Rama dorëzon Olta Xhaçkën në SPAK

Rama dorëzon Olta Xhaçkën në SPAK

18:46, 04/09/2023
A+ Aa A-

Edi Rama e ka dorëzuar sot me duart e veta Olta Xhaçkën në SPAK.

Ish-ministrja e Jashtme është nën hetim nga prokuroria e Antikorrupsionit në lidhje me disa tendera kur ajo ishte ministre e Mbrojtjes, ndërkohë që edhe mandati i saj si deputete është drejt heqjes, për shkak të shpalljes si investitor strategjik të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.

Olta Xhaçka ka qenë disa herë në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje, në cilësinë e personit që ka dijeni në lidhje me privatizimin e bazave detare të ushtrisë.

Xhaçka është nën hetim pas një kallëzimi të bërë më herët nga Artur Mecollari, i cili ka kallëzuar një sërë zyrtarësh të Ministrisë së Mbrojtjes, përfshi edhe ministren e Mbrojtjes të asaj kohe Olta Xhaçka me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Disa muaj më parë prokuroria ka vendosur në sekuestro preventive një sipërfaqe të madhe tokë në portin e Limionit, që ka qenë në pronësi të ushtrisë dhe sipas kallëzimit ajo iu dha me qera biznesmenëve të ndryshëm në kundërshtim me ligjin.

Xhaçka akuzohet gjithashtu se kur ishte pjesë e qeverisë ‘Rama’ ka përfituar drejtpërdrejt të mira publike nëpërmjet vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike në favor të kompanive në zotërim të bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist, Artan Gaçi dhe familjarëve të tjerë të ministres.

Kompania në pronësi të Artan Gaçit mori statusin ‘investitor strategjik' për ndërtimin e një hoteli me 5 yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur ‘Dreamades Luxury Suites’ në 29 mars 2021.

Ndërsa më 2 mars 2022 vendimi i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit të tij kompanisë ‘AGTCC Hotel Management' që kishte lidhur marrëveshje me kompaninë e Gaçit.

Gaçi i tha BIRN më 3 mars se për të shmangur konfliktin e interesit, ‘kishte gjetur një kompani amerikane me përvojë për të menaxhuar investimin dhe plazhin'.

Kompania e re është në pronësi të Taëni Lin Grzych-Sutton, e cila është partnerja e Andi Xhaçkës, vëllait të ministres.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco