‘Komisioni i reformës zgjedhore do të rikompozohet’/ Salianji tregon se cili sistem i intereson Ramës

‘Komisioni i reformës zgjedhore do të rikompozohet’/ Salianji tregon se cili sistem i intereson Ramës

18:36, 20/09/2023
A+ Aa A-

Deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi se komisioni i reformës zgjedhore do të rikompozohet.

I ftuar në News24, Salianji tha se problematika themelore është se si të garantojnë votën e lirë dhe të ndershme të qytetarëve shqiptarë, dhe të barabartë siç e parashikon Kushtetuta.

“Ka një vit e kusur komisioni i reformës zgjedhore me dy bashkëkryetarë. Ka ndonjë produkt? Zero produkt. Ka vetëm dy mbledhje, asnjë diskutim publik, asnjë produkt. Kemi një komision hetimor të ngritur pas zgjedhjeve të 25 prillit për atë që u quajt masakra zgjedhore. Kemi kërkuar informacion nga bashkitë, as ju, as publiku dhe as ne nuk e dimë pse u mbyll. Që ky komisioni duhet të furnizonte me të dhëna që të kapnim ku ishin problematika që t’i përkthenim në ligj, te komisioni i reformës zgjedhore. E dështuan si të parin dhe të dytin. Ishte Basha që i kishte këto. Tani ne po themi për shkak se kjo nuk ka ecur deri më sot, për shkak të interesave që janë të përbashkëta të Ramës dhe të Bashës, komisionin e reformës zgjedhore do ta rikompozojmë te pjesa që ka të drejtë për propozim opozita dhe që e ka grupit parlamentar i PD-së të drejtën e propozimit.
Në këto kushte ne nuk do të diskutojmë vetëm për hapjen e listave. Problematika themelore është se si ne të garantojmë votën e lirë dhe të ndershme të qytetarëve shqiptarë, dhe të barabartë siç e parashikon Kushtetuta”, tha Salianji.

Në lidhje me diskutimin për listat, ai theksoi se sistemi më i mirë në Shqipëri është proporcionali kombëtar me lista të hapura, ku secila prej partive ose koalicioneve zgjedhore të garojnë me listat e tyre 140 dhe të zgjedhin qytetarët se cilët janë deputetët.

“Kush e pengoi këtë? Lulzim Basha me qëndrime publike, i cili ka thënë publikisht se nuk jam për këtë variant, por jam për mazhoritarin, por kjo nuk ndodh etj. Tani del me një qëndrim për lista të hapura sepse i intereson Ramës që në Shqipëri të ketë një sistem me prim. Pra të ketë një sistem gjasme të hapen listat, por ndërkohë të mos garohet me koalicione dhe partia e parë politike të marrë primin prej 10 apo 15 deputetë bonus. Këtu është interesi i Ramës”, u shpreh Salianji.

Ai deklaroi se kjo dëmton absolutisht në themel demokracinë në Shqipëri, ashtu siç dëmton në palcë interesat e opozitarëve.

“Para se të shkojmë aty duhet të zgjidhim çështjen se si të garantojmë votën e lirë dhe të ndershme dhe pastaj të vijmë te diskutimi tjetër për sistemin më të mirë zgjedhor që i përshtatet Shqipërisë, që e bën më me demokraci Shqipërinë sepse ky pushtet e ka përqendruar gjithë pushtetin te kryeministri. Jemi kthyer në një republikë kryeministrore.
Parlamenti, deputetët e maxhorancës janë vetëm si mekanizma, ulin dhe ngrenë dorën. Këtë do ta sqarojmë në momentin që do të rikompozohet komisioni i reformës zgjedhore.
Nuk jemi në diskutimin themelor, secili nga deputetët do japë propozimin dhe do vijmë në një diskutim që do jetë më i miri. Nuk kemi një qëndrim si grup parlamentar për një çështje të caktuar. Sot jemi në hapat fillestarë”, tha ai.

I pyetur nëse u diskutua mundësia e nisjes së protestave, Salianji deklaroi se u diskutua që ne do të jemi gjithë kohën në organizim për t’u përgatitur për protesta dhe do të vijë momenti kur ne do të shprehemi dhe për këtë çështje.

“Tani jemi të vonuar në hapat tanë opozitarë, por është një lajm pozitiv që opozita po bashkohet dhe kjo do sjellë dhe një ridimensionim të opozitës për një tjetër qasje ndaj qytetarëve, me publikun dhe për të ditur që edhe personalitete që ndahen me mendime të caktuara të bashkohen në misionin e tyre opozitar për të rrëzuar Edi Ramën”, u shpreh deputeti i PD.

Salianji bëri dhe një batutë teksa u sugjerua nga gazetarja Ola Bruko se dhe Basha mund ta pranojë ftesën. “S’e lë Rama. Ju thoni mundet, mundet dhe që Asambleja e OKB-së t’ju pranojë ju sekretare të përgjithshme. Ne këtu jemi, do ta shohim prapë”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco