Kujdes! Samiti i Tiranës nuk është vetëm Proces integrimi i Berlinit! Është shumë më tepër!

Kujdes! Samiti i Tiranës nuk është vetëm Proces integrimi i Berlinit! Është shumë më tepër!

09:51, 16/10/2023
A+ Aa A-

Nga Enver Bytyçi/ 

Sot në Tiranë zhvillohet samiti i radhës i Procesit të Berlinit! Jam shumë i lumtur për këtë, sepse nesër përfundimisht kryhet edhe ceremonia e varrimit e Open Balkan-it të Serbisë të mbështetur nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe ai i Maqedonisë së Veriut e Abazoviç si individ! Samiti që mbahet sot në Tiranë është një goditje e madhe për themeluesit e Minishengenit Ballkanik tetorin e vitit 2019 në Novi Sad të Vojvodinës! Në këtë samit do të merren disa vendime, të ngjajshme me ato që na serviren me propagandë samitet e Ballkanit të Hapur në Beograd, Shkup, Tiranë apo Ohër! Kur këto vendime merren nën kujdesin euro-gjerman dhe vendosin barazinë midis shteteve, ato janë të mirëpritura nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Sot në Tiranë do të jenë përfaqësuesit e gjashtë shteteve ballkanike, përfshirë Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin. Do të vijnë në kryeqytetin e Shqipërisë gjithashtu kancelari Scholz dhe presidenti Macron. A është rastësi kjo? Besoj se jo! Dy protagonistët kryesorë të BE-së vijnë në Tiranë jo për shkak të vendit të parafundit në botë, që Shqipëria zë në përhapjen e korrupsionit. Ata vijnë pikërisht për shkak të konfliktit Kosovë-Serbi. Ndaj dhe e detyruan presidentin e Serbisë të vinte vetë në këtë samit.

Por,Përballë nuk do të ketë vetëm kancelarin gjerman dhe presidentin francez. Organizatori i samitit do të jetë kundër tij. Do t’ia punojë edhe pas shpine. Mund “t’ia mbyll sërishmi sytë”! Aleksandër Vuçiç do të vazhdojë të tregojë përralla në stilin e Putin, se “Populli serb në Kosovë persekutohet”, se “qeveria e Albin Kurtit ushtron dhunë”, se “Policia e Kosovës është kriminale”, se, se... Pra, do të përpiqet që ta bëjë zotin Kurti jo vetëm përgjegjës për situatën, por edhe gogolin e zgjidhjes së saj.

Albin Kurtit do t’i duhet të përballojë edhe ndonjë propozim të disfavorshëm e pro-serb të Emmanuel Macron, ndërkohë që Olaf Scholz për sjellje etike diplomatike mund të mos reagojë kundër. Por në këtë përballje Macron do të ketë aleatë zotin Vuçiç dhe zotin Rama. Ky i fundit do të përpiqet “ta bindë” presidentin serb për ndonjë opsion të Macron p.sh për Asosacionin. Mund të bëhen përpjekje për ta rehabilituar dhe shfajësuar Serbinë, presidentin dhe qeverinë e saj nga përgjegjësia direkte e tyre në aktin terrorist të 24 shtatorit. Edhe në këtë rast i pari që do të reagojë pro Vuçiç, do të jetë Edi Rama. Ai, si organizator i samitit, nuk do t’i ikë tundimit për të qenë protagonist. Por protagonizmi i tij është shumë pragmatik, në funksion të pushtetit të tij. Këtë pushtet nuk ia garantojnë as Albin Kurti, as Vjosa Osmani. Ai beson se fuqia e pushtetit auto e kleptokratik të tij vjen nga mbështetja e Vuçiç në Serbi dhe Macron në Paris. Zotit Scholz nuk i beson aq shumë. E pësoi nga Merkel dhe ruhet nga Scholz!

Të paktën këto prognoza për ditën e sotme janë paralajmëruar! Prej 24 shtatorit e këtej kryeministri i Shqipërisë thotë se “Kurti po e dobëson pozicionin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”! Po dëshiron të thotë se, edhe pse serbët bëjnë akte terroriste, kjo nuk e prek pozicionin e mikut të tij, Aleksandër Vuçiç! Është Kurti ai që “dobësohet”! Rama e ka krahasuar aktin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit me Lazaratin dhe vrasjen e një komandoje pikërisht në Lazarat në vitin 2015. Skema e atëhershme ishte që të bëhej zhurmë për Lazaratin, që të mos shihej Shqipëria e kanabizuar në vitin pasardhës. Ndërsa tani kjo skemë është shumëdimensionalë. Të paraqitet terrorizmi si skenë krimi, jo terrori! Të largohet nga përgjegjësia presidenti Vuçiç. Pse jo? Mund të ketë dhe një skemë të tretë që aktet terroriste të përhapen në gjithë Kosovën dhe rajonin e Ballkanit dhe Beogradi të lajë duart, siç ndodhi me luftrat genocidiale të Serbisë të viteve 1990, kur u tha se “ato ishin luftëra civile”!

Kjo skemë mund të injektohet që sot në samitin e Tiranës. Ndaj besoj se Procesi i Berlinit nesër nuk është thjesht një mekanizëm integrimi. Shumë lehtë mund të shndërrohet në një mekanizëm mashtrimi dhe intrigimi. Prandaj i duhet Albin Kurtit që nesër të ruhet fort. Të ruajë gjakftohtësinë! Të shtojë kthjelltësinë! Të përgatitet e të shkojë në Tiranë me valixhen e argumenteve të plota e të pakundërshtueshme. Të mos tundohet kur ti thonë se kjo “ngjarje” e 24 shtatorit tashmë kaloi, hajde të bisedojmë”! Gjitha përpjekjet do të bëhen fillimisht për ta bindur kryeministrin e Kosovës të ulet me presidentin e Serbisë. Pastaj do të bëjnë çmos që ta “nënshtrojnë” me zgjidhje të opsionit të Serbisë!

Ndaj nuk duhet besuar aq fort, se 24 shtatori i ndryshoi balancat! Përkohësisht po! Por që sot do të nisë aksioni i rikthimit të balancave, në të cilat Serbia të jetë prioriteti i dialogut! Kujdes!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco