Kosova e Shqipëria, të pakoordinuara për Samitin e Berlinit në Tiranë

Kosova e Shqipëria, të pakoordinuara për Samitin e Berlinit në Tiranë

09:11, 16/10/2023
A+ Aa A-

Moskoordinimi mes Shqipërisë e Kosovës para Samitit të Berlinit është konsideruar i dëmshëm për të dyja vendet, nga njohësit e çështjeve politike. Sipas tyre, koordinimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të jetë i domosdoshëm

KOHA DITORE

Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet të hënën në Tiranë do të jetë vendtakimi i dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama, pas përplasjeve muajve të fundit.

Kryeministri Rama është kritikuar në Kosovë për qëndrimet e dhëna ditëve të fundit lidhur me situatën e tensionuar në veri, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku nga një grup terroristësh serbë.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Akri Çipa ka theksuar se moskoordinimi i Ramës dhe Kurtit për Samitin është element joproduktiv. Sipas tij, koordinimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të jetë i domosdoshëm.

“Pa dyshim është një element joproduktiv në marrëdhënien ndërmjet dy shteteve dhe sigurisht edhe reflektimi që ka kjo marrëdhënie kundrejt shteteve të tjera rajonale, por edhe liderëve të BE-së, të cilët do të vijnë në Tiranë për hir të këtij samiti. Mendoj se është një situatë kritike rajoni ynë duke marrë parasysh edhe zhvillimet më të gjera gjeopolitike që ndodhin”, ka thënë Çipa.

Sipas tij, dy kryeministrat shqiptarë duhet të krijojnë një marrëdhënie të re, në të cilën do të varej bashkëpunimi institucional në mes dy shteteve.

“Kanë nevojë z. Rama dhe z. Kurti për të gjetur një tjetër gjuhë komunikimi jo vetëm në sensin e deklaratave, por edhe në mënyrën se si implementojnë kërkesën kundrejt njëri-tjetrit, qoftë për të harmonizuar qëndrimet, qoftë edhe për të arritur një lloj dakordësie në raport me çështjet madhore, me çështje të cilat shqetësojnë si Kosovën edhe Shqipërinë, por mbi të gjitha edhe me kërcënimet që mund të vijnë në këtë rast kundrejt Kosovës prej fqinjëve të cilët kanë qëllime destruktive”, ka shtuar ai.

Se raporti i Kosovës me Shqipëri duhet të jetë përherë në nivelin më të mirë e thotë edhe profesori i shkencave politike Dorajet Imeri.

“Natyrisht, që një harmonizim më i mirë në mes të liderëve të të dyja vendeve do të nënkuptonte edhe një pozicion më të mirë për çdo aspekt, sidomos në atë negociues”, theksoi Imeri.

E Visar Xani, njohës politik, ka theksuar se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën është e rëndësishme në këtë samit, ani se nuk pati koordinim paraprak.

“Duhet një guxim politik, duhet një fuqi politike për të demaskuar realisht fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe Beogradit. Po të njëjtën kohë Kosova pra të shfrytëzojë takimin e Tiranës edhe një mënyrë tjetër për të demaskuar gjithçka që ndodhi ditët e fundit përmes grupeve terroriste dhe patjetër që mbështetja e Shqipërisë është e rëndësishme në këtë aspekt”, është shpreh ai.

Xani ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një agjendë të përbashkët të interesave diplomatike me qëllim që ato interesa të pasqyrohen dhe të mbështesin njëra-tjetrën.

Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Në Samit do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco