejnë në Shqipëri, votën e lirë për shqiptarët.

Faktikisht, ky parlament është krejtësisht fiktiv. Opozita në këtë parlament është një fiktivitet, janë 6 komisionet hetimore parlamentare që janë refuzuar në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Janë gjashtë komisione parlamentare të refuzuara, sepse që të gjitha në një mënyrë ose në një tjetër, çojnë direkt te Edi Rama.

Është refuzuar hetimi i aferës Rama-McGonigal, është refuzuar hetimi i Ismailit, shpenzimit të 22 milionë eurove në më pak se dy vite, nga Edi Rama me avion në dispozicion, si për qëllime zyrtare dhe jozyrtare në një abuzivitet të përmasave të një sheiku.

Është bllokuar, nuk është pranuar komisioni për shqyrtimin e zbatimit të ligjit të konfliktit të interesit. Sepse është Edi Rama personalisht me familjarët, sojin dhe sorollopin e tij, që ka shkelur këtë ligj më shumë se çdo njeri tjetër në 30 vite të marra së bashku. Ua them unë. Më shumë se çdo politikan në 30 vite të marra së bashku.

Është refuzuar komisioni për Portin e Durrësit, i cili në dritën e të dhënave të zhvillimeve të fundit të Amant Josifit dhe bandave, rezulton se prapa Al Alabarit, qëndrojnë bosët e tmerrshëm të krimit, të larjes së parave, të drogës, të vjedhjes së qytetarëve europianë me Bitcoin.

Vetëm afera e Portit të Durrësit, shkon minimumi 4 miliardë euro.

U refuzua hetimi i Taulant Ballës dhe Edi Ramës për TIMS-in, zhdukjen e TIMS-it. Ju e dini se unë që në vitin 2014, kam denoncuar publikisht me dhjetëra herë, udhëtimet e Olsi Ramës me mjetin e adoptuar të grupit të Xibrakës, me të cilin transportonin drogë jashtë kufirit.

Në librarinë time dixhitale janë të paktën, të dokumentuara, 6 udhëtime të Olsi Ramës me makinën e grupit të Hakmarrjes.

Janë denoncime të 54 udhëtimeve të Taulant Ballës me Edmond Begon. Së fundmi kanë ardhur denoncime të reja të udhëtimeve të Taulant Ballës me Pëllumb Gjokën, që siç thuhet i kanë dhënë pasaportë shërbimi me emrin Kolombo.

Janë të gjitha këto që qëndrojnë të stamposura në sistemin TIMS. Dhe Taulant Balla në dy javët e tij të para të qenies si ministër, shkatërroi sistemin. Pra, janë gjashtë komisione hetimore parlamentare, të cilat në kundërshtim të hapur me ligjin dhe Kushtetutën- të cilat ngrihen automatikisht- që janë refuzuar në mënyrë antikushtetuese."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco