Këlliçi: Dorëzuam në SPAK 653 faqe dëshmi të aferës korruptive të Inceneratorëve

14:45, 18/10/2023
A+ Aa A-

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka bërë të ditur se, sot i janë dorëzuar drejtuesit të SPAK, 653 faqe me prova dhe dokumente që zbardhin aferën korrutive të inceneratorëve.

DEKLARATË E ANËTARIT TË KRYESISË, BELIND KËLLIÇI

Të nderuar qytetarë,

Sot po i përcjellim zyrtarisht z. Altin Dumani, një material të plotë (653 faqe), produkt i një pune voluminoze 4 mujore nga Grupi i Ekspertëve të Partisë Demokratike, për zbardhjen e plotë të aferës korruptive të Inceneratorëve.

Në këtë material, Grupi i Punës ndihmon në mënyrë thelbësore për hetimin e kësaj çështje, sidomos lidhur me deklarimet e rreme të dhëna në Letër Porositë, nga aksionerët e sotëm. Këtë material po i’a përcjellim në mënyrë urgjente z. Altin Dumani, pasi ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të financimit të këtij projekti korruptiv, me para të dyshimta, për të cilat i takon SPAK të hetojë nëse janë para të zyrtarëve të veshur me pushtet, apo janë para të grupeve kriminale si Ndragheta, etj.

Sot nuk po bëjmë publik, asnjë dokumentacion, pasi besojmë fort se z. Dumani, pas ditës së sotme, do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere.

Gjithsesi ju bëjmë me dije se ky material përmban të dhëna autentike si:

• Kontrata të nënshkruara mes palëve.

• Dokumentacion zyrtar të cilin SPAK nuk e ka gjetur pranë Institucioneve Shqiptare.

• Komunikime elektronike mes palëve si dhe shumë dokumente financiare.

Gjej rastin edhe njëherë, të falënderoj qytetarët e shumtë si dhe gazetarët kurajozë, të cilët për muaj me radhë kanë bashkëpunuar me Grupin e Ekspertëve të ngritur pranë Partisë Demokratike, edhe pse shpesh herë janë përballur me kërcënime dhe baltosje nga makineria e propagandës qeveritare.

Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj afere korruptive, e cila pa diskutim ka ideatorë dhe përfitues kryesorë dyshen Rama – Veliaj, për të cilët po përgatiten 3 kallëzime të reja pranë SPAK.

Pushteti arbitrar dhe korruptiv i Edi Ramës, mund t’i caktojë kryetarin opozitës, mund t’i caktojë grupin parlamentar, mund t’i mohojë komisionet hetimore parlamentare, por asnjëherë misionin e saj. Ne jemi të vendosur që çështjet publike, të parave të taksapaguesve, t’i ngremë me forcë dhe të kërkojmë zgjidhje nëpërmjet çdo mënyre të ligjshme.

Megaafera e inceneratorëve është vetëm njëra prej tyre.

Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco