Kaos te konviktet studentore/ Braimllari: Kjo, arroganca e kryebashkiakut Veliajt të zhytur në hajdutëri!

14:14, 20/09/2023
A+ Aa A-

Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranë,  Dorian Teliti dhe Endrit Braimllari, kanë shkuar sot te rezidenca studentore universitare nr. 2, godina 1, përballë hyrjes kryesore të QSUT, ku drejtuesit në varësi të bashkisë  kanë krijuar një kaos me ndarjen e dhomave të konviktit.

Studentët e ardhur që në orët e para të mëngjesit në Tiranë janë pritur në mënyrën më të keqe të mundshme, duke u lënë në oborrin e konvikteve pa zgjidhje për strehimin nga drejtuesit e bashkisë së Tiranës; listat e tyre janë shpërfilluar dhe në vend të kësaj, ka nisur të gëlojë korrupsioni për zënien e dhomave.

Endrit Braimllari, kreu i këshilltarëve nga radhët e Partisë së Lirisë, në një deklaratë nga konviktet, akuzoi kryebashkiakun Erion Veiaj se jo propaganda, por këto skena janë imazhi i tij i vërtetë si mashtrues përballë opinionit publik.  

“Në çdo vend normal, - tha Braimllari, -  punohet gjatë gjithë sezonit të verës me qëllim që studentët të mirëpriten dhe të mos ketë probleme, por është e qartë se Erion Veliaj kaosin e shfrytëzon për të rritur nivelin e tij të korrupsionit.

Ka krijuar kaos sot me studentët duke i ndarë dhomat në mënyrë të çuditshme, të turpshme, për të rritur nivelin e korrupsionit.

Propagandon Erion Veliaj me të madhe se ka investuar te trajtimi i studentëve, te qendrat studentore, del dhe bën propagandë, reklamë, imazh kudo në çdo televizion, por ngjarjet që kanë ndodhur sot këtu në këtë qendër tregojnë qartë që nuk është e vërtetë.

Imazhi i tij është thjesht mashtrues përballë opinionit publik, sepse studentët vuajnë pamundësinë e të pasurit një dhomë, vuajnë kushtet dhe një papërgjegjshmëri të jashtëzakonshme për sa i përket menaxhimit të situatës.

I njofton 400 e ca studentë, hajdeni se do të ndajmë dhomat, pa pasur një strukturë të qartë menaxhuese. Kanë ardhur sot studentët në orën 5 të mëngjesit, kanë zënë radhë për të marrë dhomën. Kështu funksionon në një shtet normal, në një vend normal, menaxhimi i qendrave studentore?!

Kjo është absurde! Po kjo vjen për shkak të arrogancës, papërgjegjshmërisë, për shkak të humbjes së realitetit nga një kryetar bashkie i cili zhytet në hajdutëri, zhytët në korrupsion dhe skemën që ka përdorur qartësisht tek inceneratorët, e përdor në çdo strukturë të menaxhimit të bashkisë së tij.

Ne i bëjmë thirrje Erion Veliajt të menaxhojë situatën, i bëjë thirrje drejtorëve të tij të varësisë të kenë vëmendjen e duhur ndaj studentëve së pari, të mos i keqtrajtojë dhe fyejë studentët se kjo është shumë e turpshme, se kjo mënyrë fyese po i detyron të rinjtë e të rejat të lënë vendin. Kjo politikë është totalisht shpopulluese.

Ne do të kërkojmë informacion zyrtar se çfarë po ndodh me këtë çështje, do t’i drejtohemi bashkisë së Tiranës, do ta kërkojmë në Këshillin Bashkiak dhe do të vijmë vetë si grupe këshilltarësh për të inspektuar në terren situatën,” nënvizoi Endrit Braimllari./ar.sh/SYRI.NET  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco