VIDEO/ Dule në SPAK për gjyqin ndaj Belerit: Po i ndalohet betimi, po i shkelen të drejtat e njeriut

12:06, 14/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, është parë të enjten duke hyrë në SPAK.

Dule ka shkuar për të marrë pjesë në seancën gjyqësore për Fredi Belerin, kryebashkiakun e Himarës, i cili mbahet i burgosur me akuzën e blerjes së votave në zgjedhje. Në një deklaratë për mediat, Dule tha se Belerit po i ndalohet betimi dhe po i shkelen të drejtat e njeriut.

“Erdhëm me kërkesën që të ishim të pranishëm në këtë seancë. Kërkesës së avokatëve mbrojtës për praninë tonë iu përgjigj gjykatësja me një vendim negativ. Dëshiroj të theksoj se zoti Beleri, në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me parimin botërisht të respektuar të prezumimit të pafajësisë, në shkelje të të drejtave elementare dhe universale ndalohet të kryejë betimin si kryebashkiak i zgjedhur. Në shkelje edhe të precedentëve të krijuar gjatë viteve të shkuara në vendin tonë. Mjafton t’iu përmend rastin e një deputeti të zgjedhur që ishte i paraburgosur që u lejua të betohet dhe vijojë aktivitetin parlamentar. Çfarë ka ndryshuar na praktikat tona juridike që zotit Beleri po i shkelet kjo e drejtë elementare?”.

Kreu i PBDNJ kërkoi nga drejtësia që të trajtojë çështjen Beleri sipas ligjeve në fuqi, pasi sipas tij të pengosh Belerin nga ushtrimi i detyrës çon drejt një precedenti të rrezikshëm në jetën politike dhe juridike.

“Drejtësia duhet që pataten e nxehtë, duke kopjuar termin që vetë kryeministri e krijoi dhe ia la në dorë drejtësisë, prej drejtësisë kërkohet që ta trajtojë me frymën e ligjit dhe germën e ligjit, të praktikave të njohura botërisht. Nuk ka asnjë arsye që Beleri të qëndrojë qoftë edhe një sekondë më tepër i paraburgosur, siç nuk ka pasur asnjë arsye që të ndalohet dhe mbahet i paraburgosur prej 4 muajsh. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë procesin gjyqësor që ende nuk ka filluar. Fakti që zoti Beleri nuk është lejuar që të kryejë betimin është një shkelje flagrante , e pajustifikueshme dhe precedent i rrezikshëm për jetën tonë politike, juridike dhe përgjegjësinë institucionale”.

Dule po ashtu zbuloi se Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Ikonomu i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Ministrave të Rendit të vendeve të nismës së Berlinit, do të vizitojë Belerin nesër në qelitë e paraburgimit në Durrës.

I pyetur nëse PBDNJ ka një emër të ri në rast se mandati i Beleri digjet dhe Himara shkon sërish në zgjedhje, Dule nënvizoi se kryetari i bashkisë është Fredi Beleri dhe do ta ushtrojë detyrën për 4 vite.

“Në republikën e Shqipërisë zgjedhjet për pushtetin vendor kryhen njëherë në katër vite. Himariotët e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë, është Alfred Dhijonisos Beleri dhe zgjedhjet e tjera do të kryhen me përfundimin e mandatit katër vjeçar. Kur flet sovrani, nuk ka parlament dhe gjyqësor që t'i kundërvihet”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco