Takimi Kurti - Vuçiç, pak optimizëm për zgjidhje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë

Takimi Kurti - Vuçiç, pak optimizëm për zgjidhje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë

14:04, 07/09/2023
A+ Aa A-

Që nga 9 maji, Kurti e Vuçiçi nuk ia panë sytë njëri-tjetrit. Për më tepër, gjatë këtyre katër muajve kishte tensione në veri dhe përplasjes në distancë me një retorikë të ashpër, të të dyja palëve.  Mirëpo, këtyre selameve nga të dyja vendet, si duket mund t'iu vjen fundi, pasi më 14 shtator kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen ballë për ballë në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Nga Albionë Zhitia, Syri.net Kosova

Takimin e ka konfirmuar kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe I Dërguari i tij për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit është goxha optimist se tashmë ka “gjetur” çelësin e zgjidhjes për të arritur një marrëveshje konkrete.

Për dallim nga optimizmi i Lajçaut, në Prishtinë ky takim nuk po shihet edhe aq shumë produktiv, përkundrazi, po konsiderohet si më shumë informues dhe presion mbi Kosovën, se sa ndaj Serbisë.

Syri Kosova ka biseduar me njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçin, ku ka analizuar situatën me të cilën ndodhet vendi ynë dhe hapat që duhet ndjekur.

Kuçi takimin e 14 shtatorit e sheh si “një tentativë të radhës që vetëm Kosova të bëjë lëshime duke krijuar Asociacionin, duke hequr njësitë speciale policore nga veriu dhe duke mbajtur zgjedhjet e reja në veri të vendit”.

“Gjuha diplomatike nga SHBA-ja dhe BE-ja deri më tani nuk është se tregon ndonjë ndryshim nga dy qëllimet e Perëndimit: së pari, që me çdo kusht ta fusin Serbinë në vathën perëndimore qoftë edhe në kurriz të Kosovës dhe së dyti, që të lejojnë administratat e tyre përkatëse të fokusohen plotësisht në luftën në Ukrainë. Serbia pafundësisht do ta shfrytëzojë këtë qasje të Perëndimit që të përfitojë sa më shumë pa bërë asnjë lëshim”, shprehet politologu Gurakuç Kuçi.

Ai më tutje shton se BE-ja u tregua e njëanshme, sepse vetëm Kosova u sanksionua, kurse ndaj Serbisë nuk u ndërmor asnjë masë.

“Duhet të kujtojmë vetëm një fakt se kur Kosova dhe Serbia u kërcënuan që - cila palë nuk e nënshkruan marrëveshjen e Brukselit do të sanksionohet - doli se kur Serbia nuk e nënshkroi në realitet, Perëndimi jo vetëm që nuk e sanksionoi Serbinë, por u tërhoq krejtësisht nga çështja se duhet nënshkruar marrëveshja.

Serbia dhe Perëndimi është duke e shfrytëzuar edhe përçarjen politike në Kosovë që të bëjnë pafundësisht presion vetëm ndaj Kosovës”, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, njohësi i politikës, Albinot Maloku, në një deklarim për Syri.net Kosova, vlerëson se ky takim nuk do ketë ndonjë karakteristikë tjetër, pos asaj, informues.

Maloku pret që pas këtij takimi “BE duhet të ketë një qëndrim sidomos për Masat e vëna ndaj Kosovës dhe ngecjet në implementimin e Pajtimit”.

Analisti Maloku, tregon se çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë takim.

“Kosova veç vërejtjeve që mund t'i marrë si nga ana e Serbisë e po ashtu edhe e BE-së, e ka për borxh ta parashtrojë edhe çështjen me Deklaratën e nënshkruar mes saj dhe Serbisë për personat e zhdukur, se ku jemi e ç’është bërë në lidhje me të deri tani. Kurse, nëse e ka vullnetin e plotë duhet të insistojë në nënshkrimin e Pajtimit, kjo më shumë për t'i dërguar edhe mesazhin presidentit francez Macron se kush është mosimplementuesi i planit franko-gjerman e kush jo”, përfundon Albinot Maloku për Syri Kosovën.

Ndërsa, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, është më optimist dhe tregon pse ka një mendim të tillë.

“Qeveria e ka forcuar pozicionin në veri dhe kjo e bën situatën më të favorshme për një ujdi në tavolinë. Pres ujdi, e cila e respekton gjendjen e tanishme në terren dhe shkon përpara në agjendën e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Pres presion nga BE-ja mbi këtë”, tregoi Spahiu.

Ai tha se ky është interesi kryesor që ka Kosova në dialog.

“Interesi i Kosovës është me pas një ujdi që me ec përpara në agjendën e vet, drejt njohjes nga ana e Serbisë”.

Kurse, për politologun Kuçi, e vetmja shpresë është qëndrimi i Gjermanisë për mospërkrahjen e kërcënimeve të Macronit në drejtim të Kosovës, duke shtuar se qeveria jonë nuk duhet të ketë qasje diplomatike izoluese.

“Shpresë për fillim të ndryshimit mund të jetë mospërkrahja e Gjermanisë ndaj kërcënimit që bëri Presidenti i Francës për Kosovën e që në tekst sa për sy e faqe e kishte futur edhe Serbinë.

Sidoqoftë, në këtë qasje jofavorizuese e as neutrale ndaj Kosovës, Qeveria e vendit nuk duhet të ketë qasje diplomatike izoluese por qasje diplomatike bazuar në alternativa. Pra, për secilën nga temat duhet të shkoj me alternativa të cilat përfshijnë interesat e palëve të përfshira duke e ruajtur statusin dhe interesat e Kosovës.

Pra, nuk arsyetohet mbyllja e qeverisë karshi kërkesave të njëanshme nga jashtë, por duhet ndjekur një qasje më proaktive gjë që 38 këshilltarët e kryeministrit do të mund të ia ofronin si një projekt të detajuar”, përfundon mendimin e tij, Gurakuç Kuçi dhënë Syrit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një Marrëveshje në Ohër më 18 mars të këtij viti. Zbatimi i Marrëveshjes kërkohet me ngulm nga perëndimorët, ndërkohë që në Bruksel më 14 shtator do të provohet gjetja e një zgjidhjeje për atë se si duhet zbatuar marrëveshja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco