Seanca dëgjimore për shkarkimin e presidentit/ Biden ndau zyrat me kompaninë kineze të Duçkës

Seanca dëgjimore për shkarkimin e presidentit/ Biden ndau zyrat me kompaninë kineze të Duçkës

20:35, 28/09/2023
A+ Aa A-

Komisioni për Mbikëqyrjen dhe Llogaridhënien në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA ka nisur seancën e parë si pjesë e një hetimi që synon fillimin e procedurave për shkarkimin e presidentit Joe Biden.

Në nisje të seancës, kreu i këtij komisioni, kongresmeni republikan James Comer tha se në seancat dëgjimore do të prezantohen të gjitha faktet dhe provat që ka mbledhur komisioni gjatë hetimit për financat e familjes Biden.

Hetimet janë zhvilluar rreth djalit të diskredituar të presidentit, Hunter Biden, i cili ka fituar miliona dollarë duke përdorur ndikimin e babait të tij.

Republikanët thanë se hetimet e tyre kanë zbuluar se familja Biden ka krijuar mbi 20 kompani guaska duke fituar më shumë se 20 milionë dollarë mes viteve 2014 dhe 2019.

Presidenti dhe kongresmenët demokratë thonë se hetimi është një farsë. Seanca u zhvillua mes tensioneve të forta.

Ligjvënësja republikane, Nancy Mace përmendi gjatë seancës marrëveshjet mes Hunter Biden dhe kompanisë kineze, CEFC.

“Hunter madje organizoi që Joe Biden të ndante hapësirat e zyrës me kompaninë e lidhur me Partinë Komuniste të Kinës, CEFC,” tha ajo.

“Kolegët e mi demokratë thonë se këto nuk kanë rëndësi pasi Biden nuk ishte zëvendëspresidenti kur familja e tij bëri këto marrëveshje të dyshimta. Rezulton se kjo është një gënjeshtër e trashë. Biden i referohej aksesit te babai i tij si çelësi i pasurisë së vetme të familjes së tij. Këto fjalë do të kthehen dhe do ta përndjekin Hunter Biden dhe familjen e tij përgjithmonë,” tha ajo.

Marrëdhënia e familjes Biden me kompaninë kineze CEFC ishte në qendër të diskutimeve në seancë.

Kujtojmë se kompania kineze CEFC është përmendur edhe në padinë shqiptare ndaj ish-agjentit të lartë të FBI, Charles McGonigal.

Kjo për shkak se këshilltari i Edi Ramës, Dorian Duçka ishte i punësuar në këtë kompani. 

Po ashtu, kompania kineze CEFC ka sponsorizuar ekspozitën e kryeministrit Edi Rama në Hong Kong.

Ndërkohë, në dokumentet e Hunter Biden del emri i Dorian Duçkës. Djali i presidentit zotohet se do e paguajë Dorian Duçkën vetë për punën që ka bërë me kinezët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco