Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Berisha: Të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës! Ky është mesazhi më i fuqishëm për shqiptarët

Berisha: Të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës! Ky është mesazhi më i fuqishëm për shqiptarët

11:57, 19/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, bëri thirrje nga Kukësi për të votuar Emri Vatën. Ai tha se nga Kukësi duhet të nisë kthesa e madhe.

“Së fundmi ne jemi, ju e dini, parti e taksave të ulëta. Në parimin tonë, taksa e lartë është e dëmshme. Sepse paratë në llogarinë bankare të biznesit, janë më të dobishme për shoqërinë se në llogarinë bankare të shtetit. Kurse këta e kanë mendjen te taksat e larta dhe vjedhjet stratosferike.

Po ju jap një shembull. Duke ardhur Rrugës së Kombit, m’u kujtua. Rruga e Kombit ka marrë përafërsisht dy vite, dy vite e pak. Mos harroni kur dëgjoni lajmet për Unazën e Tiranës. Ajo është gjithsej 25 km, një projekt i trashëguar nga qeveria komuniste e Adil Çarçanit. Gjurma e saj është e miratuar nga ajo qeveri.

Unaza e Madhe në vitin 2012-2013 e ndërtuam 7.5 kilometra. Mbetën edhe 17.5 kilometra. Edhe sot, pas 10 vitesh, ajo nuk ka përfunduar. Sot, pas 10 vitesh, nëse 7.5 kilometrat e para me gjithë veprat shkuan në 3 milionë euro kilometri, sot ndërtojnë me 24 mln euro kilometri. Dhe e copëtojnë në lote që të vjedhin në çdo lot sa më shumë. Sot, 2.2 milionë euro të shpenzuara në rrugë u janë dhënë 5 kompanive. Të gjitha klientelë e Edi Ramës, me të cilin ndan paratë.

Kjo situatë merr fund. Ne rikthehemi në standardet më të mira të prokurimeve, rikthehemi te një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rikthehemi gjithashtu, e them këtu, te një shpërndarje shumë më e drejtë e të ardhurave në Shqipëri.

Nuk mundet që kaskada të jetë kontributori më kryesor në prodhimin e brendshëm dhe buxhetin e shtetit dhe banorët e saj të mos përfitojnë një qindarkë. Kur ua thashë njëherë në parlament, u ngrit ajo Ballukja e tha se aty kanë investuar të gjithë. Kanë investuar të gjithë, por pasuria ka qenë e tyre. Edhe ata që kanë investuar, e kanë marrë nja 30 herë atë investim. 

Edhe Rruga e Kombit e ka nxjerrë nja 4 herë veten deri tani, por ju paguani taksën.

Për të gjithë këto ju bëj thirrje të shënojmë një kthesë të madhe me Emri Vatën në Kukës. Vendi ka nevojë jetike për një kthesë. Kthesa nga Kukësi është mesazhi më i fuqishëm që banorët e këtij rrethi u dërgojnë mbarë shqiptarëve. Le të jetë Kukësi stacioni ku ndalon rrokullisja e madhe e këtij vendi, ku ndalon shpërbërja e Shqipërisë, largimi masiv i shqiptarëve.

Me këtë rast dua të ftoj të gjithë biznesmenët e Kukësit këto ditë të japin të gjithë ndihmesën e tyre për fitoren e Emri Vatës. Ftoj të gjithë lumjanët, kuksianët kudo që ndodhen, në Tiranë, në Shkodër, kudo, Durrës, jashtë vendit, të vijnë dhe të votojnë në Kukës për të firmosur ndryshimin. Nuk e meritonte kurrë Kukësi, Safet Gjicin. Gjici ishte një kopje e shëmtuar e Edi Ramës. Nuk e njoh këtë tjetrin, por nuk meriton Kukësi përfaqësues të Edi Ramës dhe të Safet Gjicit. Ndaj dhe ju ftoj të angazhohemi për një kthesë nga Kukësi, që do jetë një kthesë e madhe për gjithë Shqipërinë,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco