Konferenca e shitësit të fruta-perimeve/ Në pritje të tjetrës për të mësuar kush ha banane nga bashkëpunëtorët e tij

Konferenca e shitësit të fruta-perimeve/ Në pritje të tjetrës për të mësuar kush ha banane nga bashkëpunëtorët e tij

18:33, 25/08/2023
A+ Aa A-

Kryeministri i vendit ka dalë këtë fundgushti në një konferencë të gjatë me gazetarët. Pasi dha myzhden e naftës në shpirag, me një zë të butë, që të kujton ato konferencat e gjata disa orëshe të Enver Hoxhës, pas inspektimeve që bënte në puset e naftës, ka mbrojtur me vendosmëri të gjitha aferat korruptive të pushtetit të tij dhjetëvjeçar në Shqipëri.

Në ndryshim nga Edi Rama, Enveri nuk e shiti pasurinë e Shqiptarëve të paktën.

Së pari- kryeministri Rama me mbrojtjen që i ka bërë aferës së shekullit, inceneratorëve, tregon se ai është truri i kësaj vjedhjeje të taksave të shqiptarëve. Dhe jo vetëm kaq, Edi Rama u tha sot shqiptarëve se, “inceneratorët punojnë, kush tha që nuk punojnë”. Kjo tregon që kryeministri jo vetëm që nuk i ka rënë pishmanit, por është i vendosur të tallet me djersën (taksat) e shqiptarëve.

Së dyti- mbrojti vehten dhe ia la Ilir Beqajt aferën 100-milionë euro të sterilizimit. Si në rastet me Tahirin, Dakon, Ahmetaj paralajmëroi lëshim për ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, vetëm se ndërroi llojin e frutit me të cilin e krahasoi, Beqen e quajti ngrënës mandarinash.

Së treti- nuk mohoi se tema kryesore e takimit me Melonin të mos ketë qenë projketi i marrjes së ujit të Syrit të Kaltër nga Iltalia. “Është e vjetër kjo si projekt, që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama. Pra që nga koha e Enverit, dhe atë që nuk e ka bërë Enveri ky është i gatshëm ta bëjë.

Së katërti- në çdo fjalë që tha për mbi një orë e ca nuk tregoi asnjë lloj frike nga SPAK, të cilin e orientoi të kapë kë të mundet, por jo atë. “I inkurajoj t’i nxjerrin ujin e zi kujdo”, tha Rama. Dhe fakti që dy prokurorët e SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi nuk zhvilluan asnjë hetim deri tani ndaj Beqajt, tregon qartë se kush i komandon hetimet. Dhe më qartë, për kë ka dyshime, le të ndjekë zhvillimin e ngjarjeve pas deklaratës së “mandarinave”.

Së pesti- skandalin e marrjes së të dhënave nga sistemi TIMS e relativizoi dhe e quajti si diçka të tejkaluar. Pra, atë për të cilën amerikanët e quajtën skandal të madh dhe e thanë publikisht, kryeministri Rama e qujti diçka të kotë. “Është e tejkaluar ajo çështjë. Nuk e kuptova ç’pati i ngarkuari me punë i ShBA-ve që foli ashtu, se mund të kishte folë me mua.”

Së gjashti- e nisi si Enveri konferencën, e mbylli po si ai, duke folur për “pllanet” pesëvjeçare, “Shqipëria qendra e inovacionit”, Shqipëria e Edi Ramës që s’ka pike sigurie për të dhënat e qytetarëve të saj, do të bëhet qendër teknologjie.

E vetmja gjë e re nga konferenca e sotme e Ramës ishte lëshimi i Ilir Beqes. Është bërë si shitës fruta-perimesh që del i lajmëron të gjithëve çfarë frutash preferojnë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Nuk mbetet gjë tjetër vetëm të presim të mësojmë kush ha banane nga bashkëpunëtorët e kryeministrit.

 

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco