Pollo: Nëse nuk reagohet ndaj rastit ‘Beleri’, asgjë nuk e ndalon Ramën të arrestojë krerët e opozitës

16:56, 11/09/2023
A+ Aa A-

I ftuar në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, anëtari i Kryesisë së PD-së Genc Pollo ka folur për çështjen 'Beleri'.

Pollo theksoi se nëse nuk reagohet si duhet ndaj këtij precedenti do kemi përsëritje e kësaj eventualisht, pasi asgjë nuk do e ndalonte kryeministrin Edi Rama të arrestonte krerët e opozitës nëse do shihte që rrezikohet pushteti i tij në rrugë ligjore dhe demokratike.

Sipas Pollos, duhet ndarë propaganda e qeverisë që përpiqen ta kthejnë këtë në një çështje shqiptaro-greke, pasi përpjekja për ta çuar këtë në nacionalizma është një perde tymi mbi faktet reale.

Pollo: Çështja Beleri është e rëndë në vetvete sepse përbën një precedent që s’ka ndodhur ndonjëherë në 30 vjetë që të arrestohet kandidati fitues sipas sondazheve pak ditë para ditës së zgjedhjeve.

Por Shqipëria në vitet 1990 në dekadën e parë të demokracisë pas regjimit totalitar ka pasur arrestime politike që janë provuar edhe në gjykatë si të tilla, Nano, Berisha, ish-ministra të PD-së dhe me gjithë problemet që kemi arrestime të tilla brenda opozitarëve nuk kemi pasur dhe unë e konsideroja këtë një zhvillim pozitiv.

Dhe tani kemi rikthimin e asaj situate jo të dëshiruar të viteve ’90 kemi arrestimin jo thjesht të një opozitare për aktivitetin e vetë pa bazë ligjore por të një kandidati dhe kjo është e rëndë në vetvete. Nëse nuk reagohet si duhet ndaj këtij precedenti do kemi përsëritje e kësaj eventualisht.

Asgjë nuk do e pengonte Ramën të arrestonte krerët e opozitës nëse do shihte që rrezikohet pushteti i tij në rrugë ligjore dhe demokratike.

Duhet ndarë propaganda e qeverisë që përpiqen ta kthejnë këtë në një çështje shqiptaro-greke. Kjo nuk është shqiptaro-greke pavarësisht se çfarë etnie deklarohet njëri apo tjetri qytetar shqiptar. Kjo është një çështje e kandidatit fitues i cili u burgos para zgjedhjeve dhe mbahet në burg, pra dështoi rrëmbimi i fitores elektorale dhe mbahet në burg që të rrijë një kryetar bashkie apo të vihet një tjetër që të rrijë lepe-peqe për ndërtimtarët e qeverisë dhe të Ramës. Përpjekja për ta çuar këtë në nacionalizma është një perde tymi mbi faktet reale.

Greqia duhet patur parasysh që është duke mbrojtur një qytetarin e vetë dhe është në përputhje me Konventët e Vjenës, ndoshta ka pasur raste teprime, ka pasur fjalime me ekzagjerime por nëse Rama nuk do e arrestonte Belerin pasi e shikonte si një pengesë për grabitjen e pronave dhe betonizimin e bregdetit të Jonit, a do kishte një reagim të tillë në Greqi? A do kishte vizita nga kryebashkiakët në Himarë? Jo! Pra shkak pasojë prap përgjegjësinë më të madhe e çon te arrestimi i paligjshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco