VIDEO-SYRI TV/ Privatizohen Rezervat e Shtetit, për të ndërtuar vila në Lundër

15:48, 12/10/2023
A+ Aa A-

Hije dyshimi për një aferë të ngjashme si ajo e inceneratorëve, janë ngritur edhe për kalimin e truallit të Rezervave të Shtetit nga Ministria e Brendshme në administrim të fondit shqiptar të Zhvillimit. Brenda një dite janë firmosur disa shkresa që vendosën kalimin e pronësisë, me argumentin se do të ndërtohet aty një kompleksi argëtimi sportiv. Mirëpo, ministria e Financave ka pranuar për Kontrollin e Lartë të Shtetit, se trualli do të privatizohet, ndërsa procedurat ende nuk kanë nisur.

Nga SYRI TV

Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, brenda një dite të vetme, kanë miratuar disa shkresa, në bazë të të cilave është miratuar tjetërsimi i truallit rreth 95 mijë metra katrorë të Rezervave të Shtetit në Lundër, me synim privatizimin e tij.

Ky efikasitet i lartë i agjencive qeveritare rikthen në vëmendje shpejtësinë e veprimeve të kryera nga institucionet shtetërore për miratimin e inceneratorit të Elbasanit, të cilat kryeministri Edi Rama i përmblodhi me ‘vendime fap e fap’.

Në mesin e vitit 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i drejtohet Ministrisë së Mbrojtjes, për dijeni edhe kryeministrit, me kërkesë për tjetërsimin e truallit të Rezervave të Shtetit dhe ndërtimin aty të një kompleksi argëtimi dhe sportiv.

Sipas Fondit, gjendja e godinave është e dëmtuar dhe se projekti i saj synon krijimin e hapësirave argëtuese për komplekset e vilave të ndërtuara së fundmi në atë zonë. Në 6 Tetor 2022, Ministria e Mbrojtjes i drejtohet Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave të Shtetit në Tiranë për të prezantuar gjendjen. Drejtuesi i Përgjithshëm i drejtohet drejtorit të Rezervave të Tiranës. Ky i fundit, në përgjigje, kërkon që projekti të parashikojë edhe një infrastrukturë më të mirë për Rezervat e Shtetit.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit i përgjigjet Ministrisë së Mbrojtjes se është ‘parimisht dakord’ për projektin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. I gjithë ky komunikim zyrtar ka ndodhur brenda ditës. Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka audituar këto procedura, ka ngritur dyshimet për këto veprime, kur konstaton se ‘institucioneve nuk u është nevojitur kohë për vlerësimit të situatës dhe kthimin e përgjigjes, pavarësisht rëndësisë që kjo vendimmarrje kishte’.

Në vijim të këtyre komunikimeve, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin nr. 808, datë 12 dhjetor 2022, në bazë të të cilit kalon truallin e Rezervave të Shtetit nën administrimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për ta përdorur për ngritjen e një kompleksi argëtimi dhe sportive. Në atë vendim parashikohet që Fondi Shqiptar i Zhvillimit, para se të marrë truallin në zotërim, të nënshkruajë Marrëveshje me Drejtorinë e Rezervave të Shtetit për ndërtimin e infrastrukturës së re për këtë institucion.

Por, ndërkohë që Fondi i ka marrë pronat në dorëzim, ende nuk ka marrëveshje për godinat e Rezervave të Shtetit. Ndërkohë, Ministria e Financave ka pranuar për KLSH-në se kjo pronë është parashikuar për privatizim, por procedurat ende nuk kanë filluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco