Emmanuel Macron në Tiranë, sot takim kokë më kokë me presidentin Begaj

Emmanuel Macron në Tiranë, sot takim kokë më kokë me presidentin Begaj

08:08, 17/10/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, do të takohet këtë të martë me Presidentin e Shqipërisë,  Bajram Begaj.

Gjatë pritjes së Macron nga kreu i shtetit, do të interpretohen himnet kombëtare të të dyja vendeve për të vijuar më tej me prezantimet e ekipeve respektive dhe fotos zyrtare në hollin “Nënë Tereza”.

Më pas në orën 08:35-09:05 dy liderët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë.

Macron mbërriti në Tiranë mbrëmjen e djeshme (16 tetor), duke shënuar vizitën e parë zyrtare të një Presidenti francez në Shqipëri, njofton RTK.

Macron mbërriti në kryeqytet pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit, takim të cilin e humbi për shkak të shtyrjes me disa orë të vizitën prej sulmit të ndodhur në një nga shkollat franceze ditën e premte, ku një mësues francez u vra me thikë nga një ish-nxënës i radikalizuar në Arras (Pas- de-Calais).

Presidenti Macron e ka nisur vizitën zyrtare në Shqipëri duke i dorëzuar shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.

Ceremonia u mbajt te Pallati i Brigadave, ku Macron vlerësoi punën e Kadares, duke përmendur edhe disa nga veprat e tij. Ai e vlerësoi Kadarenë për rolin si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës dhe për lidhjen që mishëron mes Shqipërisë dhe Francës.

Më pas, Macron u takua me Kryeministrin Edi Rama ku shkëmbyen vlerësime dhe deklarata miqësie në Pallatin e Brigadave, aty ku u zhvillua edhe ceremonia e pritjes së presidentit francez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco