Ilir Meta: Presidenti serb është vendosur në anën e minuesve të dialogut Kosovë-Serbi!

Ilir Meta: Presidenti serb është vendosur në anën e minuesve të dialogut Kosovë-Serbi!

14:20, 26/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë sot lidhur me aktin terrorist që u krye së fundmi ndaj Kosovës, vlerësoi qëndrimin e vendosur të Qeverisë së Kosovës dhe akuzoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si minuesin e dialogut të sinqertë midis vendeve.

“Kosova ka përjetuar këto ditë një tension të jashtëzakonshëm për shkak të sulmeve të orkestruara dhe kriminale ndaj Policisë dhe sigurisë publike të saj, - tha Ilir Meta. - Është tashmë shumë e qartë që kjo veprimtari kriminale ka si qëllim të vetëm, destabilizimin e situatës dhe krijimin e një tensioni të përhershëm.

Ne të gjithë jemi të tronditur nga pamjet e arsenalit luftarak tepër të madh të agresorëve, të sekuestruar nga tashmë nga forcat e Policisë së Kosovës, që janë një provë e pakundërshtueshme e një veprimtarie kriminale të mirëmenduar dhe të mirë organizuar për qëllime të larta politike.

Këto akte të dhunshme ishin realisht sulme nga autoriteteve legjitime të Kosovës dhe për të dobësuar sundimin e ligjit në Kosovë.

Me gjithë situatën shumë të komplikuar, duhet të përshëndes edhe një herë qëndrimin profesional  dhe të vendosur të Policisë dhe të qeverisë së Kosovës, që arritën të neutralizojnë këto sulme të dhunshme kriminale dhe të rivendosnin rendin publik në një kohë shumë të shpejtë.

Njëkohësisht dua të vlerësoj si të papranueshme, deklaratat e Presidentit Vuçiç, i cili publikisht deklaroi edhe pas këtij sulmi, se nuk do ta njohë kurrë, as në mënyrë formale dhe as në mënyrë informale, Kosovën si shtet sovran i pavarur.

Kjo deklaratë e tij e bërë menjëherë pas këtij sulmi kriminal është një provë e qartë e mungesës së plotë të vullnetit për një dialog të sinqertë midis Serbisë dhe Kosovës, dialog, i cili do t’i jepte zgjidhje problemeve të mbetura pezull.

Presidenti i Serbisë për fat të keq është i vendosur në anën e minuesve të këtij dialogu në funksion të qëllimeve të tij politiko-nacionaliste që nuk i shërbejnë  aspak paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë si dhe normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë,” nënvizoi Ilir Meta./ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco