Një rrugëtim plot shpresë - 1 vit BrainGain

Një rrugëtim plot shpresë - 1 vit BrainGain

18:40, 03/09/2023
A+ Aa A-

Nga Andi Mustafaj/

Departamenti BrainGain dhe Ekselenca është krijuar në fund të shtatorit të vitit 2022 (pas procesit të organizimit dhe zgjedhjes së drejtuesit, veprimtaria e mirëfillte ka filluar në fund të nëntorit 2022) në kuadër të Procesit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Qëllimi fillestar i Departamentit ishte përgatitja e politikave dhe propozimeve për të siguruar kthimin e trurit në Shqipëri, siç kishte bërë më përpara gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet 2005-2013. Një detyrë herkuliane kjo duke ditur që shumica e të rinjve dhe të rejave shqiptare ëndërronin dhe vazhdojnë të ëndërrojnë emigrimin. Për më tepër, në momentin e parë që një shqiptar shkel jashtë vendit, nis një numërim mbrapsht ku marrëdhënia me vendin nis të venitet. Nëse kjo lidhje dobësohet shumë,  atëherë një rikthim bëhet kundërprodhues sepse thyerja e lidhjes me atdheun pamundëson një ndikim të dobishëm në politikë.

Anëtarët e Departamentit BrainGain vendosën si pasojë të ndryshojnë paradigmën e mendimit dhe qasjen ndaj çështjes së BrainGain. Kthimi i trurit nuk duhet të ishte “qëllim” por “pasojë”. Më shumë se një ndryshim semantik, ishte një ndryshim filozofie. Qëllimi u bë mbajtja gjallë e lidhjes së shqiptarëve me atdheun nëpërmjet mundësimit të angazhimit në veprimtarinë politike të opozitës. Ky angazhim ndër vite, apo krijimi i dinamikave politike midis të rinjve dhe të rejave ekselentë do krijonte një moment politik, ku kthimi do ishte rezultati logjik i angazhimit dhe jo diçka e sforcuar me anë të deklaratave të përgjithshme dhe kornizave ligjore të ngurta.

Pas disa mbledhje të përbashkëta të anëtarëve, u vendos që “mision statement” i Departamentit, qëllimi i përbashkët shprehur në një fjali të ishte “Frutet e mendjes sonë t’ua kthejmë rrënjëve që na kanë ushqyer”. Në këtë mënyrë u vendos përqendrimi në një aspekt intelektual, propozues dhe krijues të veprimtarisë politike. U krijua gjithashtu një logo dhe një identitet pamor i  Departamentit për të tërhequr në mënyrë më inovative një publik të ri, të paangazhuar më përpara në politikë.

Kjo pikë është thelbësore, sepse veç prezantimit si një risi në politikën shqiptare, e bëri Departamentin BrainGain edhe një element plotësues të veprimtarisë së përgjithshme të Partisë Demokratike. 

Në mënyrë të thjeshtëzuar mund të themi, që një parti politike opozitare ndërton veprimtarinë e saj politike mbi dy këmbë: denoncimi dhe ndërtimi. Në Partinë Demokratike këmba e parë, ajo e denoncimit funksionon shumë mirë, por pa të dytën krijohet një disbalancë e rrezikshme. Nëse njerëzit bëhen bashkë vetëm “kundër” diçkaje (kundër një personi, një fenomeni etj.) dhe jo “për” diçka (pra rreth ideve dhe programit të përbashkët), atëherë ditën kur numëruesi i përbashkët zhduket ata mund të shohin se nuk janë të lidhur me njëri tjetrin dhe qeverisja bëhet e pamundur ose një dështim që do vuloste humbjen e shpresës së individëve në politikën dhe aftësinë e saj për të përmirësuar jetët e tyre.

Departamenti punoi për të qënë ura lidhëse midis këtyre dy aspekteve, duke amplifikuar fushën e veprimit dhe duke punuar për të rritur besimin e qytetareve tek ne dhe tek Partia Demokratike, dhe se gjërat mund të ndryshojnë në Shqipëri.

Në muajt e parë të veprimtarisë vendosëm gjithashtu si parim të përgjithshëm “Një hapësirë për çdo demokrat” për të mundësuar diçka që nuk ekzistonte më përpara që ishte angazhimi në politikë i shqiptarëve kudo qofshin. Më përpara angazhimi në politikë shihej shumë ngushtë, vetëm me prani fizike për ata individë që jetonin në Shqipëri. Kontributi në politikën shqiptare dhe në Partinë Demokratike duke mos jetuar këtu shihej si diçka utopike. Me krijimin e këtij departamenti u hap një dritare e re shprese për këto të rinj dhe të reja që duan të kontribuojnë në Partinë Demokratike.  Një angazhim sipas profilit, karakterit, kohës  dhe mundësive.

Duke parë veçantinë e përbërjes së Departamentit, kohën që anëtarët mund t’i jepnin dhe me qëllim një efektshmëri sa më të lartë, puna u organizua në formën e projekteve impaktuese, që kërkonin një angazhim të fortë por në kohë të shkurtër. Koha është pa asnjë dyshim gjëja më e rëndësishme që një militant mund ti jap një partie politike. Koha, në të kundërt nga të mirat materiale por edhe ndonjëherë shëndeti, është e vetmja gjë që nuk merret më mbrapshtë dhe kjo e bën të paçmueshme. Departamenti është munduar ta sjellë një gjë të tillë si risi që mund të frymëzonte edhe strukturat e tjera të partisë në qasjen që mund të kenë ndaj militantizmit.

Projekte kryesore janë:

1. Laboratori i Ideve: synon nxitjen e debatit dhe pasurimin e programit të Partisë Demokratike nëpërmjet artikujve, ndërhyrjeve publike dhe mediatike etj. Është projekt që përfaqëson aspektin më të dukshëm të ndërtimit të alternativës politike dhe dëshirën për të krijuar konceptin e influencës nëpërmjet ideve.

2. Laboratori i Sukseseve, Mirditë: synon kthimin në sukses të qeverisjeve lokale të PD që të bëhen si kartëvizitë për mënyrën se si do qeverisim shtetin qendror. Një test për të kthyer besimin. Anëtarët e Departamentit janë vendosur në dispozicion të Kryetarit të Bashkisë sëMirdtiës Zoti Arben Melyshi për ta ndihmuar në realizimin e projekteve të tij.

Në këtë mënyrë jetësohet një ide e Departamentit, sipas së cilës çelësi për të rrëzuar regjimin nuk gjendet në Tiranë, i cili është një qytet i sunduar,  por në rrethet e ndryshme jashtë tij. Të rinjtë dhe të rejat duhet të bëjnë politikë në çdo cep të Shqipërisë dhe jo të luftojnë për pak dritë në kryeqytet. Në këtë mënyrë brezi i ri formësohet edhe praktikisht me funksionimin e institucioneve.

3. Selia e PD përtej politikes:projekt në fushën e betejës së simboleve. Synon zmadhimin e selisë duke e kthyer atë jo vetëm në simbolin politik por edhe kulturor të Partisë Demokratike (simbol ky që bashkon më gjerësisht njerëzit) nëpërmjet mbajtjes së ekspozitave të arteve pamore dhe prezantimit të librave të rinj. Është një projekt në fushën e simbolikës dhe synon në të njëjtën kohë të ndryshoj perceptimin publik të Partisë.

Ne sot pësojmë simbolet negative të ndërtuar nga qeveria pa arritur doemos të krijojmë simbolet tona pozitive, simbole qe bëjnë bashkë njerëzit duke u dhënë një forcë të madhe.

4. Podcast: qëllimi ishte zgjerimi i punës së Departamentit duke përfshirë persona të jashtëm (pedagogë, intelektualë, profesionistë) në biseda dhe debate të cilat përfundojnë në propozime idesh. Ky projekt mundëson gjithashtu trajnimin e anëtarëve për të kryer debate cilësore gjë që do lehtësojë me vonë mbrojtjen e një programi politik.

5. Akademia BrainGain: po ngrihet një kurrikul për trajnimin e anëtarëve të Partisë Demokratike (si luftohet propaganda e Edi Ramës, ndërtimi i veprimtarisë politike në një shtet autokratik, përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale etj). Trajnimi i anëtarëve dhe personave me përgjegjësi të ndryshme duhet të kthehet në prioritet për të profesionalizuar partinë.

6. Libri i punëve te mira të Partisë Demokratike: projekt që lidh temën e kujtesës dhe lidhjen midis brezave. Kujtesa është thelbësore sepse anëtarët e Partisë Demokratike, por edhe më gjerë qytetarët shqiptarë nën efektin e një propagande të pandalshme kanë harruar arritjet e PD ndër vite ndërkohë që këto arritje janë më të qenësishmet për zhvillimin e Shqipërisë moderne. Ne duhet të rikthejmë kujtesën për të rikthyer krenarinë dhe për ti dhënë kështu një hov motivimit të anëtarësisë.

Lidhja midis brezave është një temë tjetër e rëndësishme për të luftuar përplasjen artificiale që është krijuar midis të “rinjve” dhe të “vjetërve” në politikë. Vetëm lidhja midis tyre, puna e tyre e përbashkët dhe filozofia se gjithsecili duhet të vendosë një gur në shtëpinë e përbashkët mund të krijojë një parti të fortë.

7. Dhuro një Libër, ndriço një mendje: arsimi është absolutisht jetik për të dal nga obskurantizmi në të cilin qeverisja e Rilindjes ka futur Shqipërinë. Në ditën ndërkombëtare të librit mblodhëm rreth 1400 libra të cilët u dhuruan nëpër biblioteka në disa qytete të Shqipërisë. Ishte fillimi i projektit dhe tashmë Departamenti po mundohet ta zgjerojë edhe me libra në gjuhë të huaj dhe të shkojë në më shumë qytete.

8. Vera e Ideve: synon vendosjen e një standardi të ri ku vera nuk është moment pushimi, por prodhimi idesh dhe konceptesh të ndryshme të shprehura nëpërmjet artikujve, esseve dhe poadcast-e nga anëtarët e departamentit. Kemi vërejtur që shumë shpesh opozita nuk njehson fjalën me veprimin duke krijuar një disonancë konjitive te qytetarët shqiptarë. Nëse jemi vërtet në “luftë” kundër një regjimi atëherë nuk mund të marrim pushime si Parti politike. Një gjë e tillë na dobëson deri në subkoshiencën e qytetarëve dhe ndikon në klimën mosbesues të përgjithshme që ekziston ndaj partive politike. Shmangia e disonancave konjitive duhet të jetë pjesë e strategjisë së PD.

9. Rrjeti i Ambasadorëve: projekt ambicioz, i cili synon të krijojë një rrjet ndërkombëtar të miqve të Shqipërisë bazuar mbi të rinjtë dhe të rejat shqiptare ekselentë dhe marrëdhëniet që ata do të ndërtojnë me personalitete të shquara në vendet ku jetojnë. Mënyrë kjo për të masivizuar përçimin e mesazheve të opozitës të cilat janë të cunguara sot nga muri që ka ngritur sistemi propagandistik i Rilindjes. Mënyrë gjithashtu për t’i dhënë një mundësi angazhimi pozitiv personave që edhe pse nuk duan të kthehen në Shqipëri kanë dëshirë të përmirësojnë situatën në atdhe.

10. Projekti pilot harta dixhitale e problematikave të qytetarëve: projekt ambicioz (i pazhvilluar akoma) i cili synon një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj punës në terren të militantëve duke i dhënë një rol më të fortë dhe afatgjatë, mbledhjen e të dhënave rreth problematikave të qytetarëve dhe ndërtimin e programeve dhe alternativës më të mirë për ti zgjidhur.

Sot të gjithë të dhënat e mbledhura humbasin dhe nuk mundësojnë një ndjekje të qëndrueshme të problemeve të qytetarëve dhe zgjidhjeve që mund t’u jap Partia Demokratike. Orientimi i punës së militantëve në terren rreth Hartës së Problematikave do mundësojë gjithashtu krijimin e një marrëdhënie të re besimi me qytetarët.

Një veçanti tjetër e veprimtarisë së Departamentit ishte fakti që u mbështetem plotësisht mbi konceptin e meritokracisë. Ky koncept, është edhe në thelb të ideologjive të djathta kudo në botë. Kush propozon projektin merr përgjegjësin e realizimit të tij dhe përfaqëson Departamentin në publik dhe në media. Vlen të theksohet se të gjithë projektet e propozuara janë miratuar nga strukturat drejtuese të partisë duke dhënë kështu një hapësirë të madhe veprimi për Departamentin.

Kjo mënyrë së vepruari jo vetëm është e drejtë parimisht por mundësoi gjithashtu motivimin e anëtarëve të punojnë më shumë, daljen në pamje të parë të figurave të reja të cilat kanë pasuri e madhe për Partinë Demokratike dhe mbajtjen gjallë të një mentaliteti të mirë brenda Departamentit.

Shumica e anëtarëve të Departamentit që kanë punuar bashkë gjatë këtij viti nuk njiheshin më përpara me njëri tjetrin dhe për shumicën e tyre as nuk janë takuar fizikisht. Veprimtaria politike u përqendrua kështu rreth një grupi të rinjsh të cilët dëshiron të bënin politikë dhe të ishin të dobishëm dhe jo rreth miqësive apo njohurive të veçanta.Si asnjëherë më parë, janë bërë punime në grup ose grupi ka punuar për të përgatitur daljet publike të  gjithsecilit. Kjo nëpërmjet mbledhjeve, memove, ideve etj.

Puna në grup vjen si përgjigje ndaj një prej problematikave të mëdha që kemi vërejtur në botën politike por edhe administrative shqiptare. Njerëzit e rilindjes së Edi Ramës kanë një disiplinë, një organizim dhe mjete teknologjike shumë të forta. Të ndërgjegjshëm për aktet e paligjshme dhe shkatërrimin e shtetit shqiptar, ata funksionojnë duke përvetësuar kodet më të forta të mafies. Në të kundërt, opozita shqiptare vuan nga një mungesë solidariteti. Një energji shumë e madhe humbet në debate dhe luftëra të brendshme. Kësisoj, njerëzit ecin shumë shpesh vetëm në rrugëtimin e tyre dhe cilësia apo talenti i tyre individual nuk është asnjëherë i mjaftueshëm përballë tufës së Rilindjes.

Për të ilustruar këtë fenomen mundë të themi që përballë janë një grup ushtarësh kundër një grupi trimash dhe ekuacioni është i thjeshtë: Rilindja mund të trajnojë gjithmonë ushtarë,    ndërkohë që ne nuk mund të gjejmë pafund trima. Ndaj duhet të strukturohemi dhe të përvetësojmë rregullat e sportit të ekipit, shpirtit përbashkues që forca e grupit sjell.

Brenda një viti, Departamenti BrainGain arriti të kalojë dy fazat e para të çdo rrugëtimi politik. Ai krijoi një kuriozitet, i cili u shndërrua në interes. Na mbetet tashmë hapat e tjerë, krijimi i shpresës dhe besueshmëria.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco