'Deklarata e Ramës sot, si një premisë për shkëputjen e Veriut të Kosovës'

'Deklarata e Ramës sot, si një premisë për shkëputjen e Veriut të Kosovës'

13:46, 28/09/2023
A+ Aa A-

Nga Tritan Shehu

 Dy deklaratat në dy ditë të Edi Ramës, janë krejt jashtë kontekstit e asaj që duhet bërë. Tingëllojnë të ngjashme me “shkëmbimin e territoreve”, për Serbinë e Madhe e “Jugosllavinë e re”.

 Para dy ditësh, Rama kërkonte një “konferencë të jashtëzakonshme për paqe”, që mund të çojë në zerimin e çdo gjëje që është arritur që prej vitit 1999, që do të thotë: Çdo gjë fillon nga e para, sepse Serbia është e vendosur në agresionin e saj e në mosnjohjen e Kosovës.

Sot, një tjetër “ide” e tij: Veriun e Kosovës ta marrë nën kontroll KFOR-i!

Së pari, dua të pyes çfarë do të thotë me këtë?! Sepse Veriu i Kosovës, komunat e tij, janë territor sovran i Kosovës edhe sipas përcaktimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Si i tillë, ai është në vartësi me Prishtinën në shumë e shumë drejtime. Po kështu këto komuna duhet të kenë pushtetin e tyre lokal, ndryshe nuk ka demokraci e zhvillim.

Pra, sinqerisht e pyes përsëri: Çfarë do të thotë që Veriu i Kosovës të kalojë nën kontrollin e KFOR-it? A nuk përgatit një gjë e tillë, premisat, për ndarjen e Veriut nga Kosova?!

Pa asnjë dyshim duhet forcuar bashkëpunimi midis strukturave të rendit e mbrojtjes së Kosovës me KFOR-in, por kjo nuk do të thotë që të kalojë “nën “kontrollin” e KFOR-it.

Pa asnjë lëkundje, duhet përmirësuar bashkëpunimi e koordinimi i Qeverisë së Kosovës me partnerët tanë, por kjo nuk do të thotë se vendi duhet të kalojë “nën kontrollin” e tyre.

Duhet punuar për një platformë reale për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Veri, por kjo duhet bërë në përputhje me Kushtetutën e vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, se kjo nuk mund të jetë shkëputje e tyre dhe as Republica Srpska.

Rama, me deklaratat e tij të përsëritura, të jep përshtypjen se ka ngelur i çoroditur diku, si një person me disa padrone dhe tashmë nuk di se kujt t’i bëjë “qejfin”!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco