VIDEO SYRI TV/ Ahmetaj ironizon Ramën: Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë

15:08, 11/10/2023
A+ Aa A-

Nga arratia, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka shënjestruar kryeministrin Edi Rama dhe sistemin e drejtësisë pasi SPAK ka hapur një dosje të dytë ndaj tij, ku akuzohet për abuzime me privatizimin e Shoqërisë ‘BUKA Sh. A’. Teksa ironizon kreun e qeverisë Edi Rama duke përdorur refrenin e tij në një fushatë elektorale “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”, Ahmetaj publikon dokumentet që sipas tij, faktojnë se nuk ka pasur asnjë rol në këtë çështje. Sipas Ahmetajt çdo gjë është e sajuar nga mediat e inceneratorëve, dhe se ai ka ruajtur vetëm interesat e shtetit

Nga SYRI TV

Pas akuzave per një dosje të dytë nga SPAK, kësaj here për abuzime me privatizimin e ndërmarrjes Buka SH. A., ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka shënjestruar nga arratia kreun e qeverisë Edi Rama dhe sistemin e drejtësisë.

Në një reagim të gjatë në rrjetin social Facebook, Ahmetaj ironizon kryeministrin Rama duke përdorur refrenin e tij të një fushate elektorale, gjithçka mund të ndodh jetojmë në Tiranë, teksa mohon të gjitha akuzat për shpërdorim detyre. Ai publikon edhe dokumentet, që faktojnë sipas Ahmerajt se ai nuk ka pasur asnjë rol në këtë çështje, dhe se ka ruajtur vetëm interesat e shtetit

'Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë”! Së pari, rasti i “Buka” sh.a., është ndër të paktat herë në një procedurë privatizimi ku aksionet e shtetit jo vetëm ruhen, por rriten me disa herë në vlerë, ose thënë ndryshe, shteti përfiton më shumë të ardhura. Pra, të nderuar gazetarë e media që raportoni për dëm ndaj shtetit në vlerën 7 mld lekë të vjetra etj, etj., lexoni, ju lutem. Të ngatërrosh dëmin me përfitimin, nuk është aspak në nivelin e dinjitetit të punës suaj. Si mundet, gjithsesi, t’i shkaktohet dëm buxhetit të shtetit nëse aksionet shtetërore rriten?? E kundërta do të ishte e vërtetë’, shkruan Arben Ahmetaj në Facebook.

Sipas Ahmetajt çdo procedurë është për privatizimin e shoqërisë aksionere buka është kryer konform ligjeve në fuqi.

‘Cila është vepra penale në këtë dosje? Ku qëndron shpërdorimi i detyrës? Të akuzohesh për shpërdorim detyre sepse janë mbrojtur aksionet e shtetit? Akuzohem se i kam bërë dëm privatit? Se si Ministër i Ekonomisë dhe rrjedhimisht përfaqësues i pronarit shtet (Këshilli i Ministrave), kam mbrojtur interesat e shtetit.

Nëse do të pranonim pretendimin e familjes Myderizi, që pjesa takuese e aksioneve të tyre të vlerësohej si sipërfaqe e veçuar dhe jo si pjesë e aseteve të kapitalizuara të shoqërisë tregtare, gjë të cilën ligji nuk e lejon, do të duhej të veprohej njësoj për të gjithë aksionerët e tjerë të shoqërisë sipas parimit të barazisë mes aksionerëve.

Jo vetëm do të ishim në shkelje të ligjit, por shteti shqiptar do të rezultonte me ZERO aksione, Kjo po qe do ishte shpërdorim detyre!’, ka shkruar Arben Ahmetaj në reagimin e tij.

Më tej ish-ministri i Financave në arrati, hedh akuza se gjithçka është e sajuar nga ato që i cilëson si mediat e inceneratorëve.

‘Kjo është dosja e famshme e privatizimit të shoqërisë Buka sh.a për ata që duan të kuptojnë të vërtetën. Më gjeni nëse mundeni, ku është shkelur ligji nga ana ime si Ministër i Ekonomisë?

Dhe si ka mundësi që lajmi doli së pari në mediat e inceneratorëve?

E bëjnë për presion? Për të më penguar të flas? Nuk do ndodhë...Por mund të ndodhë, ndoshta, që të thyej një rekord në raport me drejtësinë shqiptare, të bëhem i pari zyrtar që akuzohem për shpërdorim detyre sepse kam mbrojtur në bazë të ligjit, aksionet dhe interesin e shtetit...’, deklaron Arben Ahmetaj.

‘Edhe për këtë të fundit, Ahmetaj e ka një shpjegim: Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!’, ironizon në fund ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco